Kosova

Thaçi: Diaspora, e orientuar në zhvillimin e Kosovës, ka mbaruar faza e mbijetesës

“Bashkëpunimi ynë me diasporën duhet të ndryshojë në mënyrë kualitative dhe të orientohet kah zhvillimi, jo më kah mbijetesa e Kosovës

“Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në hapjen e Forumit Ekonomik të Diasporës Shqiptare në Prishtinë. Presidenti e ka quajtur këtë një iniciativë shembullore dhe ka thënë se puna e të gjithëve tani duhet të përqendrohet në zhvillimin ekonomik të shtetit tonë”, thuhet në një komunikatë për shtyp të lëshuar nga presidenca.

“Diaspora, gjatë tërë historisë, ka qenë një nga faktorët kryesorë në çdo zhvillim në Kosovë. Falë kontributit të shumanshëm të diasporës, populli i Kosovës arriti të mbajë gjallë organizimin dhe solidaritetin shoqëror”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se në shkurt të vitit të ardhshëm e shënojmë dhjetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe Kosova më nuk është në fazën e mbijetesës apo të rindërtimit, por është shtet në zhvillim.

“Bashkëpunimi ynë me diasporën duhet të ndryshojë në mënyrë kualitative dhe të orientohet kah zhvillimi, jo më kah mbijetesa e Kosovës. Jemi konsoliduar si shtet, brenda dhe ndërkombëtarisht. Puna e të gjithëve tani duhet të përqendrohet në zhvillimin e shtetit tonë, si shteti më i ri, me popullatën më të re në Evropë, si shtet me potenciale ekonomike të mëdha që presin të shfrytëzohen”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në hapjen e Forumit Ekonomik të Diasporës Shqiptare, kreu i shtetit ka thënë se që nga shpallja e pavarësisë më 2008 është ruajtur trendi pozitiv i rritjes ekonomike.

“Kemi investuar në infrastrukturë, duke ndërtuar rrugë dhe autostrada. Që kur kemi ndërtuar autostradën me Shqipërinë, shkëmbimi ynë ekonomik në mes vendeve tona është shtuar për disa herë. Me Bashkimin Evropian kemi punuar në lehtësimin e kushteve për regjistrim dhe funksionim të bizneseve. Kemi miratuar Ligjin për Investime Strategjike për të lehtësuar lidhjen e kontratave për investimet që Qeveria i cilëson me interes strategjik për shtetin dhe shoqërinë.

Ai ka thënë se është investuar edhe në arsim, duke hapur qendra të shkollimit të lartë nëpër tërë Kosovën, sepse rinia jonë duhej të bëhej fuqi punëtore e specializuar dhe e gatshme të konkurrojë me fuqinë punëtore në Evropë, me aftësitë dhe profesionalizmin e vet.

“Të gjitha këto krijojnë mundësi për zhvillim të gjithanshëm të Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Forumi Ekonomik i Diasporës Shqiptare është organizuar nga USAID-i në partneritet me Rrjetin Afarist të Diasporës Shqiptare.