Lajme

Vdes tragjikisht një i ri nga Kosova në një kantier ndërtimi në Zvicër

Bëhet e ditur se një shqiptar nga Kosova, i cili jetonte dhe vepronte në Zvicër, ka humbur jetën tragjikisht në një kantier ndërtimi, transmeton albinfo.ch.

Thuhet se, rreth orës 08:20 të së mërkurës, në një kantier të madh ndërtimi në Schlieren të Kantonit të Cyrihut, jeta e 28-vjeçarit F. R. nga fshati Dobrosh i Gjakovës u ndërpre tragjikisht.

Referuar njoftimit zyrtar të Policisë Kantonale të Cyrihut, aksidenti ndodhi kur një strukturë metalike që po transportohej me vinç u shkëput dhe goditi për vdekje punëtorin. Edhe pse ekipet e ndihmës së shpejtë mbërritën menjëherë, mjekët konstatuan vdekjen e tij në vend.

 Policia dhe institucionet përkatëse kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti të rëndë, ndërsa kolegët e tij dhe familjarët janë trajtuar nga ekipet e emergjencës dhe përkrahjes psikologjike.

Trupi i pajetë i të ndjerit është marrë nga institucionet përkatëse të Zvicrës dhe aktualisht ndodhet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Cyrih, ku do t’i nënshtrohet procedurës së obduksionit. /Albinfo.ch