Lajme

Vetë në burg, me “letra” kryetar komune

Ka komuna në Kosovës që dirigjohen nga burgu i sigurisë së lartë, pasi që kryetari për vite qëndron në burg, ndërsa komuna nuk ka kryetar tjetër. Njëri prej tyre është Sami Lushtaku i Skenderajt

Zgjidhja e statutit të Kosovës për shumë politikanë dhe shtete demokratike është konsideruar “sui generis” prandaj edhe qeverisja, kryesisht ajo lokale mund të konsiderohet e tillë. Ka komuna që dirigjohen nga burgu i sigurisë së lartë, pasi që kryetari i Komunës për vite qëndron në burg, ndërsa komuna nuk ka kryetar tjetër.

Aktakuzat që rëndojnë mbi këta udhëheqës lokalë kryesisht kanë të bëjnë me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe korrupsion, por edhe krime të luftës.

Disa nga kryetarët që kishin apo kanë probleme me organet e drejtësisë janë Xhabir Zharku, ish-kryetar i Komunës së Kaçanikut, i cili vazhdon të qëndrojë në arrati, pasi ishte shpallur fajtor për një vepër penale të armëmbajtjes dhe shtrëngimit, duke iu shqiptuar dënimi me tri vite burgim.

Sami Lushtaku, kryetar i komunës se Skenderajt, po e mban dënimin prej 12 vitesh burg për krime lufte. Kurse me “letra” vazhdon të mbetet kryetar i Komunës. Edhe Nexhat Demaku, kryetar i Komunës se Drenasit, është dënuar me tri vite burgim.

Pozitën e kryetarit të Komunës së Prizrenit vazhdon ta mbajë Ramadan Muja, edhe pse gjykata e kishte shpallur fajtor për keqpërdorim dhe korrupsion në këtë komunë. Ndërsa së fundmi, aktakuza janë ngritur edhe ndaj kryetarit të Klinës, Gjilanit, si dhe atij të Mitrovicës.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, e quan të pashpjegueshme se si një numër i kryetarëve të komunave vazhdojnë të jenë në procedura hetimore apo të burgosur dhe njëkohësisht të qeverisin komunat përkatëse.

Qeverisja me këta kryetarë, thotë ai, që shumicën e kohës e kalojnë nëpër procese gjyqësore, nuk mund të jetë efikase dhe model i qeverisjes së mirë.

“Por, në Kosovë tashmë është shndërruar në standard që një kryetar i suksesshëm mund të konsiderohet vetëm ai që mund të ketë ndonjë aktakuzë dhe tani gara në mes tyre është çfarë aktakuze kanë, dhe mos eventualisht kanë akuza edhe për krim të organizuar”, thekson Musliu.

Organizata joqeveritare Iniciativa për Progres, që njihet me akronimin INPO, kryesisht përcjellë nga afër funksionimin dhe punën në nivelet lokale të qeverisjes.

Albulena Ndrecaj, drejtore ekzekutive në këtë Iniciativë shprehet se këto veprime ndikojnë në qeverisjen lokale, duke zvarritur përparimet për zhvillimin e komunave përkatëse. Ajo vlerëson se mbajtja e posteve, pavarësisht proceseve apo edhe vendimeve gjyqësore, ka si efekt edhe humbjen e besimit të qytetarëve karshi komunave përkatëse.

“Ata (kryetarët e komunave) kohën e tyre e harxhojë duke u marrë me procese gjyqësore dhe duke u munduar që të organizojnë dhe strukturojnë mbrojtjen e tyre. Në këtë mënyrë nuk mund të themi se angazhimi i tyre është serioz apo qind për qind, ashtu siç e përcakton ligji dhe ashtu siç e kanë marrë besimin e qytetarëve për të qeverisur me komunën”, ka thënë Ndrecaj.

Ndërkohë, zëvendësministri i pushtetit lokal në Qeverinë e Kosovës, Bajram Gecaj, thotë për REL se kjo çështje ndikon në funksionimin e komunave, por, sipas tij, ligji ekzistues në Kosovë e mundëson që të ushtrohet funksioni deri sa vendimi është i plotfuqishëm.

“Vendimi për këta individë duhet të jetë i plotfuqishëm. Pra, është ligji në shprehje dhe ne duhet t’i respektojmë ato vendime. Nëse kryetarët e komunave janë të involvuar në procese gjyqësore, natyrisht se kjo pengon punën e tyre. Por, megjithatë, shumica e tyre e ushtrojnë atë funksion deri sa vendimi të jetë definitiv”, thekson Gecaj.