Lajme

Ushtria Zvicerane përforcon mbrojtjen ndaj dronëve

Zvicra rrit gatishmërinë ndaj kërcënimeve ajrore me teknologji kundër-dron

Përballë rritjes së incidenteve me dronë në mbarë Evropën, Ushtria Zvicerane ka ndërmarrë hapa konkretë për të forcuar kapacitetet e saj mbrojtëse. Zyrës Federale për Armatime i është dhënë mandati për të siguruar sisteme të reja kundër-dron, bëri të ditur të premten Grupi i Mbrojtjes, përcjell albinfo.ch.

Vendimi pason raportime të shumta për shfaqje të dronëve në hapësirat ajrore, përfshirë edhe mbi Aeroportin e Cyrihut, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë publike dhe ushtarake.

Sipas autoriteteve, sistemet e reja do të shërbejnë për mbrojtjen e trupave, infrastrukturës dhe pajisjeve të ushtrisë. Pajisjet janë gjysmë të lëvizshme, duke u dhënë atyre fleksibilitet për t’u përdorur edhe në operacione të tjera, siç janë ato në ndihmë të autoriteteve civile apo në misione ndërkombëtare paqeruajtëse.