Transportues nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi, nga mesdita e 26 janarit, bllokuan pikat kufitare për qarkullimin e mallrave drejt zonës Schengen të Bashkimit Evropian.
Ky veprim është reagim ndaj sistemit të ri të BE-së për kontrollin e hyrje-daljeve, të cilin ata e konsiderojnë shkak për dëbime, vonesa dhe humbje ekonomike, dhe kërkojnë që kompanitë e transportit të përjashtohen nga zbatimi i tij.
Transportuesit njoftuan se bllokadat do të zgjasin shtatë ditë, nëse gjatë kësaj kohe nuk gjendet zgjidhje për problemin e tyre.
Si importuese e shumë mallrave përmes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Kosova pritet të ndjejë pasojat e protestave në qarkullimin e mjeteve të transportit.
Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit njoftoi se, sipas informacionit të pranuar nga zyrtarët kufitarë të Serbisë, “do të ketë ndërprerje të qarkullimit të kamionëve në të gjitha pikat kufitare me Serbinë”.
“Këto protesta ndikojnë në qarkullimin e mjeteve të transportit dhe mallrave, si dhe mbingarkojnë trafikun në zonat kufitare të Republikës së Kosovës me vendet e rajonit, që janë të përfshira në protesta”, thuhet në njoftim.
Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit paralajmëroi se bllokadë të ngjashme do të ketë edhe nga Mali i Zi.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, njëherësh udhëheqës i Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor, thotë se Kosova nuk merr pjesë në protestë, pasi vendi nuk ka ende kompani logjistike që realizojnë transport të rregullt me vendet e BE-së.
Por, paralajmëron se efektet e saj do të ndihen edhe në Kosovë.
“Për shkak të bllokadës së kufijve, Kosova nuk do të mund as të eksportojë dhe as të importojë mallra”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës për vitin e kaluar, vendi ka importuar produkte në vlerë prej mbi 7 miliardë eurosh në total, ose rreth 20 milionë euro në ditë – një sasi të madhe të tyre përmes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Vlera e eksporteve, ndërkaq, ishte rreth 942 milionë euro vitin e kaluar, apo rreth 2.6 milionë euro në ditë.
Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje, Rafuna thotë se gjashtë Odat Ekonomike të Ballkanit Perëndimor i kanë dërguar një shkresë presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në letrën që siguroi Radio Evropa e Lirë dhe që mban datën e 20 janarit, kërkohet që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për këtë çështje.
“Zhvillimet e pritshme si pasojë e këtyre masave, janë shqetësuese dhe mund të shndërrohen në një sfidë sistematike ekonomike dhe politike për rajonin”, thuhet në letër.
Sipas Rafunës, sistemi i ri ka detyruar kompani në Ballkanin Perëndimor që, çdo tre muaj, të punësojnë shoferë të rinj.
“Ky është problem i madh, sepse ka mungesë të tyre… dhe kjo komplet e çrregullon zinxhirin e furnizimit”, thotë ai.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës u bëri thirrje institucioneve të vendit që të vihen në kontakt me BE-në për gjetjen e një zgjidhjeje.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi Qeverinë në detyrë të Kosovës për këtë çështje dhe është në pritje të përgjigjes.
Nënkryetari i Shoqatës së Transportuesve të Mallrave nga Kosova, Besnik Aliu, thotë për Radion Evropa e Lirë se transportuesit në Kosovë përballen me sfida të ngjashme me kolegët e tyre në rajon, për shkak të sistemit EES.
Sipas tij, edhe pse në Kosovë janë të licencuar rreth 2.000 kamionë për transport mallrash, sektori mbetet i dobët në transportin ndërkombëtar, pasi shumica e importeve dhe eksporteve realizohen nga kompani të rajonit dhe BE-së.
“Nuk është e lehtë të gjesh shoferë për tregun e BE-së, sikurse gjenden për transportin brenda Kosovës apo në rajon”, thotë ai./REL











