Lajme
Tirron Mamusha – Shqiponja që fluturoi mbi Lucern
Tirron Mamusha pritet në Konsullatën e Kosovës në Cyrih pas fitores në Maratonën e Lucernit: “Na ke bërë krenarë si komb”
Në Lucern, aty ku liqeni pasqyron malet dhe horizonti flet me qetësinë zvicerane, një emër shqiptar u ngrit mbi gjithë pistën: Tirron Mamusha.
Një fitore që nuk është vetëm statistikë sportive, por dëshmi e shpirtit që nuk dorëzohet. Si një kronikë nderi për Kosovën dhe gjithë mërgatën shqiptare në Zvicër, kjo fitore ngjalli emocione të thella krenarie dhe bashkimi.
Një ditë pas fitores së tij të madhe në Swiss City Marathon Lucerne 2025, më 27 tetor 2025, maratonisti kosovar Tirron Mamusha u prit me nderime në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Cyrih, ku u vlerësua për arritjen e tij të jashtëzakonshme: vendi i parë në kategorinë M30 (21,1km) dhe vendi i tetë në renditjen e përgjithshme, me kohën e shkëlqyer 1:11:26.
Gara, që mblodhi mbi 13 mijë pjesëmarrës nga vende të ndryshme dhe mijëra spektatorë përgjatë rrugëve të Lucernit, u shndërrua në një festë të madhe sportive. Në këtë atmosferë, flamuri i Kosovës valëviti me krenari falë performancës së Mamushës, i cili përfaqësoi vendin me dinjitet, përkushtim dhe pasion të pashoq.
“Ju uroj shumë suksese! Jam i bindur që do t’i arrish majat, ndonëse tashmë i ke arritur majat e majave. Ju lumtë për punën, përkushtimin dhe suksesin që keni arritur në garën e Lucernit. Na keni bërë krenarë si shqiptarë e si shtet,” – u shpreh Konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, duke e cilësuar Tirron Mamushan shembull të vlerave më të larta të sportit dhe përfaqësimit.
Konsulli theksoi se Republika e Kosovës, përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, mbetet e përkushtuar të mbështesë sportistët që përfaqësojnë vendin në arenën ndërkombëtare, pavarësisht sfidave që shoqërojnë zhvillimin e sportit elitar.
“Ne mundohemi, me ato mundësi dhe kapacitete që i kemi, të mbështesim sportistët, artistët dhe të gjithë ata që nderojnë vendin tonë jashtë kufijve. Ata janë ambasadorët më të mirë të vlerave tona,” – shtoi ai, duke falënderuar edhe Albinfo.ch, “një medium serioz e i qëndrueshëm, që prej vitesh dokumenton me përkushtim historitë e suksesit të mërgatës shqiptare.”
Në këtë rast, Konsulli kosovar vlerësoi gjithashtu afaristin Astrit Nrecaj, i cili ka përkrahur pjesëmarrjen e sportistit Tirron Mamusha.
Tirron Mamusha – një histori përkushtimi dhe rikthimi
Me origjinë nga Gjakova, Tirron Mamusha është një nga atletët më të spikatur të brezit të ri që po ngre profilin e atletikës kosovare në arenën ndërkombëtare. Përmes punës së pandalshme, disiplinës dhe pasionit për garat e gjata, ai ka ndërtuar një karrierë që flet me rezultate, por edhe me karakter.
Rrugëtimi i tij nuk ka qenë i lehtë. Pas një dëmtimi serioz shëndetësor që e mbajti gjashtë muaj larg sportit, shumëkush dyshoi në rikthimin e tij. Por Tirroni e përjetoi atë sfidë si një pikënisje të re. Me vendosmëri të hekurt dhe besim të palëkundur, ai rifilloi stërvitjet në nëntor të vitit të kaluar – dhe u rikthye më i fortë se kurrë.
“Gjatë rikuperimit, shumë mjekë më thanë se rikthimi në sport do të ishte i vështirë. Por unë nuk e pranova këtë si fund. Çdo ditë i jam kthyer pistës me qëllimin për ta tejkaluar veten. Fitorja në Lucern është dëshmia se përkushtimi shpërblehet,” – rrëfen ai me përulësi dhe emocione.
Fitorja në Lucern shënon kulmin e një sezoni të qëndrueshëm, duke e renditur Mamushën në mesin e atletëve më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm shqiptarë në garat ndërkombëtare.

“Shpresoj që më 12 prill 2026 të jem sërish në pistë. Gara është pasion, por mbi të gjitha është mënyra më e bukur për ta përfaqësuar Kosovën me dinjitet,” – shton Tirron Mamusha me buzëqeshjen e njeriut që e njeh vlerën e përpjekjes dhe të rrugës.
Në përmbyllje të takimit, Konsulli falënderoi sportistin për frymëzimin që përcjell tek të rinjtë dhe për faktin se përmes sportit, ai po ndërton një urë të fortë mes Kosovës dhe diasporës.
“Kur e përfaqëson shtetin, ajo nuk është vetëm ndjenjë – është përgjegjësi dhe krenari. Ju na keni bërë krenarë të gjithëve. Ne jemi të përkohshëm, por misioni i përfaqësimit është i përhershëm,” – theksoi Konsulli Vigan Berisha.
Kur Tirroni hap duart në shenjën e shqiponjës, çdo shqiptar ndien në gjoks rrahjen e një zemre të përbashkët, zemrës që fluturon me krenari, mbi re, mbi lodhje, mbi kufij.
Në shenjë simbolike, kupa dhe medalja e fituar në Lucern do të vendosen në një vend të posaçëm në ambientet e Konsullatës së Kosovës në Cyrih – si kujtesë e përhershme e përkushtimit, pasionit dhe krenarisë që lidh sportin me identitetin kombëtar.
E-Diaspora
-
Në Stokholm, Lea Ypi sjell rrëfimin e ri mbi lirinë dhe identitetin shqiptar Lea Ypi prezanton librin “Të poshtëruar” në Stokholm... -
Në Berlin u prezantua romani “ë” i autores Jehona Kicaj -
Marigona nis postdoktoraturën si Fulbright Visiting Scholar në Los Angeles -
Eksodi i bardhë: Mjekët po i kthejnë shpinën Kosovës -
Gjermani: Policia gjen mbi dy kilogramë kokainë në makinën e shqiptarit
Jeta në Austri
-
Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë Studimi i EY: 90% e familjeve austriake përpiqen të kursejnë energji, 17% nuk mund t'i paguajnë... -
Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa -
Çmimet e shtëpive familjare në Austri rriten me 2.2% në fillim të vitit 2025 -
Kërkesat për azil në Austri bien me 32% në vitin 2025 -
Vjenë: 200 ankesa të paraqitura kundër supermarketeve për zbritje mashtruese













