Lajme

Tenderët e Qeverisë po e inkurajojnë edhe korrupsionin

Një raport i financuar nga Ambasada Amerikane ka gjetur shumë parregullsi me tenderët në Kosovë.

Ky raport tregon se kompanitë kosovare po mbijetojnë në treg vetëm duke punuar me tenderët publikë, gjë që po i lidh ato me Qeverinë dhe partitë politike. Si pasojë, po i lihet hapësirë korrupsionit dhe kontrollit nga zyrtarët partiakë, shkruan Express.

“Shumica e firmave në Kosovë, mbijetesën në treg po e lidhin me tenderët që i jep Qeveria e Kosovës. Kjo praktikë, përveçqë po e fut sektorin privat nën sqetullën e Qeverisë, po e inkurajon edhe korrupsionin”, thuhet në raportin “Modelet e ndryshme të (keq) përdorimit të parasë publike”, i hartuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, dhe i cili u financua nga Ambasada amerikane në Kosovë.

Sipas raportit, mosefikasiteti dhe mungesat në makinën e tregut për të ofruar një hapësirë të përshtatshme për sektorin privat, shpesh i drejton firmat drejt tenderëve qeveritarë si e vetmja mundësi për të mbijetuar në treg.

Prandaj, çështja e tenderëve publikë është pika që i lidh firmat me Qeverinë dhe partitë politike, duke ofruar hapësirë për korrupsion dhe kontroll nga zyrat partiake.

“Tenderimi publik, prandaj, përfaqëson çështjen kyçe ku firmat bëhen të ndjeshme ndaj kontrollit partiak dhe kështu politizohen; duke penguar seriozisht mundësitë e tregut dhe rritjes vetërregulluese të sektorit privat. Është e rëndësishme të theksohet që prokurimi publik në Kosovë mbetet një nga mekanizmat kyçë që kontrollohen vazhdimisht nga partitë politike, pasi kjo duket të jetë mënyra më e besueshme për të shpallur fituese firmat partiake dhe mbështetësit”, thuhet në raport, shkruan kjo gazetë.

Kurse e përditëshmja tjetër kosovare, Zëri, shkruan se që nga paslufta, niveli i korrupsionit vetëm sa po i lëshon rrënjët thellë në Kosovë, dhe nuk po bëjnë punë as dhjetëra mekanizma që janë krijuar për të luftuar këtë fenomen.

Shumë task-forca, agjenci e këshilla kanë krijuar institucionet shtetërore të vendit për të luftuar korrupsionin, por megjithatë Kosova vazhdon të mbetet në listën e vendeve me nivel të lartë të korrupsionit. Madje, disa nga analistët konsiderojnë se korrupsioni ka “metastazuar” në të gjitha poret e funksionimit të shtetit.

Ndërsa, numri kaq i madh i mekanizmave “antikorrupsion”, vlerësohet se është bërë në mënyrë të qëllimshme, për të krijuar mjegull dhe askush të mos bartë përgjegjësinë.

Politika e hajnisë thuhet se çdo ditë e më shumë po “lulëzon”, edhe pse përveç misionit të EULEX-it, Qeveria e Kosovës ka krijuar një task-forcë, Prokuroria e Shtetit një tjetër…etj, dhe tash së fundi u pa e nevojshme që edhe presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ta themelojë Këshillin Antikorrupsion.

Që të gjitha këto institucione shtetërore të Kosovës, kush më shumë e kush më pak, për detyrë kanë luftën kundër korrupsionit, për çka vlerësohet se nuk po arrijnë që ta bëjnë.

Madje, ambasadori amerikan Christopher Dell përmes një deklarate pati alarmuar se korrupsioni është përhapur aq shumë dhe është bërë aq i zakonshëm në çdo nivel në Kosovë, saqë e tërë shoqëria, sipas tij, e nënkupton gjuhën e këtij fenomeni, shkruan kjo gazetë

Zotimet e krerëve institucionalë se me të gjithë mekanizmat do ta luftojnë korrupsionin, për partitë opozitare nuk janë gjë tjetër, përveç deklarime të nivelit retorik bosh.