Sporte Luftarake

Kampion boksi, master në ekonomi dhe ekspert në kompaninë globale: Ukë Smajli

Përveç titujve në boks, ai tani ka një diplomë master në ekonomi nga Universiteti i Cyrihut dhe punon si konsulent i lartë për kompaninë globale EY (Ernst & Young)

Pa ditur asnjë fjalë gjermanisht dhe me një histori arratisjeje në bagazhin e tij jetësor, kampioni i tetëfishtë zviceran i sotëm në boks ka filluar shkollën në Cyrih në fillim të mijëvjeçarit. Në moshën 5-vjeçare ai ishte një nga pothuajse 50,000 refugjatët që emigruan në Zvicër gjatë krizës ballkanike të viteve 1996-2000.

Ukë Smajli tani ka një diplomë master në ekonomi nga Universiteti i Cyrihut dhe punon si konsulent i lartë për kompaninë globale EY (Ernst & Young).

Duke e intervistuar për albinfo.ch, ne shohim tek ai një karrierë integruese në ngritje dhe duam të mësojmë nga ai se si mund të arrihet suksesi në shkollë, pavarësisht rrethanave të pafavorshme dhe çfarë lidhje ka receta e suksesit e Smajlit me atë të vëllezërve Klitschko.

Albinfo.ch: Zoti Smajli, a mund të bëni një përmbledhje të shkurtër të karrierës suaj dhe të na tregoni se çfarë ju motivoi të shkoni në shkollë të mesme dhe më vonë të orientoheni edhe në boks?

Ukë Smajli: Unë punoj në Ernst & Young si Konsulent i Lartë, ekipi im dhe unë këshillojmë kompanitë në sektorin financiar për çështje strategjike që lidhen me transformimin. Para kësaj, kam punuar në menaxhimin e aseteve, ndërkohë që kam kryer masterin tim në ekonomi në Universitetin e Cyrihut.

Për të shkuar në gjimnaz kisha vendosur në kohën që po zgjidhja një profesion (praktikë), pas kryerjes së ciklit të lartë të fillores. Si adoleshent, koha kur duhej zgjedhur profesionin ishte thelbësisht e pakënaqshme  për mua, sepse nuk doja të vendosja që atëherë se çfarë do të bëja më vonë. Kjo më motivoi të vazhdoja shkollën, në mënyrë që të mund të studioja në universitet nëpërmjet shkollës kantonale (gjimnazit). Me një arsim të lartë (terciar) shpresoja të siguroja një arsimim  më të gjerë profesional dhe një punë të sigurt. Por unë doja parimisht edhe një diplomë universitare për të ngjitur shkallët shoqërore.

Megjithatë unë e konsideroj shumë më të rëndësishme pyetjen se përse arrita të vazhdoj në këtë rrugë sesa pyetjen përse e nisa. Nga njëra anë kam arritur nota shumë të mira shkollore me zell të hekurt, nga ana tjetër kureshtja ime për më shumë njohuri ishte pothuajse e pangopshme. Këtë të fundit do ta cilësoja si shtytësin kryesor të suksesit tim në shkollë.

Magjepsja për boksin më pushtoi gjatë një mbrëmjeje të zakonshme televizive, ku pashë një nga vëllezërit Klitschtko duke luftuar në ringun e boksit. Hera e parë që u ngjita vetë në ringun e boksit ishte në vitin 2011, gjatë vitit tim të fundit në Kantonsschule Zürich Birch (sot KZN). I shtyrë nga kurioziteti, doja që me çdo kusht të zbuloja se si është të jesh i fortë. Doja të provoja diçka të re me boksin dhe në atë kohë nuk e imagjinoja që pas 140 ndeshjeve do të isha 8 herë kampion i Zvicrës. Arritjet e mia sportive më mbushin me krenari, sepse më mundësuan të përfaqësoj Zvicrën ndërkombëtarisht në ringun e boksit, si në Kampionatin Evropian dhe më vonë edhe në Botëror, në peshën time. Me statusin e refugjatit mu mohua boksi në nivel ndërkombëtar për një kohë të gjatë, vetëm pas natyralizimit tim në vitin 2013 mu bë e mundur që të luftoja jashtë vendit.

Albinfo.ch: Vetëm në moshën 19-vjeçare u bëtë qytetar me të drejta të plota në Zvicër? A do të thotë kjo gjithashtu se ju është dashur t’i kaloni pushimet verore ekskluzivisht në Zvicër dhe jo në atdheun tuaj të parë?

Ukë Smajli: Po, ashtu është. Pushimet verore për mua si adoleshent ishin relativisht të vështira dhe zhgënjyese. Sepse në lagjen ku jam rritur ka pasur vetëm nga një zviceran në çdo klasë. Është e lehtë të imagjinohet se sa e shkretë dukej lagjja në verë. Por nga ana tjetër, unë dhe vëllai im mësuam se si të argëtohemi me orë të tëra me një frisbee. Në atë kohë nuk doja asgjë më shumë sesa të vizitoja të afërmit e mi “poshtë” në Ballkan si bashkëmoshatarët e mi dhe të kaloja verën me ta. Por suksesi shkollor dhe performanca e lartë në sport nuk u mjaftuan autoriteteve. Në letër unë isha ende vetëm një “azilkërkues i pranuar përkohësisht”. Kjo temë më ka preokupuar për një kohë të gjatë dhe ka ndikuar shumë negativisht në perceptimin tim për Zvicrën në atë kohë. Sot mund t’i kuptoj më mirë këto procese politike, por si mund t’i shpjegoni një adoleshenti që nuk lejohet të bëjë pushime me të drejta të barabarta?

Albinfo.ch: Le të ndalojmë pak te termi zviceran-kosovar. Si e përkufizoni ju aktualisht këtë term?

Ukë Smajli: Më shqetëson ky term për një sërë arsyesh. Etnikisht kam prejardhje shqiptare dhe jam shtetas zviceran. Këto nuk janë cilësi të papajtueshme në kohën tonë, ka edhe shtetas zviceranë, prindërit e të cilëve janë me prejardhje si shqiptare, ashtu edhe zvicerane. Së dyti, kjo shprehje krijon një distancë midis kulturave. Cili person që i pëlqen të jetë pjesë e shoqërisë do të donte të perceptohej si diçka e huaj vazhdimisht dhe të etiketohej në përputhje me rrethanat?

Por unë gjithashtu e kuptoj se është në natyrën e njeriut të bëjë dallime midis grupeve të ndryshme të shoqërisë. Përpjekjet e furishme nga anë të ndryshme të shoqërisë, për përfshirje, (inkluzion) e bëjnë të qartë këtë. Ndihem sikur i përkas të dy vendeve, por ajo që mund të them me siguri është se Cyrihu është shtëpia ime. Për mua, e vetmja masë që ka rëndësi për integrimin social është performanca personale. Jepni kontributin tuaj në shoqëri dhe shoqëria bëhet pjesë e juaja. Pra, duhet ta fitoni dhe të besoni se perceptimi skeptik ndaj nesh do të zhduket dalëngadalë. Perceptimi aktual publik për diasporën shqipfolëse në Zvicër ka bërë përparim të jashtëzakonshëm. Qoftë në fusha të ndryshme profesionale, në sport apo në muzikë, ne jemi të përfaqësuar në të gjithë Zvicrën si qytetarë pozitivë të kësaj shoqërie. Kjo është gjithmonë çështje qëndrimi dhe motivimi. Por për “kosovarët zviceranë” të së nesërmes ka çdo arsye për të qenë të sigurt për të ardhmen.

Albinfo.ch: Çfarë këshille do t’u jepnit nxënësve me prejardhje refugjatësh sot për karrierën e tyre të ardhshme shkollore?

Ukë Smajli: Unë do t’u thosha që të lexojnë patjetër libra. Zotërimi i gjuhës jo vetëm që u mundëson atyre të komunikojnë më mirë nevojat e tyre, por krijon më shumë afërsi me personin tjetër dhe më vonë përcjell profesionalizëm.

Pika e dytë është mjedisi. Është e domosdoshme që fëmijët e familjeve të pafavorizuara nga ana arsimore ta kompensojnë këtë nëpërmjet kontaktit me fëmijët e klasave të tjera shoqërore.

Këshilla ime e tretë është: Qëndroni të uritur për dije! Fëmijët që (ende) nuk flasin gjermanisht kanë një mungesë njohurish në krahasim me bashkëkohësit e tjerë dhe thjesht duhet të investojnë më shumë kohë në shkollë për të arritur në të njëjtin nivel njohurish si shokët e tyre të shkollës.

Intervistoi: Driter Gjukaj