Lajme
Thaçi: “Shteti i Kosovës, meritë e madhe edhe e mërgimtarëve”
Të dielën në Gjenevë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi u nderua me titullin doktor nderi nga Shkolla e Gjenevës për Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare Me këtë rast ai dha një intervistë për albinfo.ch.
Kryeministri flet për nxitjen e investimeve zvicerane në Kosovë, për raportet e tij personale me Zvicrën, për pritjet nga takimi i sotëm në Vjenë ku do t`i jepet fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës etj.
Albinfo.ch: z. Kryeministër, na tregoni më shumë rreth agjendës së vizitës suaj në Zvicër. Të shtunën keni pasur një takim me biznesmenët zviceranë. Si ka rrjedhur takimi?
Hashim Thaçi: Dje kemi pasur takim me komunitetin e biznesit në Gjenevë, ku kanë marrë pjesë afaristë nga vende të ndryshme të Zvicrës por edhe të Francës. Ishte një takim i rëndësishëm rreth mundësisë së investimit të tyre në Kosovë. Së bashku me ministrin Beqaj i kemi informuar ata për mundësitë e investimit veçanërisht në sektorin e minierave, energjisë, agrikulturës, turizmit, pastaj për pjesëmarrjen në procesin e privatizimeve që kanë ndodhur dhe po ndodhin ende në Kosovë etj.
Albinfo.ch: Firmat zvicerane megjithatë ende nuk po tregohen shumë entuziaste për të investuar në Kosovë. Ç ‘bën Kosova për t`i joshur ato?
Thaçi: Personalisht jam shumë i inkurajuar me interesimin e investitorëve potencialë zviceranë për të investuar në Kosovë. Kemi dhënë informim në detaje dhe mund të them se ekziston interesimi i theksuar i tyre për investime në Kosovë si një vend stabil, vend i mundësive atraktive për biznesin, me legjislacion të standardeve të BE-së. Nisur nga këto, unë dua të besoj që ata njerëz që i takuam do të vizitojnë Kosovën dhe do të investojnë atje.
Albinfo.ch: Ju keni jetuar një kohë në Zvicër si refugjat dhe duhet ta njihni komunitetin tonë këtu. Ky komunitet, pas çlirimit dhe pas pavarësimit të Kosovës shpesh po ndjehet i anashkaluar nga institucionet e atjeshme. Ka një ftohje, në krahasim me pritjet… Çka do t`u thoshit ju atyre në këtë drejtim?
Thaçi: Fillimisht dua t`i falënderoj të gjithë shqiptarët në Zvicër për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Unë i njoh dhe e di se ata kanë ndarë edhe kafshatën e gojës për të investuar në përpjekjet për liri dhe shtet. Shteti i Kosovës është edhe meritë e tyre shumë e çmueshme. Secili prej tyre duhet të ndjehet krenar me atë që ka bërë.
Shteti i Kosovës është shtet i ri, ka vetëm 4 vjet. Por, ne jemi inkurajuar me ardhjen e njerëzve tanë nga diaspora që po investojnë në biznesin e vogël e të mesëm në Kosovë, po hapin vende të reja të punës dhe po ndërtojnë atje të ardhmen e tye. Njëkohësisht jam tepër i kënaqur kur sot shoh shqiptarët që jetojnë në Zvicër që identifikohen edhe me vlerat e këtushme, për shembull me kombëtaren zvicerane të futbollit, me suksesin e tyre. Jam i kënaqur edhe me participimin e studentëve të rinj shqiptarë, që janë rreth 1500 sish në universitetet e ndryshme të Zvicrës.
Kosova është atdheu i të gjithëve, dhe, institucionet e Kosovës do t`i bëjnë të gjitha përgatitjet që të ketë edhe një pritje më të mirë të diasporës atje. Prandaj për të kryer obligimet që kemi ne ndaj saj, e kemi krijuar edhe Ministrinë e Diasporës, e cila është në kontakt të vazhdueshëm me diasporën, sidomos me këtë në Zvicër.
Albinfo.ch: Me sa dimë, është hera e parë prej se jeni në postin e kryeministrit që po e vizitoni Zvicrën. Si do t`i përshkruanit marrëdhëniet e Kosovës me Zvicrën dhe në veçanti, çfarë është raporti i institucioneve të Zvicrës personalisht me ju?
Thaçi: Jo, është hera e dytë që vi këtu si kryeministër. Raportet mes Kosovës dhe Zvicrës janë raporte të shkëlqyeshme, tradicionale. I jemi shumë mirënjohës shtetit dhe shoqërisë zvicerane për strehimin dhe kujdesin e treguar ndaj shqiptarëve të Kosovës, sidomos gjatë viteve 90.
Pastaj, Zvicra ka qenë ndër shtetet e para që kanë njohur Republikën e Kosovës dhe dëshiroj edhe një herë të falëndeoj qeverinë zvicerane për ketë vendim të drejtë dhe në kohë të duhur.
Por edhe raportet e mia personale me autoritetet e Zvicrës janë shumë të mira. Kështu, në të ardhmen e afërt pritet një vizitë zyrtare e imja në Zvicër si kryeministër. Po ashtu ka pasur dhe do të ketë vizita edhe të ministrave të tjerë të qeverisë së Kosovës këtu.
Të përmend po ashtu se ditë më parë patëm në Prishtinë konferencën e përbashkët për biznesin kosovar dhe zviceran, edhe një dëshmi më shumë se raportet tona me Zvicrën po shkojnë duke u thelluar.
Albinfo.ch: Ju po udhëtoni në Vjenë ku vuloset fundi i pavarësisë së mbikëqyrur. Me çfarë ndjenjash po shkoni atje?
Thaçi: Suksesi i institucioneve të Kosovës bëri që në Vjenë të organizohet takimi i grupit drejtues ndërkombëtar ku marrin pjesë 30 shtete të botës në mbështetje të Kosovës.
Ata do ta japin vlerësimin për suksesin e Kosovës, për qeverisjen e mirë, për implementimin e plotë të Planit të Ahtisarit, për integrimin afirmativ të të gjitha komuniteteve, për përkushtimin tonë për Kosovën e re evropiane. Prandaj, shkoj atje me besim të plotë se do të jepet sinjali i përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë së Ksoovës. Kështu, mund të ju them se udhëtoj me optimizëm në Vjenë.
E-Diaspora
-
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se struktura e partisë në diasporë është... -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern -
Seminar i KKAD me temën “Sfidat e gjuhës shqipe në diasporë”
Jeta në Austri
-
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë Piloti austriak bën ulje emergjente në autostradën A2 në Karinthia pranë kufirit italian; nuk ka të... -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë” -
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë -
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit










