Kosova

Vazhdon kriza, takimi i liderëve për konstituimin e Kuvendit përfundon pa marrëveshje

Takimi i liderëve të partive politike nw Kosovw, i thirrur nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, për të dalë nga bllokada institucionale në Kuvend, ka përfunduar pa arritur një marrëveshje konkrete. Edhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që qartësoi aspektet procedurale të konstituimit, partitë nuk po arrijnë të gjejnë konsensus, raporton albinfo.ch.

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, tha pas takimit se situata mbetet e bllokuar, ndonëse ai ka ofruar dy propozime kompromisi për zhbllokimin e procesit. Ai tha se mungesa e konsensusit është pengesa kryesore dhe se përkundër përpjekjeve, opozita nuk ka reflektuar.

“Propozimi i parë ka qenë që nëse kandidatja për kryetare nuk merr 61 vota në votimin e fshehtë, të tërhiqet nga kandidatura. Dhe i dyti,  një marrëveshje politike për votimin në paketë të kryetarit dhe nënkryetarëve, duke i deleguar përfaqësuesit në komisionin për votim të fshehtë, të cilin më pas mund ta rrëzojnë me marrëveshje,” sqaroi Kurti.

Ai theksoi se Gjykata Kushtetuese nuk zgjidh mosmarrëveshje politike dhe se detyra për të gjetur zgjidhje i mbetet spektrit politik. “Deputetët kanë nevojë për shtëpinë e tyre, Kuvendin. Për ta bërë këtë, duhet të zgjedhim kryetaren dhe pesë nënkryetarët”, tha ai, raporton albinfo.ch.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, takimin e quajti “aktrim politik” nga ana e Kurtit dhe tha se nuk pati asnjë përpjekje të vërtetë për kompromis. Ai paralajmëroi se votimi për komisionin për votim të fshehtë do të përbënte shkelje të Kushtetutës.

Në të njëjtën linjë reagoi edhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili takimin e cilësoi si “farsë publike”. Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pranuar të lëvizë nga pozicionet jokushtetuese, duke insistuar në votim të fshehtë që, sipas tij, bie ndesh me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, akuzoi partinë në pushtet për refuzim të ofertave opozitare dhe për shtrembërim të aktgjykimit. Ajo tha se propozimi për votim në paketë është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit dhe parimet ligjore.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, theksoi se takimi më shumë u përqendrua në interpretimet e aktgjykimit sesa në gjetjen e një zgjidhjeje konkrete. Ai kërkoi që VV si partia më e madhe të marrë përgjegjësinë dhe të punojë për krijimin e një shumice, raporton albinfo.ch.

Bashkëkryetari i Listës GUXO, Faton Peci, deklaroi se pati diskutime konstruktive dhe se ai mbetet optimist për një marrëveshje në javët në vijim. Edhe Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa tha se pretendimi i opozitës se votimi i fshehtë shkel Kushtetutën është i pabazuar.

Me një seancë të re të ftuar për të dielën dhe pa një marrëveshje për konstituimin e Kuvendit, vendi përballet me një krizë të thellë institucionale. Liderët opozitarë kanë sinjalizuar se mund të kërkojnë ndërhyrjen e presidentes Vjosa Osmani, ndërsa Kurti thotë se do të marrë pjesë në seancën sipas ftesës së kryesuesit, raporton albinfo.ch.