©albinfo.ch
Lajme
Trishtim dhe erë baroti në Lagjen e Trimave, 4 ditë pas përleshjeve
Erë baroti, tabllo trishtuese dhe banorë të tmerruar, është ambienti i zymtë që po mbretëron në ditën e pestë pas përleshjeve të armatosura që kishin përfshirë Lagjen e Trimave në Kumanovë.
Dëshpërim i thellë mbizotëron tek të gjitha familjet shtëpitë e të cilëve iu rrënuan dhe iu dogjën.
Sipas vlerësimeve të para të bëra nga një këshill i formuar i lagjes, janë mbi 60 shtëpi të shkatërruara, të djegura dhe disa të rrënuara në tërësi.
Ridvan Jashari, banor i lagjes dhe rrugës ku u përjetua tmerri dhe përleshjet 36 orëshe thekson për albinfo.ch se dëmi është kolateral me shtëpi të djegura e gjithçka të shkatërruar.
“Është një tmerr që ka ndodhur, sikur të ishte ndonjë cunami shkatërrues. Nuk kemi koment dhe jemi gjallë me një shpresë se do të bëhet mirë”, thekson Ridvani.
Xhevrije Shabani një nga familjaret të cilës i është djegur shtëpia thekson se ashtu siç i është bërë shkrumb shtëpia, shkrumb e ka edhe shpirtin e saj.
“Unë s`di, jam e tmerruar psikikisht dhe shpirti im është djegur e shkrumbuar ashtu siç po shikon këtë shtëpi të shkrumbuar dhe që se besoj se do të bëhet ashtu si ka qenë. Kemi investu 40 vjet në këtë shtëpi dhe sa e përfunduam para një kohe, na ndodhi kjo e zezë”, rrëfen Xhevrija, e cila jeton me bashkëshortin invalid dhe vajzën invalide dhe që me vështirësi thotë se përballonin jetën.
Ajo thotë se burri i saj sa po kishte dalë në pension dhe se deri tani kishin jetuar me ndihma sociale, por fal djalit të tyre që kishte punuar në të zezë jashtë vendit kishin arritur që të bëjnë një kulm mbi kokë.
“Ju lutem mos më fotografoni!”
Një protagonistë i storieve tmerruese është edhe Halil Shabani, 48 vjeç, i cili është i traumatizuar dhe i shmangej përgjigjeve tona. “Jo nuk dua të flas, s’kam çka flas, se pastaj këto që them i sheh policia dhe më marrin në polici. Ju lutem mos më fotografoni”, thoshte Halili, i cili është një gjendje të rëndë të traumatizuar dhe me lot në sy.
Por ai vazhdimisht përmendte fatin e vajzës së tij, e cila gjithashtu ka përjetuar këtë tmerr.
Vajza e tij Fatlinda Shabani është një nga studentet më të shkëlqyera të Fakultetit të Mjekësisë në Shkup dhe se ky është shqetësimi i Halilit dhe bashkëshortes së tij se si ta shkollojnë Fatlindën dhe si t’ia heqin të keqen nga mendja, nga përjetimet që ka parë gjatë përleshjeve të armatosura dhe brutalitetit të operacionit policor në këtë lagje të banuar me mbi 15 mijë banorë.
Artani, 10 vjeçari i lagjes ka përjetuar mëngjesin trishtues të 9 majit. Ai bashkë me familjen e tij 11 anëtarëshe ishin strukur në një nga dhomat më të thella të shtëpisë, dhe për 12 orë kishin qenë të ngujuar.
“Unë kam ndenjur aty i strukur. U frikësova shumë, as s`kisha ngrënë e pirë. Atë ditë s`jam frikësu, por tash natën po frikësohem. Por jo edhe shumë, por shokët e mi të lagjes po thonë se shumë po frikësohen”, rrëfen i humbur dhe traumatizuar Artani, nxënës i klasës së tretë.
“Po më rridhte gjak dhe nuk doja t`i shqetësoja të tjerët”
Xhaxhai i tij Malush Azemi, rreth 18 vjeç është njëri nga personat që është plagosur në mëngjesin e përleshjeve, kur një plumb e kishte goditur në krahëror, derisa po qëndronte i strehuar në dhomë.
“Jam goditur nga një plumb qorr që ka arritur me depërtu nga korridori i thellë dhe drejt e në dhomë. Momenti ishte trishtues sepse në një moment në dhomën ku ishim 12 veta, vërejta se po më rrjedh gjak dhe nuk doja ti shqetësoja të tjerët. Pas disa orëve të tmerrit të përjetuar dolën përjashta nën rrebeshin e plumbave dhe duke bërtitur për ndihmë. Policia erdhi na shtriu prapë për tokë dhe na urdhëroi që të lëvizin ashtu në flakë e rrënoja që ishin një përjetim shumë i rëndë për ne”, rrëfen Malushi.
Familja e tij është karakteristike se në këtë familje 5 anëtarë janë invalidë duke pas probleme me të pamurit (Nexhmija 82 vjeç, pastaj axhallarët e Malushit, Qamili e Qemali si dhe gratë e tyre Ajtene e Mizajete).
Malushi rrëfen me shpresë se do të bëhet më mirë. Ai vazhdon të mbetet entuziastë për një jetë më të mirë dhe më të mbarë për të mos e përjetuar kurrë këtë trishtim dhe tmerr.
Edhe familja e Shabi Hasanit nuk ishte tërhequr në mëngjesin e kobshëm të së shtunës. Gjashtë anëtarët e saj të rritur kishin shpëtur jetën për vetëm pak minuta, pasi që kishin arritur që të dalin nga bodrumi i shtëpisë, që kishte nisur të mbushej me tym të dendur nga zjarri që kishte përfshirë shtëpinë nga bombardimi i forcave maqedonase nga helikopterët.
Djalit tim i vendosën tytën e automatikut në qafë
“Në ora 4.40 krisën krismat e para dhe menjëherë ikëm në bodrumin e shtëpisë. S’dinim çtë bënim, sepse shpresonim se mos po ndalojnë. Por kur filluan granatimet dhe sulmet nga ajri, atëherë na u fut frika se çfarë po ndodhë dhe cili do të jetë fati ynë. Pas disa orëve, një granatë goditi katin e sipërm dhe kulmin e shtëpisë dhe flakët po përhapeshin. Duke para këtë tmerr urdhërova djemtë dhe anëtarët e tjerë të dalim shpejt nga bodrumi që ishte përfshirë nga tymi. Sapo dolëm, policia na ndaloi jashtë rrugës dhe na shtriu për tokë. Djalit tim i vendosën tytën e automatikut në qafë, por nuk guxonim të reagonim. Më pas na dërguan në stacionin policor në Kumanovë, ku na kanë mbajtur për rreth 24 orë, duke na pyetur se kush ishin grupi i armatosur, çka kërkonte, se a kemi parë dikë. Por ne ç`ti themi kur s`kemi pasur ndonjë lidhje, por ishin njoftuar se kishte diçka”, rrëfen Shabiu.
Janë me qindra storje trishtuese dhe të dhimbshme që mund të gjesh në rrugën e famshme, ku ishin zhvilluar luftimet e rrepta dhe granatimet e tmerrshme nga autoritetet policore maqedonase. Banorët theksojnë se janë mirë dhe se sipas tyre nuk ka viktima në mesin e civilëve.
“Të jemi shëndoshë e gjallë, se tjerat prapë do bëhen, por dhimbjen dhe tmerrin e përjetuar asnjëherë nuk do ta harrojmë. Dikush për këtë duhet të mbajë përgjegjësi dhe të jap llogari”, thonë banorët e Lagjes së Trimave në Kumanovë.
E-Diaspora
-
Dënim i përjetshëm kosovarit, për vrasjen e “dyshes” së një gruaje Një grua 23-vjeçare është therur disa herë për vdekje në mënyrë që një grua me pamje...
-
Esat Bytyqi në mesin e arkitektëve më të mirë në Austri
-
Riola e Hira, dy yjet shqiptare të pianos nga Italia
-
Astrit Krasniqi diplomon me nderime nga Akademia Policore e Nju-Jorkut
-
“Me zemër për Diasporën”, panairi i grave në Prishtinë sjell ngjyrat e traditës dhe fuqizimin ekonomik
Jeta në Austri
-
Esat Bytyqi në mesin e arkitektëve më të mirë në Austri Arkitekti shqiptar Esat Bytyqi me banim në Vjenë, është vlerësuar për dy projektet e tij, të...
-
Hendeku gjinor i pensioneve në Austri zvogëlohet pak
-
Planet për të kufizuar çmimet e ushqimeve në Austri përballen me dyshime të mëdha
-
Fiona Kabashi diplomon në Universitetin Mjekësor të Vjenës
-
Probleme me pensione invaliditeti në Austri