Kosova

Valon Behrami rrëfen rrugëtimin nga Kosova në futbollin elitar në librin “Ylli i Futbollit”

Behrami flet edhe për periudhën e luftës në Kosovë në librin “Ylli i Futbollit”

Bëhet e ditur se më 18 gusht do të publikohet libri “Ylli i Futbollit” i autorit Andreas Boni, që sjell rrëfime të hapura nga yjet e futbollit. Në mesin e tyre është edhe ish-mesfushori zviceran Valon Behrami, i cili ndan përvojat e tij nga fëmijëria dhe karriera, transmeton albinfo.ch.

Behrami tregon për largimin e familjes së tij nga Kosova në vitin 1990 dhe për vështirësitë e mëdha që përjetuan gjatë luftës, përfshirë humbjen e të afërmve dhe pasigurinë e madhe. Futbolli, thotë ai, ishte mbështetja që e ndihmoi të integrohej në Zvicër.

Në karrierën e tij, Behrami ka luajtur në klube të njohura si Lazio, Napoli, West Ham dhe Fiorentina, duke regjistruar 83 paraqitje për kombëtaren zvicerane ndërmjet viteve 2005 dhe 2018. Ai mbetet lojtari i vetëm zviceran që ka luajtur në katër Kampionate Botërore rresht dhe është fitues i Kupës së Italisë me Napolin në 2014.

Andreas Boni, autori i librit, ka një eksperiencë 15-vjeçare në gazetarinë sportive zvicerane dhe aktualisht është kryeredaktor i “Blue Sport”.

Libri premton të sjellë rrëfime të fuqishme dhe emocionale nga futbollistë të njohur, duke ofruar një pasqyrë të veçantë në jetën dhe sfidat e tyre jashtë fushës.