Lajme

Vala e të nxehtit në Evropë, viktima në Francë, Spanjë dhe Itali

Tash e disa ditë, valë të nxehti ekstreme po godet Evropën dhe po lëviz drejt lindjes, me kërcënime për të thyer rekorde në Gjermani, ku temperaturat mund të arrijnë 40 °C – madje afër rekordit të 41.2 °C të vitit 2019, përcjell albinfo.ch.

Shumë rajone në Gjermani kanë vendosur kufizime uji për shkak të thatësirës.

Një zjarr i madh në Spanjë dhe temperaturat e larta në vende të tjera të Evropës kanë marrë gjashtë jetë të tjera, ndërsa kontinenti përvëlohet me temperatura që kalojnë 40 gradë Celsius.

Dy fermerë vdiqën kur u bllokuan nga flakët pranë qytetit Coscó në rajonin e Katalonjës në Spanjë. Autoritetet thanë se një punëtor ferme i kishte kërkuar ndihmë shefit të tij, por nuk mundi të shpëtonte ndërsa zjarri u përhap në një sipërfaqe të madhe, raporton BBC

Në Itali, dy burra vdiqën pasi u sëmurën në plazhet e ishullit të Sardenjës, dhe një burrë rreth të 80-ave vdiq nga pamjaftueshmëria kardiake, pasi shkoi në një spital në Xhenova.

Një vajzë 10-vjeçare amerikane u rrëzua dhe vdiq ndërsa vizitonte Pallatin e Versajës në jugperëndim të Parisit, thanë raportet.

Kontinenti evropian po përjeton temperatura jashtëzakonisht të larta, një fenomen që agjencia e klimës e OKB-së tha se po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë për shkak të “ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu”.