Kosova

Vazhdon rritja e çmimeve të banesave në Kosovë

Tregu i banesave në Kosovë po shënon një trend të qëndrueshëm rritës, sipas të dhënave më të fundit të Agjencisë së Statistikave. Indeksi i çmimeve për periudhën 2018–2025 tregon se çmimet po rriten nga viti në vit, ndërsa kryeqyteti mbetet zona me më të larta çmime

Çmimet e banesave kanë shënuar rritje prej 4.2 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas Indeksit të Çmimeve të Pronave Banesore, i cili është publikuar për herë të parë nga Agjencia e Statistikave, rritje më të madhe të çmimeve pati në rajonin e Prishtinës me 6.5 për qind.

Të dhënat që flasin për periudhën 2019-2025 tregojnë se çmimet e banesave janë rritur çdo vit, por rritje më të madhe kishte në vitet 2022 dhe 2024.

Sipas ASK-së, rritja mesatare vjetore më e lartë e çmimeve të banesave është regjistruar në vitin 2022, me 4.5%, e ndjekur nga viti 2024 me 4.0% dhe viti 2023 me 3.7%.

Këto vite pasqyrojnë një periudhë me aktivitet të lartë ndërtimi dhe rritje të kërkesës, si në tregun primar ashtu edhe në atë sekondar të banesave, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, viti 2020 ka qenë më i dobëti, me rritje minimale prej vetëm 0.2%, për shkak të pasojave të pandemisë COVID-19, e cila ngadalësoi dukshëm qarkullimin në tregun e pronave.

Sipas raportit, rajoni i Prishtinës vazhdon të udhëheqë me çmimet më të larta të banesave në nivel vendi.

Rritja më e madhe vjetore në kryeqytet është regjistruar në tremujorin e parë të vitit 2025, me 11.3%, që përfaqëson një nga normat më të larta të rritjes që nga viti bazë 2018.

Pas Prishtinës, rritje të theksuara janë parë edhe në vitet 2021 dhe 2024, kur normat kanë kaluar 5 për qind, duke reflektuar një kërkesë të qëndrueshme për banim dhe investime në kryeqytet.

Në kontrast me kryeqytetin, rajonet tjera të Kosovës kanë shënuar rritje më të moderuara. Më e larta është regjistruar në vitin 2023 (5.4%), pasuar nga 2022 (4.4%) dhe 2019 (2.7%), ndërsa një rënie e lehtë është shënuar në vitin 2021 (-1.4%). Këto të dhëna tregojnë se edhe pse trendi mbetet pozitiv, dinamika e tregut ndryshon dukshëm në varësi të rajoneve.

ASK thekson se rritjet më të dukshme janë vërejtur në periudha të caktuara tremujore, ku çmimet janë rritur me ritme të larta për shkak të kërkesës së shtuar për banesa të reja.

Në këtë kuadër, tremujorët me rritjen më të lartë vjetore kanë qenë:

TM1 2025 – 7.8%,

TM3 2022 – 6.1%,

TM1 2023 – 5.5%,

TM4 2024 – 5.3%,

TM4 2019 – 5.2%,

TM2 2022 – 5.2%.

Sipas ASK-së, këto periudha përfaqësojnë momente me aktivitet të shtuar në treg, si pasojë e investimeve në ndërtim, rritjes së kreditimit për banesa dhe zgjerimit të zonave urbane. Në anën tjetër, rëniet më të mëdha janë regjistruar në vitin 2020, konkretisht në tremujorin e katërt (-2.4%) dhe në tremujorin e dytë (-2.0%), si pasojë e mbylljeve dhe pasigurisë ekonomike që ndikuan në uljen e transaksioneve.

Në krahasim me periudhat e mëparshme, tregu i banesave në Kosovë po tregon shenja të një stabilizimi gradual, me luhatje më të vogla dhe rritje më të qëndrueshme.

Në shumë rajone, veçanërisht në Prishtinë, çmimet po mbahen në nivele të larta, të ndikuara nga kërkesa e qëndrueshme, kthimi i diasporës dhe ndërtimi i projekteve të reja rezidenciale.

Sipas ekonomistëve, publikimi i Indeksit të Çmimeve të Pronave të Banimit është një hap i rëndësishëm, pasi për herë të parë krijohet një bazë zyrtare për matjen e lëvizjeve të çmimeve në këtë sektor, e cila mund të ndihmojë institucionet, investitorët dhe qytetarët në vendimmarrje më të informuar.

Të dhënat e reja të ASK-së tregojnë se çmimet e banesave në Kosovë janë rritur pothuajse çdo vit që nga 2018-a, me ritme më të forta në vitet e fundit.

Kjo prirje vjen si rezultat i kombinimit të disa faktorëve: kërkesës së lartë për banim në zonat urbane, rritjes së çmimeve të materialeve të ndërtimit, si dhe normave të favorshme të kredive hipotekare në periudha të caktuara.

Drejtori ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati tha se ky është një raport i rëndësishëm për vendin dhe institucionet ndërkombëtare. “ASK-ja e publikon një raport të rëndësishëm, jo vetëm për vendin, por edhe institucionet ndërkombëtare, sepse ky indeks është kërkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ky indeks, është në bashkëpunim të ngushte me ekspertizën e Bankës Qendrore, Agjencinë e Kadastrës së Kosovës, Ministrinë e Financave. Ky indeks është në harmoni me protokollin e fondit monetar. Me këtë indeks i plotësojmë indekset e nevojshme, që kërkohen sipas kritereve standarde, është indeksi i tetë që e prodhojmë në fusha të ndryshme”.

Drejtori i Departamentit të statistikave ekonomike në ASK, Ilir Berisha shtoi se ky indeks është kërkuar nga qeveria në vitin 2023. Berisha tha se ka pasur edhe asistencë teknike nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, që ka bërë vlerësimin e burimeve të mundshme të të dhënave.

“Ky indeks ka qenë kërkesë e Qeverisë në vitin 2023, në bazë të një marrëveshje të Fondit Monetar, e cila ka qenë pikë e veçantë. Fatmirësisht, kemi pasur një bashkëpunim ndërinstitucional dhe janë krijuar grupet punuese, kemi pasur edhe asistencën teknike eksperte nga FMN që ka bërë vlerësimin e burimeve të mundshme të të dhënave. Në vitin 2024 kemi pasur ngecje për shkak të prioritetit tonë për regjistrimin e popullsisë dhe më pas kemi vazhduar riformimin e grupit punues për këtë indeks”, tha Berisha.

Gëzim Ahmeti, zyrtar i statistikave të çmimeve, ka prezantuar indeksin e çmimeve. “Në nivel vendi çmimet e pronave banesore, në tremujorin e dytë të vitit 2025 krahasuar me tremujorin e dytë të 2024, ka pasur rritje prej 4.2 për qind, kurse te rajoni i Prishtinës shënoi një rritje prej 6.5 për qind, ndërsa për rajonet e tjera ka pasur një ngritje prej 0.7 për qind. Kemi paraqitur ndryshimet vjetore në përqindje, ndryshimet mesatare duke filluar prej vitit 2019 – 2.1 për qind, 2020 – 0.2 për qind për shkak të pandemisë, 2021 – 2.4 për qind, 2022 – 4.5, 2023 3.7, 2024 – 4 për qind. Në bazë të këtij grafiku shohim se ka një trend rritës prej vitit 2018 deri më 2024 që ka arritur vlerën e indeksit prej 118.1 për qind”.

Indeksi i Çmimeve të Pronave të Banimit (IÇPB) mat ndryshimet e çmimeve, duke përdorur dy tregues kryesorë: ndryshimet vjetore në përqindje, duke krahasuar një tremujor të vitit referues me vitin paraprak, si dhe ndryshimet tremujore në përqindje, duke krahasuar tremujorin referues me tremujorin e paraprak.