Lajme

Thaçi merr vërejtje për shtrirjen e antisemitizmit në Kosovë

“Kosova nuk mund të pretendojë se po e lufton radikalizmin islamik duke ekspozuar urrejtje xhihadiste”, shkruan Qendra “Simon Wiesenthal” e luftës kundër antisemitizmit me seli në Paris

Të shqetësuar për shtrirjen e antisemitizmit në Kosovë përmes librave të botuara në Egjipt nga “Vëllazëria Myslimane”, Qendra “Simon Wiesenthal” e luftës kundër antisemitizmit me seli në Paris, i ka dërguar letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nga i cili kërkon që të ndalohet kjo luftë anti-semite.

Sipas tyre, Kosova nuk mund të pretendojë se po e lufton radikalizmin islamik duke ekspozuar urrejtje xhihadiste me materiale. Kjo Qendër ia bën me dije presidentit Thaçi se këtë ankesë ia kanë dërguar edhe ministrit të Punëve të Brendshme Skender Hysenit, i cili nuk i është përgjigjur letrës.

“Kosova nuk mund të pretendojë për ta luftuar radikalizmin islamik duke ekspozuar veten në urrejtje xhihadiste”, shkruan në këtë letër, përcjell “Zeri.info”.

Më 15 nëntor, kjo letër i është drejtuar presidentit të Kosovës nga Dr. Shimon Samuels, i cili protestoi për “shitjen e literaturës së urrejtjes antisemite, vetëm njëqind metra larg nga Pallati Presidencial, gjatë Konferencës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim (OSBE) mbi “Luftimin e terrorizmit dhe radikalizmit”.

Samuels vuri në dukje “shumë versione të librit të Hitlerit ‘Mien Kampf’ dhe të tjerat në të cilat përfshihen teoritë e konspiracionit të tilla si: ‘Sinagoga e Satanit’ nga Andrew Hitchcock, e mbushur me shpifje kundër hebrenjve “Luani nuk fle më” nga David Icke, e cila portretizon hebrenjtë si një racë zvarranik-hardhucash nga hapësira e jashtme”.

Letra shton se “këto libra janë përkthyer në gjuhën shqipe, gjuhën amtare të Kosovës dhe disa janë botuar në Egjipt nga ‘Vëllazëria Myslimane’”.

Samuels kujton se “dy vjet më parë ai kishte nderin e përurimit të ekspozitës ‘White Hat’s Exhibition’ në Prishtinë, dedikuar për kujtimin e atyre kosovarëve, të cilët kontrabanduan të arratisurit hebrenj nga nazistët në Shqipëri, ku shumica e tyre mbijetuan Holokaustin”.

Letra thekson se “Kosova nuk mund që nga njëra anë të kërkojë për ta luftuar radikalizmin islamik dhe në të njëjtën kohë të ekspozojë veten me një shembull shumë të qartë të depërtimit xhihadist në një vend të moderuar mysliman deri më tani”.