Lajme

Tregtia e jashtme deficit mujor prej 11 milionë eurosh

Republika e Kosovës në muajin shtator ka eksportuar mallra në vlerë 24,4 milionë euro, ndërsa ka importi 230,8 milionë Euro. Eksporti mbulon importin vetëm 10.6 për qind

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Kosovës tregojnë për një deficit të theksuar tregtar gjatë muajit shtator për 11 milionë eurosh krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në muajin shtator 2015, tregtia është 206,4 milionë Euro, ndërsa në vitin 2014, ka qenë 217,3 milionë euro.

Këto të dhëna i ka publikuar sot Agjencia e Statistikave te Kosovës (ASK), në raportin mujor të eksportit dhe importit për muajin shtator 2015.

“Eksporti i mallrave në muajin shtator 2015 kishte vlerën 24,4 milionë euro, ndërsa importi 230,8 milionë euro, është një rënie prej 17.4 për qind për eksport, si dhe prej 6.5 për qind për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014”, thuhet në raportin e ASK-së.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit, 41.9 për qind të eksportit e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.7 për qind produktet minerale; 9.8 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9.5 për qind produktet bimore; 8.7 për qind plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 4.4 për qind tekstili dhe artikujt prej tij.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import, 15.8 për qind të importit e përbëjnë produktet minerale; 13.2 për qind ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12.5 për qind makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.7 për qind metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 6.6 për qind produktet e industrisë kimike…

Lidhur me eksportin dhe importin e Kosovës, partnerë kryesorë tregtarë janë vendet e BE-së, të cilat marrin pjesë me 30.8 për qind për eksport dhe 41.6 për qind për import. Ndërsa, vendet e CEFTA-së marrin pjesë me 44.5 për qind për eksport dhe 31.2 për qind për import, në raport me shtatorin e vitit 2015.

Përqindja më e madhe e eksportit ishte në Serbi 14.7 për qind, Indi 14.4 për qind, Shqipëri 13.2 për qind, Maqedoni 10.8 për qind, Belgjikë 10.1 për qind, etj. Ndërsa, sipas të dhënave, përqindja më e madhe e importit është nga Serbia 16.6 për qind, Gjermania 9.7 për qind, Italia 9.0 për qind, Turqia 8.8 për qind, Kina 8.2 për qind, Maqedonia 5.8 për qind, etj.