Lajme

Varfëria josh shqiptarët për drogën

Varfëria është një nga shkaktarët që i ka çuar shqiptarët të merren me drogë. Ky fenomen është shumë i përhapur në Shqipëri dhe fitohen shumë para, shkruan “Deutsche Welle” në gjuhën shqipe.

Me gjithë premtimet patetike, qeveria shqiptare nuk i ka dalë të zbusë varfërinë e shtresave të thjeshta në Shqipëri në këto vite. Papunësia është e lartë, ndërsa ndihma ekonomike për familjet në nevojë shumë e ulët: 75 euro për familje në muaj, përcjell albinfo.ch.

Duket një pazar i lehtë për bosët e drogës të gjejnë punëtorë për tharje, paketim apo për mbjelljen e kanabisit. Në magazinën e drogës pranë Rrëshenit punonin të ardhur edhe nga qytete të tjera. Sipas burimeve të ‘Deutsche Welles’, nëse një kultivues kanabisi arrin ta shpëtojë parcelën nga kontrollet e policisë, e shet kilogramin për rreth 200 euro. Në Evropë pastaj çmimet rriten. Shpesh droga mbillet në zona malore, disa kultivues madje kanë zhvilluar sisteme ujitjeje, e i ruajnë parcelat me armë.

Droga nuk është një fenomen i ri. Edhe më parë, Shqipëria njihte Lazaratin, apo zonën e Malësisë së Shkodrës si zona ku mbillej drogë, por viti 2016 mund të quhet viti i kanabisit në Shqipëri për shkak të masivizimit në të gjithë vendin.

Sipas Policisë së Shtetit janë shkatërruar më shumë se 2,5 milionë rrënjë, 5204 parcela janë identifikuar me ndihmën e palës italiane.

Ndërkohë dimri ka mbërritur edhe në Shqipëri. Kjo do të thotë, se nuk raportohet më për shkatërrim të parcelave të kanabisit, por më shumë për konfiskimin e drogës. ‘Të vjelat’ kërkojnë rrugëdaljen përmes Adriatikut drejt Italisë, e shtigjeve tokësore drejt Malit të Zi e Serbisë për të kaluar pastaj në Evropë.