Lajme

Turqit përzënë bizneset nga Aeroporti

Ngritja astronomike e çmimeve për reklamim dhe shfrytëzim të hapësirës në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ka detyruar të largohen bizneset serioze nga ky vend strategjik.

Përveç reklamimit edhe pagesa e qirasë së zyrave nuk i ka shpëtuar “inflacionit” galopant. Sipas këtyre burimeve, më herët qiraja mujore për metër katror ka qenë 59 euro plus TVSH-së, ndërsa tashmë qiraja e një metri katror është hiç më pak se 200 apo 250 euro plus TVSH, apo një ngritje e çmimeve prej më shumë se 400 për qind.

Në anën tjetër, zyrtarët e Aeroportit nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës, pavarësisht premtimeve të vazhdueshme nga zyrtarët për informim se një gjë të tillë do ta bëjnë gjatë ditës së mërkurë.

Ndër të parat që ka vendosur t’i tërheqë reklamat dhe ta boshatisë zyrën në hapësirat e aeroportit është banka me nam austriake “Reiffeisen Bank”. Kjo për shkakun e ndryshimit të kontratës nga menaxhmenti i aeroportit.

Për dallim nga biznesi privat, kompania publike në vend, Postë Telekomi i Kosovës (PTK) e sheh ende të leverdishëm funksionimin e pikës dhe vendosjes së reklamave në Aeroport, pavarësisht ngritjes së çmimit.