Tematike
Vendlindja më afër se kurrë
Prishtina, Shkupi dhe Tirana mbeten destinacionet më të dëshiruara për mërgimtarët në Zvicër

Në vazhdën e përpjekjeve për liberalizimin e transportit ajror, hapja e mirëfilltë e këtij tregu ka bërë që të lehtësohet tej mase udhëtimi i mërgimtarëve për në vendlindje.
albinfo.ch ka shëtitur nëpër agjenci të ndryshme udhëtimesh, të cilat bëjnë rezervime të fluturimeve, të udhëtimeve me autobus dhe trajekt nga Zvicra për në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë, për të hulumtuar të gjitha variantet e mundshme dhe të levërdishme të udhëtimit.
Pas këtij hulumtim rezultoi se edhe më tutje mbetet kontrast i madh i çmimeve të udhëtimit për në Prishtinë, ndërsa më stabile figurojnë të jenë ato për në Shkup e Tiranë.
Ndodh që nga Zürichu me vetëm 50 franga të shkoni në Prishtinë, ndërsa me 300 franga të ktheheni, varësisht nga koha kur keni vendosur të udhëtoni.Ndërsa në sezon të udhëtimeve, gjatë pushimit të verës apo gjatë festave të fundvitit, Prishtina si destinacion mund t’ju kushtojë më shtrenjtë, ngase mund të paguani deri në 400 franga një biletë njëdrejtimëshe, ndërsa deri në 750 franga një biletë kthyese.
Rezervimet on-line
Paramendoni çfarë shume parash mund të paguani për familje. Por, për të siguruar bileta më të lira bashkatdhetarët mund të rezervojnë online ose të kontaktojnë njërën prej agjencive tona të udhëtimit, ku mund të përfitojnë prej 10 deri 20 për qind zbritje.
Çmime speciale zakonisht ofrohen për familje. Mirëpo, ekzistojnë edhe variante të tjera të udhëtimit.
Pos linjave direkte për Prishtinë që realizohen 7 herë në javë nga kompania ajrore “Swiss” dhe 7 të tjera nga kompania ajrore gjermane “Air Berlin”, mund të udhëtoni edhe nëpërmjet Lubjanës me kompaninë ajrore sllovene “Adria”, nëpërmjet Budapestit me “Malev” dhe nëpërmjet Podgoricës me kompaninë malaziase “Montenegro Arlines”. Kjo e fundit figuron të jetë më e lirë, prej 300 deri 400 franga mund të udhëtoni jashtë sezonit, ndërsa në sezon prej 400 deri në 650 franga.
Prishtinë: fluturimet “Low Cost”
Prej Bazelit dhe Gjenevës aktualisht operon “EasyJet”. “EasyJet” ka nisur fluturime të rregullta ajrore mes Kosovës dhe Zvicrës gjatë sezonit veror 2010. Kompania “EasyJet” është kompania e parë low cost (me çmime të ulëta) që ka hyrë në tregun e Kosovës.
Në këtë mënyrë udhëtarëve iu shtuan mundësitë për të fluturuar në mes të dy shteteve, sidomos duke marrë parasysh se si Gjeneva, ashtu edhe Bazeli, kanë qenë shumë pak të shërbyera nga kompanitë që momentalisht fluturojnë midis Zvicrës dhe Kosovës. Për më tepër, në këto dy qytete jeton një pjesë e konsiderueshme e diasporës kosovare.Të tjerat kompani, si “Swiss” dhe “Bel Air” fluturojnë nga Gjeneva dhe Bazeli dy deri në tri herë në javë, kuptohet me çmime të ndryshme, varësisht prej kohës së udhëtimit.
Shkupi dhe Tirana
Edhe Shkupi si destinacion nga Zvicra mund të jetë i përshtatshëm jo vetëm për bashkatdhetarët nga Maqedonia, por edhe ata nga Kosova. Edhe atje mund t’ ju kushtojë një biletë njëdrejtimëshe nganjëherë vetëm 50 franga, e të ktheheni në Zürich me 350 franga.Gjatë pushimeve të verës, pushimeve tjera të nxënësve dhe të fundvitit, Shkupi është më i lirë. Për në Shkup mund të fluturoni me 550 franga, natyrisht edhe të ktheheni në Zürich.
Aeroporti i Shkupit, pos që është afër për bashkatdhetarët në Maqedoni, është afër edhe për kosovarët. Tani rruga qarkore pa kaluar qytetin shkurton kohën tuaj deri në kufirin me Kosovën. Përparësi e madhe është edhe prania e policëve dhe e doganierëve shqiptarë në pikat kufitare Maqedoni-Kosovë, ku mund të evitohen pritjet e mundimshme.
Destinacion për bashkatdhetarët në Maqedoni mbetet edhe aeroporti i Ohrit, ku çmimet figurojnë të jenë të njëjta sikurse ato të Shkupit.
T’ i kthehemi Tiranës. Për aeroportin e Rinasit aktualisht fluturon vetëm kompania ajrore sllovene “Adria”. Një biletë vajtje-ardhje për Tiranë mund t’ ju kushtojë deri 450 franga, ndërsa në pikun e sezonit deri në 700 franga.
Udhëtimi me autobus dhe trageti me anije
Një variant tjetër i udhëtimit është edhe ai me autobus, sidomos për familje me shumë anëtarë. Gjatë sezonit mund të udhëtoni dy herë në javë me autobus për të gjitha qytetet e Kosovës.
Nëse udhëtoni nëpërmjet Serbisë, atëherë një biletë dydrejtimëshe autobusi do të duhet ta paguani 250 franga. Udhëtimi realizohet me autobus modern dhe zgjat diku deri në 30 orë.
Vija tjetër me autobus është ajo nëpërmjet Shqipërisë, me anije të vijës lundruese Bari – Durrës. Një biletë me këtë trajektore të udhëtimit, duke përfshirë një natë fjetjeje në anije, mund t’ ju zgjasë deri në 40 orë dhe kushton 450 franga.
Udhëzime për familjet
Duhet të informoheni edhe për këtë. Fëmijët deri në 2 vjet paguajnë vetëm 10 për qind të biletës së fluturimit, ndërsa fëmijët prej 2 deri në 12 vjet paguajnë 30 për qind më lirë biletën e fluturimit. Bagazhi që mund të bartni mund të jetë në peshë deri në 20 kilogram, të tjerat duhet t’ i paguani.
Rezervimet nuk mund të bëhen në dy apo më shumë agjenci për të njëjtën datë. Mosanulimi i biletës me kohë mund t’ ju kushtojë shumë. Anulimi duhet të bëhet 48 orë para datës së fluturimit të planifikuar.
Me këtë tekst albinfo.ch mëton të ngrejë një urë bashkëpunimi ndërmjet agjencive të udhëtimit dhe bashkatdhetarëve në Zvicër. Po ashtu mëtojmë të nxitet konkurrenca, e me këtë të ketë edhe zbritje çmimesh që do të jenë në favor të udhëtarëve.
Tekste të kësaj natyre do të vazhdojnë të publikohen në albinfo.ch me ofertat e agjencive të ndryshme të udhëtimit. Ftojmë të gjitha agjencitë t’i përgjigjen këtij bashkëpunimi.
Të tjera nga Tematike
E-Diaspora
-
Dr. Kaltrina Zahiti: Për një trajtim më të përgjegjshëm të syve Rekomandoj kontrolle të rregullta të fëmijëve, gjithsesi para hyrjes në shkollë. Shumë sëmundje mund të shërohen...
-
Gjermani: Arrestohet mërgimtari në trenin Euro-City, kishte dokumente false
-
Burgim i përjetshëm për shqiptarin, ka vrarë bashkatdhetarin e tij
-
Si mund të votojnë shqiptarët jashtë vendit për Shqipërinë në Eurovision 2025?
-
Nga Suedia, Rina Januzi nominohet në “Netët e Klipit Shqiptar 2025”
Jeta në Austri
-
Pesë mënyra se si mund të kurseni para kur blini ushqim në Austri Nga pazaret e tregut te programet e besnikërisë së supermarketeve, ka shumë mënyra për t’i bërë...
-
Vjena sheh rritje 30% të rasteve të mbidozës së drogës tek adoleshentët
-
Gjërat që nuk mund t’i mbani në makinën tuaj në Austri
-
Austriakët arritën rekord prej 27.5 milionë udhëtime pushimesh
-
Domethënia e zgjedhjeve të Vjenës për të huajt, sezoni i alergjive dhe ngjarjet kryesore të javës në Austri