Lajme

Tri të katërtat e vdekjeve nga korona në Zvicër, kanë ndodhur në 5 muajt e fundit

Mbi 90 për qind e të vdekurve ishin më të vjetër se 70 vjeç dhe shumica e tyre kishin të paktën një sëmundje të mëparshme

Që nga shpërthimi i pandemisë, në Zvicër kanë vdekur mbi 9,300 njerëz në lidhje me koronavirusin. Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG) ka bërë rikapitulimin e rasteve të vdekjeve.

Nga kjo del se shumica gjegjësisht tri të katërtat e njerëzve kanë vdekur nga tetori i vitit 2020 e tutje. Rreth gjysma e tyre jetonin në shtëpi të moshuarish dhe pleqsh, shkruan agjencia e lajmeve e Zvicrës, SDA.

Kjo del nga një raport që Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG) ka publikuar të premten, transmeton albinfo.ch.

Sipas tij kanë vdekur më shumë burra (54 për qind) se sa gratë (46 përqind). Mbi 90 për qind e të vdekurve ishin më të vjetër se 70 vjeç dhe shumica e tyre kishin të paktën një sëmundje të mëparshme.

Incidenca e vdekjeve më e lartë se në Gjermani

Nga më shumë se 10,000 njerëz në kujdesin spitalor, 14 për qind janë trajtuar në njësitë e kujdesit intensiv, nga të cilët 28 për qind kanë vdekur, ërcjelkl albinfo.ch. Mosha mesatare e atyre që kanë vdekur në njësitë e kujdesit intensiv ishte 74 vjeç.

Duke parë gjithë epideminë, Zvicra raporton një incidencë vdekjesh prej 106 për 100,000 banorë, thuhet në raport. Kjo do të thotë që në Zvicër ka një incidencë më të lartë se mesatarja e vendeve evropiane (104.8). Incidenca e vdekjeve në Zvicër është pak më e lartë se në Gjermani, Austri dhe Holandë, por më e ulët se në Itali, Spanjë dhe Francë.

Dy faza të vdekshmërisë së shtuar

Vdekjet për shkak të koronavirusit kanë çuar në dy faza të vdekshmërisë së rritur në Zvicër vitin e kaluar. Zyra Federale e Statistikave (BFS) ka identifikuar një fazë të tillë në pranverë (mars / prill 2020) dhe një që nga vjeshta (fundi i tetorit 2020) deri në fund të janarit 2021.

Vdekshmëria e rritur në fazën e dytë ishte më e lartë se ajo në fazat e tjera të veçanta gjatë dhjetë viteve të fundit.

Raporti bazohet në të dhënat deri më shkurt. Në Zvicër  kanë vdekur më shumë se 9,300 njerëz në lidhje me virusin që nga fillimi i pandemisë së koronës, përecjell albinfo.ch. Personi i parë ka vdekur saktësisht një vit më parë si rezultat i sëmundjes me koronavirus.