Futboll

UEFA: Kosova synon kualifikimin në një ngjarje madhore

“Synimi i Kosovës është kualifikimi i parë në një ngjarje të madhe dhe selektori gjerman i saj, Franco Foda, trimërohet nga seria prej pesë ndeshjeve pa humbje, tri fitore e dy barazime”, ka shkruar UEFA

UEFA ka shkruar për ndeshjet gjysmëfinale të play-offit evropian të kualifikimeve për Kupën e Botës në futboll.

Janë 16 përfaqësuese evropiane që garojnë për katër bileta  për Botërorin që mbahet në SHBA, Kanada e Meksikë në verë. Janë katër “rrugë” me nga katër përfaqësuese, që e japin nga një ekip të Botërorit.

Faqja zyrtare e UEFA-s, përkatësisht Konfederatës Evropiane të Futbollit, ka bërë një prezantim të shkurtër të të gjitha ndeshjeve.

“Synimi i Kosovës është kualifikimi i parë në një ngjarje të madhe dhe selektori gjerman i saj, Franco Foda, trimërohet nga seria prej pesë ndeshjeve pa humbje, tri fitore e dy barazime”, ka shkruar UEFA, transmeton albinfo.ch.

Për Sllovakinë, sipas UEFA-s, është e rëndësishme që ta ketë ekipin e gatshëm për lojë, pas telasheve me lëndime.

Serinë prej pesë ndeshjeve pa humbje, Kosova e realizoi në kualifikimet e rregullta për Botëror. Pas humbjes së thellë nga Zvicra në ndeshjen e parë, në vjeshtë Kosova kishte dy fitore me Suedinë, një barazim dhe një fitore me Slloveninë dhe një barazim me Zvicrën. Falë këtyre rezultateve e siguroi plejofin.

Për herë të parë në plejof për kualifikim në Botëror është edhe Shqipëria. Kuqezinjtë të enjten mbrëma në Varshavë luajnë ndaj Polonisë. Ukraina – Suedia është gjysmëfinalja tjetër e “rrugës B”. Ukraina dhe Suedia, si fituese e humbëse, do të jenë nikoqire në ndeshjet e 31 marsit. Ukraina, për shkak se po përballet me pushtimin rus, si vendase luan në Valencia të Spanjës.

Shqipëria e Polonia janë takuar shpesh së fundmi. Në kualifikimet për Euro 2024, ku Shqipëria mori pjesë, ndeshja në Tiranë kishte përfunduar 2:0 për kuqezinjtë, kurse ajo në Varshavë u mbyll 1:0 për polakët.

Historia e favorizon Poloninë, që ka dhjetë fitore ndaj Shqipërisë, tri barazime e dy humbje. Por Shqipëria udhëton me shpresa të mëdha.