Lajme
Trump emëron Elon Musk në krye të një departamenti të ri

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, do të emërojë Elon Muskun në një rol që synon të krijojë një qeveri më efikase, duke i dhënë edhe më shumë ndikim njeriut më të pasur në botë, i cili dhuroi miliona dollarë për të ndihmuar Trumpin që të fitonte zgjedhjet presidenciale, përcjell albinfo.ch.
Musk dhe ish-kandidati republikan për president, Vivek Ramaswamy, do të drejtojnë së bashku një Departament të sapokrijuar për Efikasitetin e Qeverisë, entitet që sipas Trumpit, do të operojë jashtë ekzekutivit amerikan.
Përmes një deklarate, Trump tha se Musk dhe Ramaswamy “do t’i mundësojnë administratës sime që të zhdukë burokracinë qeveritare, që të zvogëlojë numrin e rregulloreve të tepërta, që të shkurtojë shpenzimet e kota dhe që të ristrukturojë agjencitë federale”.
Trump tha se ky departament i ri do të realizojë ëndrrat e kamotshme të republikanëve dhe do të ofrojë “këshilla dhe udhëzime nga jashtë Qeverisë”, duke sinjalizuar se rolet e Muskut dhe Ramaswamyt mund të jenë joformale dhe nuk do të ketë nevojë për miratimin e Senatit për emërimin e tyre. Një gjë e tillë do t’i mundësonte Muskut që të mbeste në krye të kompanisë së tij për makina elektrike, Tesla, të platformës sociale X, dhe të kompanisë së raketave, SpaceX.
Departamenti i ri do të punojë me Shtëpinë e Bardhë dhe Zyrën për Menaxhim dhe Buxhet për të “udhëhequr reformat në shkallë të gjerë dhe për të krijuar një qasje të formës sipërmarrëse” ndaj Qeverisë që nuk është parë më parë, tha Trump.
Puna e këtij departamenti, sipas Trumpit, do të përfundonte më 4 korrik 2023, në 250-vjetorin e nënshkrimit të deklaratës së pavarësisë së SHBA-së.
Musk, i listuar si personi më i pasur në botë nga revista Forbes, veçse pritej të përfitonte nga fitorja e Trumpit, pasi sipërmarrësi miliarder pritet të ushtrojë ndikim të jashtëzakonshëm për të ndihmuar kompanitë e tij dhe për të siguruar trajtim më të favorshëm nga Qeveria.
Musk ka dhënë miliona dollarë për të mbështetur fushatën e Trumpit për zgjedhjet presidenciale dhe të dy kanë pasur edhe dalje publike.
Trump i ka lidhur përpjekjet për efikasitet me Projektin Manatan, ndërmarrja e SHBA-së për krijimin e bombës bërthamore që ndihmoi në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, teksa Musk premtoi se do të ketë transparencë.
“Të gjitha veprimet e Departamentit për Efikasitet të Qeverisë do të publikohen online me transparencë maksimale”, tha Musk në X, duke i kërkuar publikut që të japë këshilla.
“Ne po ashtu do të merremi me shpenzimet mëdha të dollarëve të taksave tuaja. Do të jetë jashtëzakonisht tragjike dhe jashtëzakonisht argëtuese”, tha Musk.
Në tetor, gjatë një tubimi të Trumpit, Musk kishte deklaruar se buxheti federal mund të ulet “për të paktën” 2 trilionë dollarë. Sipas Zyrës së Buxhetit në Kongres, shpenzimet diskrecionale, përshirë shpenzimet e mbrojtjes, vlerësohet se janë 1.9 trilionë dollarë nga 6.75 trilionë dollarë sa janë shpenzimet e përgjithshme federale për vitin fiskal 2024.
“Paratë tuaja po shpërdorohen dhe Departamenti për Efikasitet të Qeverisë do ta rregullojë këtë problem”, tha Musk gjatë tubimit.
Ndërkaq, Ramaswamy është themelues i një kompanie farmaceutike. Ai kishte garuar kundër Trumpit për nominimin e republikanëve, por kur u tërhoq nga gara, ai mbështeti ish-presidentin Trump.
Në një libër të publikuar më 2021, Ramaswamy ka kritikuar vendimet e disa kompanive të mëdha që bazojnë strategjinë e tyre të biznesit rreth drejtësisë sociale dhe shqetësimeve për ndryshimet klimatike.
Ramaswamy tha se ky emërim nënkupton se ai do të tërhiqet nga synimi për t’u emëruar anëtar i Senatit në Ohajo.
E-Diaspora
-
Në pushime me fëmijën, në kohë shkolle: Kjo mund t`i kushtojë 1000 euro kosovares Ligji për Arsimin, në Bavari, thotë: “Kushdo që nuk siguron që të miturit në moshën e...
-
TECH FORUM 2025, Cyrih: Kosova dhe shqiptarët, një “superfuqi” e TI-së
-
Katër shqiptarë akuzohen për mashtrim kibernetik, dëmi: Mbi një miliard euro
-
Dr. Kaltrina Zahiti: Për një trajtim më të përgjegjshëm të syve
-
Gjermani: Arrestohet mërgimtari në trenin Euro-City, kishte dokumente false
Jeta në Austri
-
Tradita e pushimeve: Ku do të shkojnë austriakët në verën e 2025? Pavarësisht rritjes së kostove, pushimet mbeten një prioritet për austriakët në verën e 2025, edhe pse...
-
Austri: Buxheti i ri sjell rritje të ndjeshme tarifash për qytetarët
-
Pesë mënyra se si mund të kurseni para kur blini ushqim në Austri
-
Vjena sheh rritje 30% të rasteve të mbidozës së drogës tek adoleshentët
-
Gjërat që nuk mund t’i mbani në makinën tuaj në Austri