Lajme

Tre ministra dhe shefi i kundërzbulimit japin dorëheqje

Dorëheqje ka dhënë ministrja, Gordana Jankullovska minister e MPB-së, Mille Janakievski i Transportit, Zoran Stavreski i Financave dhe Sasho Mijalkov i ZKZ-së

Përleshjet e armatosura në Kumanovë që përfunduan me vrasjen e 22 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve, e kanë lëkundur në themel qeverinë e kryeministrit  Nikolla Gruevski. Sonte nga detyra kanë dhënë dorëheqje tre ministra të kabinetit qeveritar dhe shefi i njësisë së inteligjencës.

Siç njoftojnë burime nga Shkupi, dorëheqje ka dhënë ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mille Janakievski, ministri i Financave, Zoran Stavreski. Po ashtu dorëheqje ka dhënë edhe njeriu më i pafolur në aferën e përgjimeve, Sasho Mijalkov drejtori i Sigurimit dhe Kundërzbulimit.

Jankullovska thotë se teksa ka shërbyer në Qeverinë Gruevski, ka punuar gjithmonë për interesin e qytetarëve dhe të shtetit. Ajo nuk ka lënë pa falënderuar ish-shefin e saj të qeverisë, Nikolla Gruevski për besimin ndaj saj.

“Gjatë viteve të kaluara nuk kursyem kohën dhe energjinë duke punuar në mënyrë profesionale dhe më përkushtim gjithmonë të udhëhequr nga interesi i qytetarëve dhe mbi të gjitha nga interesat e Maqedonisë. Unë falënderoj kryeministrin për këtë besim, familjen time dhe miqtë për mirëkuptimin dhe mbështetjen” shkruan Jankullovska.

Pas dorëheqjeve të dy ministrave të qeverisë së Gruevskit, Parlamenti i Maqedonisë do të mblidhet nesër për të votuar zëvendësimin e tyre me emra të rinj. Kryeministri Gruevski i ka dorëzuar tashmë Parlamentit propozimet e reja për ndryshime në Qeveri. Për ministër të Brendshëm është propozuar Mitko Çavkov, drejtori i deritanishëm i Drejtorisë së Sigurimit Publik, ndërsa për ministër të Transportit, Vllado Misajllovski.

Mirëpo, duket se Gruevski nuk e ka pranuar dorheqjen e ministrit të Financave, për të cilin nuk ka propozuar kanidat të ri.

Nënkryetari i Parlamentit Evropian, Alexander Graf Lambsdorff, ndërkaq ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Gruevskit nga qeveria. Ai në një prononcim zyrtar ka kërkuar që Gruevski të jap dorëheqje dhe me këtë të kontribojë për zgjidhjen e krizës, informon INA.

“Shpërthimi i dhunës në Maqedoni përbën një fotografi të thellë shqetësuese. Kryeministri Nikola Gruevski patjetër duhet të tërhiqet si barrierë që është në rrugën për uljen e tensioneve etnike, që sërish janë rindezur, por edhe për zgjedhje të reja që do të mbaheshin në kushte adekuate demokratike. Pa një aksion të shpejtë, rajoni sërish do të jetë buzë një lufte qytetare. Në situatë e tillë, duke pasur parasysh Marrëveshjen e Ohrit, asnjëherë nuk duhej të vinte”, theksoi Lambsdorff.

Ndryshe, opozita komentoi menjëherë dorëheqjet e para nga Qeveria e Gruevskit. Kreu i opozitës Zoran Zaev i LSDM-së reagoi menjëherë përmes rrjetit social facebook, duke theksuar se ky është vetëm fillimi i rënies së qeverisë Gruevski.

“Ajo çfarë folëm deri tani, u vërtetua. Kjo është dëshmi jo vetëm për përgjimet, por edhe për autenticitetin e tyre. Kjo është dëshmi për përmbajtjen e bisedave të cilat vërtetojnë gjithë shkeljet ligjore si dhe krimet e Nikolla Gruevskit dhe rrethit të tij të ngushtë në qeveri. Dorëheqjet e Jankullovskës, Janakievskit e Mijallkovit nuk janë qëllimi ynë final. Ky është vetëm hapi fillestar drejt fundit të Nikolla Gruevskit”, ka shkruar Zaev.

Shefi i opozitës, Zaev ka publikuar qindra përgjime të qeverisë Gruveski, duke nxjerr në pah përfshirjen e ministrave të kabinetit të tij në çështje të drejtësisë dhe në korrupsion. Madje në disa përgjime zbulohet infiltrimi i shtetit në vrasjen e disa personave, zyrtarë dhe gazetarë nga Maqedonia.