Lajme

Turqia bën thirrje për unitet mysliman kundër planit të Izraelit për Gazën

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, ka bërë thirrje të fortë vendeve myslimane që të veprojnë të bashkuara për të kundërshtuar planin e Izraelit për të marrë nën kontroll Qytetin e Gazës. Deklarata erdhi pas takimeve të zhvilluara këtë të shtunë në Egjipt me homologun egjiptian, Badr Abdelatty, dhe presidentin Abdel Fattah al-Sisi.

Ankaraja dhe Kajroja dënuan njëzëri planin, duke e cilësuar atë si pjesë të një politike “gjenocidale dhe ekspansioniste” të Izraelit. Sipas Fidanit, ky hap synon dëbimin e palestinezëve nga toka e tyre përmes urisë dhe pushtimit të përhershëm të Gazës.

“Vendet nuk kanë më asnjë arsye për ta vazhduar mbështetjen ndaj Izraelit,” – theksoi shefi i diplomacisë turke, duke paralajmëruar se situata paraqet rrezik jo vetëm për palestinezët, por edhe për stabilitetin e të gjithë rajonit.

Izraeli ka mohuar akuzat se po shkakton krizë urie, duke deklaruar se lufta mund të marrë fund nëse grupi militant palestinez Hamas, i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE, dorëzohet.

Abdelatty nga ana e tij tha se planet izraelite janë “të papranueshme” dhe se ka pajtueshmëri të plotë me Turqinë për çështjen e Gazës. Ai iu referua gjithashtu deklaratës së Komitetit Ministror të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OIC), e cila dënoi planin dhe e cilësoi si “një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare” që rrezikon çdo perspektivë për paqe.

OIC i ka bërë thirrje fuqive botërore dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së të ndërmarrin veprime urgjente për të ndalur zbatimin e planit, duke kërkuar gjithashtu mbajtjen përgjegjës të Izraelit për shkeljet e ligjit ndërkombëtar.

Ndërkohë, Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara po vijojnë përpjekjet ndërmjetësuese për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, pa rezultate konkrete deri më tani.