Lajme

Terrorizëm: Arrestohet kosovari 25-vjeçar

Në një video, ai thotë se “gjaku i myslimanëve është më i vlefshëm se i atyre njerëzve që nuk besojnë në Islam”

Një kosovar me shtetësi amerikane është akuzuar për planifikimin e hedhjes së bombave në disa diskoteka, në një firmë si dhe në një qendër policore në zonën e ashtuquajtur Tampa në Floridë.

Sami Osmakac, 25 vjeç, është arrestuar natën e të shtunës dhe është i akuzuar për tentim të përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë (eksploziv). Ai u paraqit të hënën pasdite në Gjykatën Federale, ku rrezikon të dënohet me burgim të përjetshëm dhe me një gjobë prej 250.000 dollarësh, sipas një deklarate mediatike të vendit.

Sipas një ankese penale të paraqitur nga departamenti përkatës, Sami Osmakac ishte i përciellë prej disa muajsh, ai dëshironte të gjejë një armë Kallashnikov, mitralozë, ngarkues elektronikë me kapacitet të lartë, granata dhe një rrip me eksploziv “të disenjuara për të vrarë”.

Ai gjithashtu kishte kërkuar pranë një burimi të fshehtë bomba që mund të vendosën në tri automjete të ndryshme dhe që mund të ndizen nga larg, thuhet në dokumentet e gjykatës. Ja që burimi i fshehtë ishte një agjent i FBI-së.

Thuhet se djaloshi i ri, më 1 janar 2012 i ka shpjeguar agjentit të lartpërmendur se ai parashikonte të parkonte një makinë me një bombë brenda, e cila do të shpërthente më vonë.

25-vjeçari u kap të shtunën në mbrëmje, kur thirri në një hotel personin që duhej t’ia shiste eksplozivët, e që qëlloi të jetë agjent federal. Gjatë takimit, agjenti në fjalë e xhiroi Samiun duke shpjeguar arsyet pse donte të blinte eksplozivë, duke u arsyetuar se gjaku i myslimanëve është më i vlefshëm se i atyre që nuk besojnë në Islam dhe se ai donte hakmarrje për të gjitha të këqijat që po u bëheshin myslimanëve.

Ndërkaq, policia amerikane falënderoi komunitetin mysliman të zonës që e lajmëroi kosovarin.