Lajme

Thaçi në NZZ: “Veriu i Kosovës, njollë turpi për gjithë Evropën”

"Serbia, para Evropës po paraqitet si evropiane ndërsa në raport me Kosovën ajo po e mban gjallë ende mentalitetin e Millosheviçit"

 Gazeta prestigjioze e Zvicrës, “Neue Zürcher Zeitung” ka publikuar sot një intervistë me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin. Intervista fokusohet kryesisht në zhvillimet rreth veriut të Kosovës dhe në akuzat e Marty-t për Thaçin.

“Shefi i Qeverisë së Kosovës, Thaçi, synon që të shtrijë sundimin e ligjit në veriun e dominuar nga serbët, pas anarkisë që ka sunduar atje me vite”, shkruan NZZ në hyrje të intervistës. Ndërkaq, lidhur me akuzat që dalin nga raporti i Marty-t, sipas gazetës, Thaçi shprehet “me fjalë të pakëta dhe me ekuivoke”.

Thaçi, teksa pranon se gjendja në veriun e Kosovës është “shumë e ndërlikuar”, nuk pajtohet me konstatimin e gazetarit se fjala është për rast politik, por vetëm për një rast për drejtësinë dhe rendin.

“Regjioni me të madhe kontrollohet nga grupimet ilegale dhe ekstremiste serbe. Më 25 korrik ne kemi marrë kontrollin dhe tashmë atje qëndrojnë doganierët dhe policët kosovarë në dy vendkalimet kufitare. Ne bashkëpunojmë ngushtë me Eulex-in dhe NATO-n (Kfor-in). Ndonëse problemi me bllokimet e rrugëve vazhdon të ekzistojë, e ardhmja e regjionit mbështetet në lirinë e lëvizjes dhe jo në mentalitetin e barrikadimeve dhe izolimit.

Pyetjes përse pikërisht verën që kaloi kishte vendosur të dërgonte në veri doganierët dhe kështu të prishte njëanshëm status-quo-në, Thaçi i përgjigjet se “ka qenë një vendim sovran, që ligjet kosovare të zbatohen edhe në veri. Nga shkaku i mungesës së rendit juridik për 12 vite, në veriun e Kosovës nuk ka mundur të investohet dhe as të mbahen zgjedhje të lira. E tëra që ekzistonte atje ishte korrupsioni dhe kriminaliteti, të cilët askush nuk i pengonte. Kjo gjendje për mua ishte e patolerueshme të vazhdohej. Veriu është njollë turpi jo vetëm për Kosovën por edhe për gjithë Evropën”, ka thënë Thaçi. Problem atje nuk është popullata por janë 200 ose 300 njerüëz që kanë bërë shumë para me kontrabandë dhe me krim të organizuar”.

Ndërkaq vërejtjes se ndërhyrja në veri ka mundur të ketë për qëllim pezullimin e bisedimeve me Serbinë, kryeministri i përgjigjet se ka ndodhur e kundërta: në kohën pas ndërhyrjes, janë arritur dia marrëveshje, sikur ajo e vulave të doganës etj.

Thaçi po kështu kundërshton se bisedimet me Serbinë janë politike, sepse, sipas tij, “statusi i Kosovës është përcaktuar një herë e mirë. Kosovën shtet të pavarur e kanë njohur 85 shtete të botës dhe po ashtu të gjitha shtetet fqinje, përveç Serbisë. Dhe jam i sigurt se së shpejti edhe Serbia do të njohë pavarësinë e Kosovës”, ka shtuar Thaçi.

Njeriu i parë i ekzekutivit të Kosovës po ashtu i hedh poshtë aludimet për këmbim territoresh në mes të Serbisë dhe Kosovës, gjegjësisht “trampën” në mes të veriut të Kosovës dhe Luginës së Preshevës. “Një këmbim i tillë do të hapte probleme edhe në gjashtë vende tjera të regjionit” ka thënë ai.

Kryeministri kosovar ka thënë në këtë intervistë po ashtu, se Serbia po luan me dy fytyra. Para Evropës po paraqitet si evropiane ndërsa në raport me Kosovën ajo po e mban gjallë ende mentalitetin e Millosheviçit.

Në vazhdim Thaçi u është përgjigjur pyetjeve lidhur me akuzat e Martyt ndaj tij. “Raporti i Martyt është raport politik. Është i motivuar politikisht dhe e përball Kosovën me një barrë të padrejtë. Por, unë e mbështes pa kufizime shtetin juridik. Në këtë kontekst drejtësia duhet të veprojë, e papenguar nga politika. Ne nuk kemi asgjë për të fshehur”.

Vërejtjes së gazetarit se e vërteta e luftës së fundit në Kosovë është e brishtë, se po ndodhë vazhdimisht që dëshmitarët të shantazhohen ose kërcënohen e madje edhe të vriten, Thaçi i përgjigjet: “Kjo është çështje e organeve të drejtësisë. Kosova i mbështet organet e drejtësisë dhe në këtë drejtim ne kemi dëshmi të sukseseve. Por politika nuk bën të përzihet këtu. Edhe një herë: ne nuk kemi ç`të fshehim dhe është në interes të Kosovës që të zbardhet çështja”.