Lajme

Vendi më i sigurt në Evropë

Kompania e sigurimeve Berkshire Hathaway Travel Protection ka publikuar renditjen më të fundit të vendeve më të sigurta për udhëtime, duke përdorur të dhëna nga Indeksi Global i Paqes (Global Peace Index).

Këto të dhëna janë analizuar bashkë me një anketë të udhëtarëve amerikanë, të cilët kanë vizituar vende të përzgjedhura gjatë pesë viteve të fundit, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Holanda u rendit në vendin e parë, falë pozicionit të saj të lartë në Global Peace Index dhe Numbeo, si dhe për faktin që Haga dhe Eindhoven u renditën mes 12 qyteteve më të sigurta. Udhëtarët e vlerësuan gjithashtu për masat shëndetësore dhe për faktin se është një destinacion i sigurt për gratë dhe njerëzit me ngjyrë. Megjithatë, ekspertët e udhëtimeve paralajmërojnë turistët të kenë kujdes nga çiklistët, pasi shumë qytete holandeze kanë korsitë e tyre të biçikletave, dhe këmbësorët duhet të shikojnë nga të dyja anët para se të kalojnë rrugën.

Australia u rendit në vendin e dytë, por pjesa më e madhe e shteteve në krye të listës ishin nga Evropa. Sipas të dhënave, nga 10 vendet më të sigurta në botë për udhëtarët në vitin 2026, pesë janë në Evropë. Ndërsa në listën me 15 shtetet më të sigurta, dy të tretat i përkasin kontinentit të vjetër.

Pas Holandës dhe Australisë, renditen Austria, e cila vlerësohet për qetësinë dhe sigurinë që ofron për turistët, dhe Islanda. Kjo e fundit u rendit në vendin e parë vitin e kaluar dhe vazhdon të konsiderohet si vendi më paqësor në botë sipas Indeksit Global të Paqes. Por, shpërthimi i vullkanit Sundhnúksgígar solli evakuimin e shumë banorëve dhe turistëve, duke ulur vlerësimin e sigurisë.

Kanadaja pozicionohet e pesta, e ndjekur nga Zelanda e Re, Emiratet e Bashkuara Arabe, Zvicra, Japonia dhe Irlanda.

Në 15 shtetet më të sigurta përfshihen edhe Belgjika, Portugalia, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Danimarka.