Kosova

Tensionet në veri, ngjyrosin ballinat e mediave ndërkombëtare

Ballinat e mediave ndërkombëtare janë mbushur me zhvillimet në veri të Kosovës. Mediat e huaja kanë raportuar gjerësisht për këto zhvillime veçanërisht gjatë javës së fundit, me tensionet në rritje, përcjell albinfo.ch.

Mediat si, Reuters, AP, Al jazeera, Le mond, Deutche Welle e France24 po raportojnë thuajse në baza ditore për këto zhvillime.

Por, zhvillimet në veri kanë mbuluar edhe ballinat e mediumeve të tjera të mëdha, si BBC, CNN, The Guardian e Washington Post, përcjell albinfo.ch.

Pse tensionet ndëretnike po ndizen sërish në veri të Kosovës, është titulli me të cilin e transmeton një analizë të gjatë të Reuters mediumi CNN.

Aty potencohet se tensionet e reja ndëretnike kanë shpërthyer që nga 10 dhjetori kur serbët ngritën postblloqe të shumta dhe shkëmbyen zjarr me policinë pas arrestimit të një ish-polici serb i dyshuar për terrorizëm.

Fiancial Times, në një shkrim të gjatë ka përcjellë reagimin e djeshëm të BE-së dhe SHBA-së, të cilët ndër të tjera thanë se mirëpresin garancitë nga lidershipi i Kosovës se nuk kanë lista arrestimi ose përndjekje të qytetarëve serbë të Kosovën, të cilët kanë qenë të përfshirë në, siç thanë ata, “protesta/barrikada paqësore”.

Aty tutje thuhet se pushtimi i Ukrainës i dha perëndimit një “ndjenjë urgjence” për të zgjidhur çështjen e Kosovës.

“Me Moskën një nga aleatët më të mëdhenj të Beogradit, pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë i dha perëndimit një ndjenjë urgjence për të zgjidhur çështjen e Kosovës. Konflikti i rinovuar do të zvogëlonte në masë të madhe perspektivat e anëtarësimit të vendeve në BE dhe NATO dhe do të kërcënonte unitetin evropian ndërsa konflikti në Ukrainë vazhdon”, thuhet në artikullin e Financial Times.

Agjencia e Lajmeve Associated Press ka përcjellë sot deklaratën e mbrëmshme të Vuçiqit se e barrikadave në veri të Kosovës do të nisë mëngjesin e sotëm.

Aty potencohet se kjo mund të çojë në shtensionimin e situatës dhe uljen e tensioneve që shkaktuan frikë për përplasje të reja në Ballkan.

Pas paralajmërimit se ushtria serbe është në “nivelin e saj më të lartë të gatishmërisë luftarake” pas javësh të përshkallëzimit të tensioneve midis Serbisë dhe Kosovës, BBC shkroi dje se ky është kërcënimi më i fortë deri më tani.

Ndërkaq The Guardian, shkroi se ushtria serbe është vënë në gjendje gatishmërie të shtuar për tensionet me Kosovën disa herë në vitet e fundit – herën e fundit në nëntor pasi qeveria pretendoi se disa dronë hynë në hapësirën ajrore serbe nga Kosova.

France 24 shkroi se nuk është e qartë se çfarë do të thotë urdhri që Ushtria e Serbisë dhe Policia të jenë në shkallën më të lartë të gatishmërisë luftarake.

“Nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë do të thoshte ky urdhër në terren pasi trupat serbe kanë qenë në gatishmëri për një kohë në kufirin me Kosovën”, shkruan ky medium.

Agjencia e lajmeve Reuters, përcolli reagimin e Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili tha se Serbia, nën ndikimin e Rusisë, po synon të destabilizojë Kosovën duke mbështetur pakicën serbe në veri, të cilët kanë bllokuar rrugët dhe protestojnë për gati tre javë.

Një analizë për zhvillimet në veri, ua solli lexuesve të tij edhe mediumi amerikan “The Washington Post.

Çfarë duhet të dini për tensionet në rritje Serbi-Kosovë, mban titullin analiza e gjatë për zhvillimet në veri, që publikoi Washington Post.

Aty thuhet se është hera e parë që nga fillimi i tensioneve të fundit që serbët kanë bllokuar rrugët në një nga qytetet kryesore, pasi deri më tani janë vendosur barrikada në rrugët që çojnë në kufirin Kosovë-Serbi.

Pas tri javësh bllokadë, sot është paralajmëruar heqja e barrikadave në veri të vendit. Largimi i tyre është paralajmëruar nga vetë serbët që i kanë vendosur.

Kështu ka thënë mbrëmë në orët e vona, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova. Vuçiq tha se heqja e barrikadave në veri të Kosovës do të nisë mëngjesin e së enjtes.

Ai tha paraprakisht, se janë dhënë garanci se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësoheshin.

Deri te kjo erdhi pasi ish-polici serb i dyshuar për terrorizëm në Kosovë, Dejan Pantiq u lirua në arrest shtëpiak me një vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës. Lirimi nga paraburgimi i Pantiqit, kishte qenë një nga kërkesat e Serbisë për largimin e barrikadave.