Lajme
Ballafaqimi i fëmijëve me jetën, në fokus të tryezës së shoqatës “Parandalo”
Si të forcojmë fëmijët përballë jetës: Shoqata “Parandalo” nga Cyrihu zhvilloi një tryezë reflektuese mbi reziliencën dhe komunikimin në familje

Nën moton “Të fortë që në fëmijëri – Si mësojnë fëmijët të përballen me jetën”, më 19 tetor 2025 Shoqata “Parandalo” organizoi në Cyrih një tryezë diskutimi kushtuar zhvillimit emocional të fëmijëve dhe mënyrave për të ndërtuar qëndrueshmërinë e tyre psikologjike.
Takimi u mbajt në ambientet e GZ Oerlikon dhe mblodhi së bashku prindër, profesionistë të shëndetit, mësues dhe anëtarë të komunitetit, të interesuar për të kuptuar më thellë proceset që formësojnë botën e brendshme të fëmijëve.
Ngjarja u organizua në kuadër të nismave sensibilizuese të Shoqatës Parandalo, me qëllim forcimin e ndërgjegjësimit për shëndetin mendor të fëmijëve dhe parandalimin e vështirësive emocionale në mjedisin familjar e shoqëror.
Në këtë aktivitet morën pjesë Dr. Xhida Lumi, psikiatre dhe psikoterapiste për fëmijë, të rinj dhe familje, si dhe Dr. Xhevat Hasani, mjek dhe anëtar i bordit të Shoqatës “Parandalo”.
Takimi u drejtua nga Drita Ibrahimi Shabani, moderatore dhe përgjegjëse e Shoqatës për rajonin e Bazelit, e cila udhëhoqi me profesionalizëm rrjedhën e diskutimit, duke krijuar një hapësirë dialogu të hapur dhe frymë bashkëpunuese.
Në fjalën e saj, Dr. Xhida Lumi theksoi rëndësinë e viteve të para të jetës si periudha më e ndjeshme për zhvillimin e qëndrueshmërisë emocionale tek fëmijët.
Ajo foli mbi faktorët mbrojtës që ndikojnë në formimin e reziliencës, si lidhjet e sigurta me kujdestarët, aftësia për të shprehur emocionet dhe ndjenja e vetë-efikasitetit, duke vënë theksin te roli jetik i prindërve dhe mjedisit social.
“Rezilienca tek fëmijët nuk është një cilësi e lindur, por një proces që ndërtohet hap pas hapi – në marrëdhënie të sigurta, në dashuri të qëndrueshme dhe në një mjedis që dëgjon e mbështet,” – theksoi Dr. Lumi.
“Fëmijët mësojnë të përballen me sfidat e jetës kur ndihen të pranuar dhe kur emocionet e tyre vlerësohen, jo gjykohen. Të ndihmosh një fëmijë të zhvillojë reziliencë, do të thotë të mbjellësh besim, qëndrueshmëri dhe aftësi për të gjetur dritë edhe në situatat më të vështira.”
Sipas saj, edukimi emocional është pjesë thelbësore e kujdesit prindëror dhe një investim afatgjatë në mirëqenien e brezave që rriten në një shoqëri gjithnjë e më të ndërlikuar.
Duke e thelluar diskutimin, Dr. Xhevat Hasani solli në vëmendje aspektin më pak të dukshëm, por shpesh më të fuqishëm të përvojës njerëzore – traumat që transmetohen nga brezi në brez dhe ndikimin e tyre në zhvillimin emocional të fëmijëve.
Ai theksoi se shumë prindër, shpesh pa e kuptuar, bartin me vete ngarkesa të pashëruara që më pas shfaqen në mënyrën si komunikojnë, si reagojnë dhe si i përballojnë situatat e vështira me fëmijët.
“Traumat nuk janë gjithmonë të dukshme, por ndikimi i tyre ndjehet në heshtje, në reagime, në frikëra apo në mungesën e komunikimit të hapur,” – u shpreh Dr. Hasani.
“Është thelbësore që prindërit të mësojnë të flasin hapur me fëmijët për sfidat, për ndjenjat dhe për realitetet e jetës. Të folurit me sinqeritet, pa frikë e pa tabu, krijon besim dhe u jep fëmijëve ndjesinë e sigurisë që u nevojitet për t’u përballur me botën.”
Ai theksoi se ndërtimi i një kulture komunikimi të shëndetshëm në familje është mënyra më efikase për të parandaluar izolimin emocional dhe për të nxitur empatinë e ndjeshmërinë tek brezat e rinj.
Pyetje, reflektime dhe bashkëbisedim i hapur
Diskutimi ngjalli interes të madh nga të pranishmit, shumë prej të cilëve ishin prindër apo profesionistë që punojnë me fëmijë.
Ata shtruan pyetje konkrete rreth mënyrave për të përballuar stresin, ankthin dhe pasiguritë që shfaqen në përditshmërinë e fëmijëve, duke kërkuar këshilla praktike mbi rolin e komunikimit, dëgjimit aktiv dhe mbështetjes emocionale.
Ngjarja përfundoi me një aperitiv të ngrohtë, ku bisedat vazhduan në mënyrë miqësore, duke forcuar ndjenjën e komunitetit dhe solidaritetit prindëror.
Shoqata Parandalo është një nismë e rëndësishme në fushën e shëndetit publik dhe ndërgjegjësimit familjar në diasporën shqiptare në Zvicër.
Përmes aktiviteteve të saj, ajo synon të nxisë edukimin shëndetësor, parandalimin e fenomeneve sociale dhe krijimin e një rrjeti mbështetës për familjet shqiptare që përballen me sfida të ndryshme jetësore.
Takimi i radhës: “Shëndeti mendor dhe migrimi – I”
Shoqata “Parandalo” njofton se moduli i radhës informativ do të mbahet më 23 tetor 2025, nga ora 18:30 deri në 20:00, në Mittenza Saal, Hauptstrasse 4, 4132 Muttenz.
Tema e këtij takimi do të jetë “Shëndeti mendor dhe migrimi – I (Psyche und Migration – I)”, me Dr. med. Xhida Lumin, psikoterapiste për fëmijë, të rinj dhe familje, dhe Drita Ibrahimin, moderatore dhe përgjegjëse e Shoqatës Parandalo për Basel.
Ky aktivitet, i mbështetur nga Basel Landschaft, KIP dhe Café International, do të trajtojë ndikimet emocionale të migrimit, sfidat e përshtatjes dhe mënyrat për të ruajtur ekuilibrin mendor në jetën e migruesve.
Shoqata Parandalo pret me kënaqësi pjesëmarrjen e anëtarëve dhe miqve të saj në këtë takim të radhës, që synon të forcojë dialogun, mirëkuptimin dhe kujdesin për shëndetin mendor në familjet tona.
Për Albinfo.ch Luljeta Ademi
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Britani
Çifti Bujupi fiton 600 mijë euro në lotarinë britanike: Do ta ndihmoj nënën në Kosovë Fat i madh për çiftin Bujupi në Britani: 600 mijë euro në loto...
-
Orkestra Simfonike e TKOBAP-së mahnit në Festivalin “Respighi Bologna 2025”
-
Bern
Shoqata “Bashkimi” në Bern organizon festë për 28 Nëntorin
-
Kosova, e vetmja përfaqësuese e librit shqip në Panairin e Frankfurtit
-
Ekspozitë: “Migracioni – E ardhmja në retrospektivë”
Jeta në Austri
-
Kërkesat për azil në Austri bien me 32% në vitin 2025 Austria regjistroi 13,032 kërkesa për azil në vitin 2025, një rënie prej 32% krahasuar me të...
-
Vjenë: 200 ankesa të paraqitura kundër supermarketeve për zbritje mashtruese
-
Mashtrues në Vjenë: Paraqiten si punonjës uji për të vjedhur apartamente
-
Tronditëse: Foshnje e porsalindur gjendet e vdekur në çatinë e një garazhi në Graz
-
Rregulla të reja për punonjësit e pavarur në Austri nga viti 2026