Lajme

Trump thotë se Izraeli ka rënë dakord me një armëpushim 60-ditor në Gaza

Trump i bën thirrje Hamasit të pranojë propozimin për armëpushim 60-ditor

Së fundmi, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u bëri thirrje militantëve të Hamasit, grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera, që të bien dakord me atë që e cilësoi si “propozim përfundimtar” për armëpushim 60-ditor me Izraelin në Gazë, përcjell albinfo.ch.

“Shpresoj, për të mirën e Lindjes së Mesme, që Hamasi ta pranojë këtë marrëveshje, sepse nuk do të bëhet më mirë, vetëm do të përkeqësohet”, shkroi Trump në platformën sociale Truth Social.

Ai shtoi se Izraeli është pajtuar me kushtet për të finalizuar armëpushimin 60-ditor, gjatë të cilit, siç tha, “ne do të punojmë me të gjitha palët për t’i dhënë fund luftës”.

Trump tha se propozimi do t’i dorëzohet Hamasit nga përfaqësues të Katarit dhe Egjiptit.

Sipas tij, propozimi doli pas një takimi “të gjatë dhe produktiv” në lidhje me Gazën, midis përfaqësuesve të tij dhe zyrtarëve izraelitë.

Ai nuk i identifikoi përfaqësuesit e tij, por i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe zëvendëspresidenti JD Vance duhej të takoheshin më 1 korrik me Ron Dermerin, këshilltar i lartë i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në Uashington.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha më 30 qershor se Trump dhe zyrtarët e administratës janë në komunikim të vazhdueshëm me udhëheqjen izraelite dhe se përfundimi i konfliktit në Gazë është përparësi për presidentin.

“Është rrëqethëse t’i shohësh pamjet që kanë dalë nga Izraeli dhe Gaza gjatë kësaj lufte, dhe presidenti dëshiron që ajo të përfundojë. Ai dëshiron të shpëtojë jetë”, tha Leavitt.

Propozimi i SHBA-së kërkon gjithashtu lirimin e gjysmës së pengjeve nga Hamasi, në këmbim të të burgosurve palestinezë dhe mbetjeve mortore të palestinezëve të tjerë.

Trump u tha gazetarëve më herët se shpreson që marrëveshja për pengjet të arrihet javën e ardhshme midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit në Gazë.

Ai do të takohet me Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë më 7 korrik.

Trump u tha gazetarëve se do të jetë “shumë i prerë” me Netanyahun për nevojën e një armëpushimi të menjëhershëm në Gazë, duke shtuar se edhe vetë Netanyahu dëshiron që lufta të ndalet.

“Shpresojmë që kjo të ndodhë. Mezi presim që kjo të ndodhë javën tjetër. Duam t’i nxjerrim pengjet”, tha Trump.

Vizita e Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë do të jetë e treta e tij që kur Trump u rikthye në detyrë në muajin janar.

Kjo vizitë vjen pas vendimit të Trumpit për t’u bashkuar me luftën e Izraelit kundër Iranit, duke sulmuar centralet bërthamore iraniane.

Pasi ndërmjetësoi një armëpushim mes këtyre dy vendeve, Trump sinjalizoi se tani është duke e përqendruar vëmendjen te përpjekjet për t’u dhënë fund luftimeve mes Izraelit dhe Hamasit.

Hamasi tha se është i gatshëm t’i lirojë pengjet e mbetura në Gazë, në kuadër të çdo marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës, ndërsa, sipas Izraelit, lufta mund të përfundojë vetëm nëse Hamasi çarmatoset dhe shpërbëhet.