Komisioni Disiplinor i Federatës Spanjolle të Futbollit ka vendosur ta pezullojë me një ndeshje sulmuesin e Kosovës, Vedat Muriqin.
Në sfidën e javës së parë të La Ligas, ku Mallorca u mposht nga Barcelona me rezultat 3:0, Muriqi u përjashtua pas një faulli ndaj portierit Joan Garcia. Fillimisht, gjyqtari i tregoi karton të verdhë, por pas shqyrtimit nga VAR-i vendimi u ndryshua në karton të kuq direkt.
Incidenti ndodhi kur Muriqi ngriti këmbën lart dhe e goditi Garcian në kokë, duke i shkaktuar këtij të fundit një ënjtje të dukshme në faqe.
Për pasojë, sulmuesi shqiptar do të mungojë në ndeshjen e radhës së Mallorcës ndaj Celtas. Megjithatë, në skuadër tashmë është bashkuar edhe mbrojtësi shqiptar Marash Kumbulla, i cili pritet ta ketë më të lehtë përshtatjen falë prezencës së Muriqit si lider i ekipit.