Universiteti ETH i Cyrihut, numër 1 në Evropën Kontinentale

ETH i Cyrihut, zë vendin e 18 në botë. Në vendin e 35-të vjen ETH i Lozanës ndërsa në vendin e 69-të Universiteti i Gjenevës

Universiteti ETH i Cyrihut është më i miri në mesin e universiteteve të Evropës kontinentale (pa Britaninë e Madhe). QS, një institucion britanik në ranglistën e universiteteve të botës që ka bërë së fundi, në mesin e 100 uiniversiteteve më të mira të botës ka futur edhe tri universitete zvicerane.

Veç ETH të Cyrihut, në listë janë edhe ETH (Shkolla e Lartë Politeknike) i Lozanës dhe Universiteti i Gjenevës, shkruan swissinfo.ch.

Në këtë ranglistë ETH i Cyrihut zë vendin e 18 në nivel bote. Po këtë vend e ka pasur edhe në radhitjen e vitit të kaluar. Ashtu sikurse edhe një vit më parë, ranglista udhëhiqet nga universitetet angloamerikane. Universiteti i njohur elitar britanik i Cambridge është i pari, i ndjekur nga universiteti i Harvardit dhe ai Massachusetts Institute of Technology, të dytë të SHBA-së.

Deri në numrin 17, të gjitha vendet janë të zëna nga universitete e Britanisë dhe ata të SHBA-së. I 17-i është universiteti McGill i Kanadasë dhe menjëherë pas tij ai ETH i Cyrihut, që zë vendin më të lartë në Evropën Kontinentale. Në vendin e 35-të vjen ETH i Lozanës (vitin e kaluar 32) ndërsa në vendin e 69-të Universiteti i Gjenevës (vitin e kaluar 71).

Është interesante se universiteti tjetër i Cyrihut, radhitet në vendin e 106 (viutin e kaluar 101), Universiteti i Lozanës në vendin 136 (vitin e kaluar 152) etj.

Lista e përpiluar nga QS bazohet në gjashtë indikatorë të cilët i përfshin në anketat që ua dërgon 33.000 akademikëve dhe 16.000 punëdhënësve në mbarë botën.