Kosova
Thirrjet për zbardhjen e fatit të të zhdukurve, thirrje për dinjitet njerëzor
Me tryezën mbi fatin e të zhukurve ka marrë fund manifestimi në Gjenevë, kushtuar Ditës së të Zhdukurve me Dhunë, i cili ka zgjatur dy ditë

Më 30 dhe 31 gusht në Gjenevë është shënuar me një sërë aktivitetesh Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve me Dhunë, 30 Gushti. Organizatorët: Shoqata Kulturore “Dora D`Istria” dhe Lidhja Shqiptare në Botë, për përmbyllje dhe kurorëzim të këtyre zhvillimeve kishte caktuar një tryezë të rrumbullakët, e cila u mbajt pasditen e të dielës, më 31 gusht në Shtëpinë e Arteve “Grütli” të Gjenevës, shkruan albinfo.ch.
Ekspertë, zyrtarë dhe drejtues organizatash të të zhdukurve me dhunë bënin pjesë në panelin e gjerë, të drejtuar nga moderatori, Nazmi Jakurti dhe organizatorja e aktivitetit, Mirishahe Limani Hiler.
Andin Hoti dhe Kushtrim Gara përfaqësonin Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur, nga Kosova, Silvia Hodgers, përfaqësuese e organizatave argjentinase të të zhdukurve, viktima të diktaturës së atjeshme në vitet `70 të shekullit të kaluar, Claudio Bolzman, sociolog dhe profesor në Shkollën e Lartë për Punë Sociale të Gjenevës, specialist i çështjeve të migrimit dhe marrëdhënieve ndërkulturore, Butrint Ajredini, avokat në Dhomën e Avokatëve të Gjenevës dhe përfaqësuesi i familjeve te te zhdukurve të Kosovës, Salih Muhaxheri, nga Ferizaj.
Në këtë aktivitet kanë qenë të pranishme edhe përfaqësuesja e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Zvicër, zonja Shukrije Ramadani dhe ajo e Shqipërisë, Monika Zguro.
Udhëheqësja e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Gjenevë, zonja Floreta Kabashi i është drejtuar auditorit me një fjalë përshëndetëse, duke shprehur gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të punuar drejt zbardhjes së fatit të të zhdukurve. “Ne u bashkohemi thirrjeve të familjarëve, organizatave përkatëse të shoqërisë civile në këtë drejtim. Këto janë thirrje për drejtësi, llogaridhënie dhe dinjitet njerëzor. Republika e Kosovës është e përkushtuar për zbardhjen e fatit të secilit të zhdukur, pa dallim etnie. Ky është një detyrim ligjor dhe institucional dhe mbi të gjitha, moral. Fatkeqësisht Serbia refuzon të pranojë ushtriumin e krimeve të luftës në Kosovë dhe nuk ofron informacionet e nevojshme. Kjo nuk është thjesht mungesë bashkëpunimi por është vazhdim i krimit”, ka thënë veç tjerash zonja Kabashi.
“Detyrim moral e njerëzor që të vazhdojmë këtë rrugëtim derisa çdo familje të marrë përgjigjen që meriton”
“Jemi mbledhur këtu në Gjenevë, në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë, për të kujtuar, për të reflektuar dhe për të kërkuar drejtësi. Kjo ditë nuk është vetëm një datë në kalendar, por është një thirrje për ndërgjegje dhe për veprim”, është shprehur moderatori, Jakurti, në hapjen e punimeve të tryezës. Ai më tutje ka kujtuar vitin 2001, kur këtu në Gjenevë, bashkë me një grup aktivistësh dhe familjarësh, ishte organizuar një protestë para selisë së OKB-së, duke kërkuar gjetjen e të zhdukurve nga Kosova. “Ne besuam se zëri ynë do të dëgjohej dhe se e vërteta do të vihej në vend. Sot, 24 vite më pas, shumë familje ende nuk e dinë fatin e më të dashurve të tyre. Ky është një realitet i dhimbshëm që na shoqëron çdo ditë. Ne kemi detyrimin moral e njerëzor që të vazhdojmë këtë rrugëtim derisa çdo familje të marrë përgjigjen që meriton, ka thënë veç tjerash Jakurti.
Pjesëmarrësit në panel kanë paraqitur përvojat dhe njohuritë për problematikën e të zhdukurve me dhunë, secili nga këndvështrimi i tij.
Obstruksioni i Serbisë kundër zbardhjes së fatit të të zhdukurve, është përsëritje e krimit
Andin Hoti, në emër të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur ka shpalosur preokupimet, arritjet e deritashme dhe planet në drejtim të zbardhjes së fatit të të zhdukurve, në Kosovë. Ai ka shprehur mirëkuptim për frustrimin e familjarëve të të zhdukurve lidhur me mungesën e informacioneve për më të dashurit e tyre. Ai ka thënë se puna e komisionit konsiston në hulumtimin e varrezave masive në Kosovë dhe në Serbi si dhe në pjesëmarrjen në dialog me Serbinë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve. Për aspektin e parë ai ka thënë se është bërë shumë, gjegjësisht “nuk ka mbetur pëllëmbë toke e Kosovës pa u hulumtuar për të gjetur viktimat e luftës”. Por në vazhdimësi ballafaqohemi me destruktivitetin e palës serbe, e cila merr detyrime dhe nuk i zbaton, duke bërë kështu krimin e dytë mbi viktimat e luftës dhe të zhdukurit. Ajo refuzon të hapë arkivat e veta, ku mund të gjendeshin të dhëna për të gjitha krimet e kryera mbi shqiptarët, gjatë luftës, ka thënë veç tjerash z. Hoti, duke apeluar për presion më të vendosur të palës ndërkombëtare mbi Serbinë.
Përvojat e të tjerëve në zbardhjen e fatit të të pagjeturve
Silvia Hodgers, përfaqësuese e organizatave argjentinase të të zhdukurve, ka folur për përvojat e saj në gjetjen e viktimave të diktaturës së atjeshme në vitet `70 të shekullit të kaluar. Bëhet fjalë për rreth 35.000 të zhdukur në kohën e sundimit të juntës ushtarake dhe, së këtejmi, për një punë kolosale që është dashur të bëhet dhe që vazhdon të bëhet për zbulimin e tyre.
Claudio Bolzman, sociolog dhe profesor në Shkollën e Lartë për Punë Sociale të Gjenevës, ka trajtuar aspektet sociologjike të temës së të zhdukurve me dhunë dhe trajtimin që i është bërë kësaj teme nga shkenca e sociologjisë.
Salih Muhaxheri, përfaqësues i familjarëve të të zhdukurve të luftës nga Kosova ka folur për shqetësimet që kanë këta familjarë dhe për dhimbjen për të afërmit e pagjetur që i shoqëron që nga përfundimi i luftës deri më sot. Ata i shqetëson sigurisht mungesa e përparimit në zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
Avokati shqiptar nga Gjeneva Butrint Ajredini ka shpjeguar për publikun me terma konkretë problematikën e marrëveshjeve dhe konventave ndërkombëtare që ka nënshkruar Serbia lidhur me të zhdukurit dhe nuk i ka zbatuar si dhe për refuzimin nga ana e saj për të bashkëpunuar në këtë drejtim. Si shembull, me njërën nga këto konventa parashihet që të zgjatet koha e parashkrimit (vjetërsimit) të disa krimeve të luftës, por Serbia nuk e ka vendosur fare në kodin e saj penal një zgjatje të tillë.
Me këtë tryezë ka marrë fund edhe i gjithë manifestimi kushtuar Ditës së të Zhdukurve me Dhunë, i cili ka zgjatur dy ditë, organizuar nga Shoqata “Dora D`Istria” dhe Lidhja Shqiptare në Botë, me albinfo.ch si sponsor medial. Në këtë kuadër janë zhvilluar një sërë aktivitetesh, si Marshi për Drejtësi, rrugëve të Gjenevës, defilimi, me moton “Derisa i kujtojmë, ata jetojnë”, me fjalime dhe program artistik në sheshin para Pallatit të OKB-së, vënia e luleve në Kopshtin e të Zhdukurve, ekspozita e arteve pamore kushtuar të zhdukurve etj.
E-Diaspora
-
Hapet Libri i Ngushëllimeve për Dhimitër Anagnostin Ambasada e Shqipërisë në Bernë, hapi sot Librin e Ngushëllimeve në nderim të mjeshtrit të madh...
-
Berna shpërndan 700 kupona në vlerë prej 400 frangash për kurse të gjermanishtës
-
Bernë: Java e 16-të kundër Racizmit do të zhvillohet nga 21 deri më 28 mars 2026
-
Mosmarrëveshjet për pronën çuan në vrasjen e mërgimtarit shqiptar në Itali
-
KQZ-ja miraton procedurën për votim jashtë Kosovës
Jeta në Austri
-
Austria planifikon ndalimin e shamisë për vajzat nën 14 vjeç, gjoba mbi 1,000 euro për shkelësit Qeveria austriake është në fazat e fundit të përgatitjes së një ligji që do të ndalojë...
-
Mali i Zi dënon ushtarin e arrestuar në Deçan për targat “Kosova është Serbi”
-
Nga 1 janari, transporti publik, gjobat e parkimi do të jenë më shtrenjtë në Vjenë
-
Shoqata e Mësuesve Shqiptarë në Austri, “Naim Frashëri”, uron për fillimin e vitit të ri shkollor
-
Linja e re e tramvajit të Vjenës fillon më 1 shtator