Kosova

U bë jetësimi i skulpturës së Nexhmije Pagarushës në fshatin e saj

Ikona e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha “rikthehet” sot në fshatin e saj të origjinës në Pagarushë të Malishevës, me shtatore bronzi, transmeton albinfo.ch.

Vlen të theksohet se punimi i kësaj skulpture është realizuar nga Agon Qosa.

Aktivitetet filluan që nga ora 10:00 me nderime te varri i saj në Pagarushë, me pas u zbulohua bustit dhe në fund në Shtëpinë e Kulturës “Tahir Sinani”, në Malishevë do të jepet një shfaqje kulturore e artistike.

Ky aktivitet u organizua nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, në bashkëpunim me komunitetin e fshatit Pagarushë.

“Jetësimi i kësaj vepre të madhe po bëhet edhe falë kontributit të jashtëzakonshëm të banorëve të fshatit Pagarushë, miqve e dashamirëve të familjes së madhe Pagarusha, nga të gjitha trevat shqiptare, dhe për këtë, qeverisja jonë komunale u është mirënjohës thellësisht”, ka shkruar kryetari i komunës, Ekrem Kastrati.

“Bilbili i Kosovës” Nexhmije Pagarusha lindi më 7 maj 1933 ndërsa u shua me 7 shkurt 2020. Ajo ishte një këngëtare dhe aktore shqiptare, ndërsa konsiderohet edhe si “mbretëresha e muzikës shqiptare”, e cila këndoi me përkushtim rreth 40 vjet.