Lajme

Situatë e tensionuar në Kumanovë

Në Lagjen e Trimave që shtrihet mbi tregun e qytetit nga ora 07.00 e mëngjesit ka pasur të shtëna armësh dhe lëvizje të helikopterëve

Në Kumanovë po mbretëron edhe sot një situatë e tensionuar, ndërsa në Lagjen e Trimave akoma vazhdojnë përleshjet midis policisë dhe grupit të armatosur.

Rrugët që çojnë drejt kësaj lagje janë hermetikisht të mbyllura, ndërsa pjesa tjetër e qytetit gati se frymon në kushte gjysmë normale dhe se ka lëvizje të qytetarëve, dyqanet e lokalet janë të hapura. Por megjithatë mbretëron një panikë totale se çfarë do të ndodhë dhe se cilat janë skenaret që kanë përfshirë këtë qytet të njohur shumetnik.

Në Lagjen e Trimave që shtrihet mbi tregun e qytetit nga ora 07.00 e mëngjesit ka pasur të shtëna armësh dhe lëvizje të helikopterëve, ndërsa një orë më pas u ndërprenë të shtënat. Një polic shqiptar në një pikë kontrolli policor në Kumanovë theksoi për Albinfo se policia është në terren dhe se akoma ka të shtëna. “Ju po i dëgjoni të shtënat, nuk mund të them asgjë. Ju lutem vazhdoni”, ishte përgjigja e policit kumanovarë shqiptar, i veshur me uniformën e luftës.

Tashmë janë shfaqur edhe informacione kontradiktore mes autoriteteve zyrtare dhe zërave dhe situatës që po shihet nga terreni.

Ministria e Brendshme mbrëmë informoi se ka përfunduar me operacionin dhe se ka asgjësuar grupin e armatosur, me ç`rast janë dorëzuar rreth 30 prej tyre. Ministrja e këtij dikasteri, Gordana Jankulovska theksoi se megjithatë në terren njësitet speciale po vazhdojnë pastrimin e terrenit dhe se është në kërkim të disa pjesëtarëve të këtij grupi siç e quan ‘terrorist’, të cilët vazhdojnë të mos dorëzohen. Ajo mbrëmë raportoi për 5 policë të vrarë dhe 30 të plagosur, por sot raportohet në mënyrë jozyrtare se numri i policëve të vrarë shkon në 7 pjesëtarë.

Isamedin Osmani nga Studeniçani i Shkupit është pjesëtari i i parë shqiptarë i policisë speciale që u vra mbrëmë në përleshjet në Kumanovë.

Por akoma nuk ka asnjë hollësi se a ka civilë të vrarë apo edhe pjesëtarë të grupit të armatosur që tashmë janë shfaqur me një komunikatë dhe prononcime për mediet shqiptare se i takojnë Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK). Ky grup ka nxjerrë një komunikatë për mediet ku thekson se pjesëtarët e saj po luftojnë në Kumanovë kundër siç thuhet terrorit sllavomaqedonas dhe se më tej thuhet se “me besim se do ta rrëzojmë këtë regjim kriminal, për ti hapur rrugën lirisë dhe dinjitetit kombëtar”.

Derisa situata mbetet e paqartë në terren dhe se a do të përmbyllet së shpejt kjo arenë e barotit dhe përleshjeve me armë, banorët e Kumanovës kërkojnë përgjegjësi nga politika dhe nga faktorët ndërkombëtarë.

Hasan Misini nga Kumanova kërkon që sa më shpejt të reagojnë krerët politik shqiptarë dhe se apeli i tij i drejtohet kryesisht kryetarit të BDI-së në pushtet, Ali Ahmeti.

“Ali Ahmeti që është në qeveri dhe partitë e tjera duhet të reagojnë. Ata thirren se kanë mandatin e popullit. Edhe tash në këtë situatë e kanë mandatin, jo veç kur po i rrezikohen interesat e tyre dhe kur i bëjnë pazaret politike. Ne i bëjmë thirrje që të reagojnë, sepse bashkë me familjen time janë vendosur në një lagje tjetër dhe nuk mund të mbijetojmë as me ushqime në rast se kjo situatë e paqartë vazhdon edhe më tepër”, theksoi për Albinfo.ch, banori i Kumanovës.

Patrullat e OSBE-së edhe sot janë në terren dhe se ato nga afër po ndjekin situatën. Ekipet e monitoruesve theksuan se janë duke ndjekur situatën dhe se po bëjnë përpjekje për të raportuar për gjithçka që po ndodhë. OSBE dje përmes një komunikate bëri thirrje të mos lejohet eskalimi i situatës.

“Besojmë se siguria e popullsisë lokale është e një rëndësie të madhe. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha pushtetet relevante dhe kërkojmë që të gjithë qytetarët dhe partitë politike të mbeten të qetësuar. Prioriteti më i rëndësishëm dhe urgjent është të mos lejohet ekskalimi i situatës e cila mund të çoj në një dhunë të mëtutjeshme”, deklaroi ambasadorja Mariane Berec, zëvendës shefe e misionit në Shkup.

Autostrada Kumanovë – Shkup sot është normalizuar dhe ka lëvizje normale të makinave, edhe pse 500 metra deri në 1 kilometër po vazhdojnë përleshjet dhe të shtënat e herëpashershme sporadike.
Po ashtu edhe pika kufitare Tabanoc po funksionon në kushte normale dhe policia ka theksuar se ka kalime normale të qytetarëve dhe nuk bëhet e ditur për shpërngulje masive drejt Preshevës, ashtu që siç raportuan disa media, duke përhapur panik dhe dezinformim në mesin e popullatës në Kumanovë.

Kumanovarët sot presin informacione dhe qëndrime nga krerët qeveritarë shqiptarë dhe partitë politike. Ata janë me sy e veshë në drejtim të Shkupit se çfarë do të ndërmarrin në normalizimin e situatës.