Lajme
UBS fillon migrimin e klientëve zviceranë të Credit Suisse
Dy vjet pas blerjes së gjigantit bankar Credit Suisse, UBS ka nisur një fazë historike të bashkimit të dy institucioneve: migrimin e llogarive të klientëve zviceranë. Pas testimeve paraprake në Azi, transfertat e para tashmë kanë filluar në Zvicër, duke shënuar një hap vendimtar në integrimin e dy bankave, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.
Françesko Vadala, një punonjës afatgjatë i Credit Suisse, ishte ndër klientët e parë që përjetoi këtë kalim. Gjatë një fundjave në mes të qershorit, llogaria e tij u transferua në UBS pa ndërhyrje nga ana e tij. Megjithatë, edhe pse procesi kaloi pa probleme teknike, ai pranon se kishte dyshime dhe pasiguri për sigurinë e fondeve dhe aksesin në dokumentet e mëparshme të e-banking. “Na lindën pyetje teknike – a do të jenë paratë në llogari të hënën? A do të kenë dokumentet e vjetra ende qasje?”, shprehet ai. Por komunikimi i rregullt nga banka në muajt janar, mars dhe qershor ndihmoi në qetësimin e klientëve.
Ndërkohë, migrimi po ndodh në mënyrë të pjesshme. Nëna e Franceskos, për shembull, sapo ka marrë një letër që e njofton për transferimin e ardhshëm të llogarisë së saj.
UBS shprehet e kënaqur me ecurinë e fazës së parë. “Në tremujorin e dytë të vitit 2025, kemi migruar me sukses një valë të parë të rëndësishme marrëdhëniesh me klientët në Zvicër”, thuhet në një deklaratë të bankës. Objektivi i saj është që migrimi të përfundojë plotësisht deri në fund të tremujorit të parë të vitit 2026, transmeton albinfo.ch.
Por një operacion i këtij përmasash, që përfshin mbi 1.3 milion klientë, nuk është pa rreziqe. Avokati Henri Corboz, ekspert i ligjit bankar, paralajmëron se mashtruesit mund të përpiqen të përfitojnë nga kjo periudhë e ndjeshme duke u paraqitur si përfaqësues të UBS për të mashtruar klientët. “Ka një rrezik real që klientët të kontaktohen nga mashtrues me pretekstin e ndihmës për migrimin”, thotë ai.
Gjithashtu, Corboz thekson rrezikun e mundshëm të humbjes së të dhënave dhe sfidën e ruajtjes së reputacionit të UBS dhe të të gjithë qendrës financiare zvicerane. “Ky nuk është një kalim i zakonshëm teknik. Është një operacion i ndërlikuar që ndikon në të gjithë industrinë financiare të vendit”, vëren ai.
Ndërsa në të kaluarën ka pasur bashkime bankash në Zvicër, ekspertët e konsiderojnë këtë si një prej më të ndërlikuarve për shkak të kompleksitetit dhe gamës së shërbimeve që ofronte Credit Suisse. Për UBS, kjo është një provë e madhe që do të ndikojë jo vetëm në pozicionin e saj, por edhe në besimin e përgjithshëm ndaj sektorit bankar zviceran, transmeton albinfo.ch.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Samiti i Diasporës Shqiptare rikthehet me edicionin e katërt Më 14–15 prill 2026 mbahet Samiti IV i Diasporës Shqiptare... -
Duartrokitet shfaqja e filmit “Shame and Money” të Visar Morinës në Amerikë -
Hamburg
Promovohet libri “Skënderbeu – Një hero arbëror i Evropës” më 7 shkurt në Hamburg -
Diaspora
Diaspora rrit të ardhurat e Kosovës +4% më shumë në vitin 2025 -
Itali
Brilant Milazimi përfaqëson Kosovën në Bienalen e Venecias 2026
Jeta në Austri
-
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro Vjena pret që deficiti buxhetor i vitit 2025 të arrijë në total 2.8 miliardë euro, 1... -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale -
Vjena planifikon shtëpi të mbyllura në grup për shkelësit e përsëritur nën moshën 14 vjeç -
Austri
Rinesa Salijaj nga Istogu, kandidate për Asamble Komunale në St.Pölten të Austrisë -
Pranon fajin në tërësi: Tre vjet e gjysmë burg për kosovarin










