albinfo.ch
Integrimi
Vepra e Demaçit në fokus të një simpoziumi në diasporë
Në rreth njëzet kumtesa të lexuara në simpoziumin e mbajtur në Cyrih, janë rrahur aspekte të ndryshme të jetës dhe veprës së Adem Demaçit
Ditëlindja e 80-të e simbolit të rezistencës shqiptare, Adem Demaçit është shënuar të dielen në Zvicër me një simpozium dhe me një program artistik. Një ditë më vonë, të hënën është hapur edhe ekspozita me piktura dhe fotografi që lidhen me Demaçin.
Të gjitha aktivitetet janë organizuar nga Fondi “Nderi i Kombit – Adem Demaçi”.
Pika qendrore e aktiviteteve ka qenë simpoziumi në nderim të 80 vjetorit të lindjes së Adem Demaçit.
Në rreth njëzet kumtesa të lexuara me këtë rast, janë rrahur aspekte të ndryshme të jetës dhe veprës së Adem Demaçit, gjegjësisht reflektimi i kësaj vepre nga perspektiva të ndryshme.
“Ky simpozium është organizuar me qëllim që sa më mirë e sa më shumë të ndriçohet figura shumëdimensionale, e nganjëherë, sipas disave edhe kontradiktore e Adem Demaçit”, është thënë në fjalën e hapjes të simpoziumit, gjë që e shpjegon synimin e organizatorit për gjithëpërfshirje dhe objektivitet.
Veprimtari Ibish Neziri, njëri ndër organizatorët kryesorë të aktivitetit, ka përshkruar me fjalë dhe pjesërisht edhe me videoprojektime, njohjen e tij me Demaçin në burgun e Stara Gradishka-s, diku në fillim të viteve `80 të shekullit të kaluar.
Ja se si e mban mend ai figurën e Demaçit të burgosur në këtë burg famëkeq të ish Jugosllavisë. “Asnjëherë në shëtitjet e pasditave nuk mbetej vetëm. Zakonisht shoqërohej nga një apo dy të burgosur. Shëtitja zgjaste 1 orë e gjysmë deri në dy orë. Ai këto shëtitje nuk i la si shëtitje të zakonshme, por i shndërroi në orë mësimi, ligjëratash e diskutimesh. Burgun e Stara Gradishkës e shndërroi në universitet. Leksione nga më të ndryshmet, pyetje nga më të ndryshmet…”.
Demaçi si luftëtar për të drejtat e njeriut
Një vështrim nga një kënd më i veçantë ishte ai i Nufri Lekajt, veprimtar dhe jurist nga Norvegjia. Ai, në punimin e tij “Roli i Adem Demaçit në promovimin e të drejtave të njeriut, të ndërlidhur me me proceset e Kartës së Helsinkit”, ka shpalosur me kompetencë të njeriut që e zotëron lëndën, thelbin e angazhimit të Demaçit në fushën e të drejtave të njeriut. Kjo, sipas tij ka rrënjët nga koha sa Demaçi ishte në burg. “Në atë periudhë, organizatat e të drejtave të njeriut si Amnesty International etj. zakonisht ngurronin të viheshin në mbrojtje të lëvizjeve për çlirim nacional, për shkak edhe të respektimit të Kartës së Helsinkit”, shprehet Lekaj. Por, te rasti i Demaçit ato u vunë pa ekuivoke në përkrahje të tij, duke e njohur si të burgosurin numër një të ndërgjegjes në Jugosllavinë e atëhershme dhe si përfaqësuesin politik burimor të shqiptarëve te atjeshëm”.
Don Mikel Sopi është paraqitur me kumtesën “Adem Demaçi, edhe simbol i tolerancës ndërfetare dhe ndërnacionale”. Sipas tij, Demaçi gjithmonë ka hapur rrugën e mirëkuptimit në mes komuniteteve të ndryshme etnike ose religjioze”. Ai ka evokuar edhe kujtimet nga vizitat që Demaçi i ka realizuar në famullinë në rrethin e Gjakovës, ku Sopi ka punuar si prift gjatë viteve `90.
“Përtej ngurtësisë nacionaliste”
“Çlirimi nacional për Adem Demaçin është synimi themelor politik. Ai, në fazën e hershme të veprimtarisë së tij, e identifikon veten me të majtën dhe marksizmin. Edhe pse kombi nuk është princip tipik i së majtës tradicionale, ai e kombinon këtë me luftën për emancipimin social të shoqërisë dhe kundër pabarazisë sociale”, thuhet në kumtesën e Sabri Kiçmarit, ambasador i Kosovës në Australi. “Por, Adem Demaçi nuk është nacionalist tipik. Mendimi i tij është përtej ngurtësisë nacionaliste. Në një intervistë dhënë gazetarit të New York Times më 10. Gusht 1999 Adem Demaçi e thërret popullin serb, “i cili gjendet tani në konfuzion, të lirohet prej miteve dhe iluzioneve”, thuhet veç tjerash në kumtesen e Kiçmarit, të titulluar “Diskurs teorik mbi filozofinë politike të Adem Demaçit”.
Ndërsa sipas Ymer Lladrovcit, konsull i Kosovës në Austri, “Adem Demaçi është një titan i shqiptarisë, një lloj shpëtimtari i kombit siç e përfytyron Kristë Maloku: `Fantazia e tij është platonike, këtë gjë e dëshmon vepra e tij e gjerë letrare dhe publicistike, vrulli dhe entuziazmi i tij si ai i Alkibiadit antik, kurse gatishmëria për vetëflijim e përmasave të Sokratit. Vetëm se fati deshi që Adem Demaçi të mbetet një Sokrat i gjallë dhe jo i masakruar në rrugët e Prishtinës në vitin 1999 kur të gjithë i ikën ndëshkimit të mizorit serb Millosheviq”.
Për studiuesin dhe veprimtarin Kadri Rexhaj: “Adem Dema, si personalitet poliedrik, humanist dhe ideolog i papërsëritshëm kombëtar radhitet në mesin e shkrimtarëve të paktë, te të cilët vepra artistike e shkrimtarit përputhet plotësisht me jetën politike, kulturore dhe atdhetare të veprimtarit”.
Adnan Asllani në punimin e tij “Adem Demaçi, hallkë lidhëse e brezave për liri” thotë se “Demaçi pati rastin që shumë nga protagonistët e demonstratave të vitit `81 t`i takojë në burg. Ai pra kështu po krijonte lidhjet me një brez të ri atdhetarësh të cilët do të ishin vazhduesit më të denjë të rrugës së nesërme për liri”.
“Adem Demaçi dhe “Zëri i Kosovës” i kontribuan proceseve pozitive të shqiptarëve duke u shndërruar në popull dhe duke i kaluar sfidat e kohës së bashku më të”, u shpreh veç tjerash Sejdi Gega në kumtesen e tij të titulluar “Zëri i Kosovës dhe Adem Demaçi deri në vitin 1990”.
Ajo që mund të thuhet si përmbyllje, është se simpoziumi ishte përgatitur me një përkushtim dhe seriozitet. Dhe, brenda mundësive që ofrojnë rrethanat e punës në diasporë, kishte sjellë një numër të konsiderueshëm të kumtesave, mjaft prej të cilave kishin nivel të mirë. Sigurisht, brenda këtij numri të madh kishte edhe të atilla që përveç vlerësimeve përgjithësisht të njohura për Demaçin ose lavdeve të pakriter, nuk kishin ndonjë gjë konkrete për të ofruar.
Demaçi si letrar dhe si veprimtar
Adem Demaçi, i shikuar si veprimtar politik për të drejta kombëtare dhe të njeriut nga njëra anë dhe Adem Demaçi si letrar, nga ana tjetër, mund të thuhet se janë dy drejtimet ku kanalizoheshin kumtesat e lexuara. Kështu, për veprën letrare të Adem Demaçit u prezantuan një numër i konsiderueshëm punimesh, si ai i Hasan Ukëhaxhajt: “Adem Demaçi, poet”; i Kadri Rexhës: “Vështrim për dramën e Adem Demaçit `Politika dhe pushka`, ai i Shaip Beqirit “Adem Demaçi ndërmjet dy kohëve në letërsi dhe politikë”; i Vaxhid Sejdiut, “Personifikimi i figurës njerëzore dhe letrare të Adem Demaçit”; dhe punimi i Fehmi Berishës “Adem Demaçi, figurë artistike frymëzimi”.
Ndërsa për jetën dhe veprimtarinë politike të protagonistit të simpoziumit bënin fjalë të gjitha kumtesat tjera, disa nga të cilat ndaleshin në përvojat personale ose grupore të njohjes së autorëve të tyre me Demaçin.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Prishtinë: Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare do të organizojë konferencë ekonomike Ftesë për të gjithë afaristët shqiptarë në Mërgatë...
-
Cyrih: Policia bastis plantacionin e kosovarit me 1700 rrënjë kanabisi
-
DokuFest dhe Kino Kosova lansojnë nismën “Re-Connect” për të rinjtë nga Kosova dhe diaspora
-
Gjermani: Kapen dy shqiptarë me pasaporta diplomatike false
-
Vota e diasporës, 161 899 zarfe me fletëvotimi të mbërritura në KQZ
Jeta në Austri
-
Pas Zvicrës edhe Austria i reagon Gjermanisë për kontrollet kufitare Austria i bëri thirrje sot Gjermanisë të respektojë ligjet kufitare të BE-së, ndërsa policia gjermane ka...
-
Austri: Përfitimet e familjes dhe të fëmijëve të ngrira deri në vitin 2027
-
10 mitet e çiklizmit që nuk duhet t’i besoni në Austri
-
Pritësit e Airbnb në Vjenë përballen me rregulla më të ashpra dhe gjoba të larta
-
Qeveria austriake pezullon rritjen e ndihmave familjare për dy vitet e ardhshme