Lajme

Tularemia godet Kosovën

Institutin Kombëtar i Shëndetit Publike ka shpallur në shkallë vendi epideminë e tularemisë. Brenda 15 muajve, janë regjistruar 206 raste të tularemi

Nga 1 janari 2014 deri më 10 shkurt 2015 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP) janë regjistruar 206 raste të tularemisë apo siç njohen në opinion gugat. Këto shifra kanë shtytë Institutin Kombëtar të shpallë në shkallë vendi epideminë e tularemisë.

“Duke pasur parasysh situatën aktuale epidemiologjike, Komiteti për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, në nivel të Ministrisë së Shëndetësisë ka shpallur epidemi në shkallë Kosove duke aktivizuar të gjitha ekipet e terrenit në parandalimin e rasteve të reja të sëmundjes”, thuhet në njoftimin e IKSHP-së.

Sipas IKSHP-së, brenda 15 muajve (1 janari 2014-10 shkurt 2015), në IKSHP janë raportuar gjithsej 206 raste të tularemisë (11.35 në 100 mijë banorë). Situata epidemiologjike, sipas infektologëve, është në kontroll të vazhdueshme nga ekipet kujdestare.

Ky numër, sipas IKSHP-së krahasuar me vitin 2013 (22 raste ose 1.2 në 100 mijë banorë), tregon rritje të lartë të numrit të rasteve. Ky trend i rritjes, po vërehet edhe në janar të vitit 2015. Deri sot nuk është raportuar se ka pasur ndonjë vdekje nga sëmundja e tularemisë.

Rastet e tularemisë janë regjistruar në 19 komuna, me 88 vatra. Ndërsa komunat me më shumë të sëmurë nga tularemia janë në Vushtrri, Obiliqi dhe Skenderaj ndërsa me incidencë më të ulët janë komuna e Prizrenit, dhe Suhareka.

Ndryshe, rruga e përhapjes së sëmundjes është uji i puseve dhe ushqimi i ruajtur në mënyrë jo adekuate, si dhe kontakti me gjësende të kontaminuara. Prandaj Instituti i Shëndetit Publik iu rekomandon qytetarët që të kenë kujdes nga këto rrugë të përhapjes së infeksionit.

Nga viti 1999 deri më sot janë raportuar 1469 raste të sëmundjes të cilat kryesisht kanë qenë sporadike. Përndryshe, që nga viti 1999-2001, rastet e tularemisë janë regjistruar në tërë territorin e Kosovës dhe nga kjo periudhë, Kosova është zonë endemike me këtë sëmundje.

Tularemia është sëmundje kryesisht e kafshëve, posaçërisht e brejtësve, në kushte natyrore sëmundja shfaqet te më shumë se njëzet lloje kafshësh të egra dhe shtëpiake. Sëmundja bartet në njerëz përmes ujit, ushqimit të kontaminuar, ajrit të ndotur dhe me rriqrave.