Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka sinjalizuar gatishmëri për të mbështetur Glauk Konjufcën, nëse Lëvizja Vetëvendosje (VV) vendos ta propozojë atë për kryetar të Kuvendit të Kosovës, në vend të Albulena Haxhiut, shkruan albinfo.ch.
Duke folur për gazetarët pas shënimit të 25-vjetorit të themelimit të AAK-së, Haradinaj tha se partia e tij është në pritje të një kandidature unifikuese nga ana e VV-së, për ta tejkaluar ngërçin institucional që po vazhdon prej 15 prillit, kur Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet përkundër nëntë tentativave të mëparshme.
“Ne jemi në pritje që Vetëvendosje të reflektojë në kandidaturë. Nëse e bën këtë, nesër do ta kemi kryetarin apo kryetaren e Kuvendit. Nuk kemi biseduar për Glaukun, por nuk është problem. Besoj që po”, u shpreh Haradinaj, duke e lënë të hapur mbështetjen për Konjufcën.
Deri më tani, VV-ja ka propozuar Albulena Haxhiun, e cila nuk ka arritur të sigurojë më shumë se 57 vota në seancat e mëparshme, duke mos marrë mbështetjen e opozitës. AAK-ja ka deklaruar më herët se do të mbështeste figura si Shqipe Selimi apo Saranda Bogujevci, duke i cilësuar ato më “unifikuese”.
I pyetur për mundësinë që Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate dhe ish-aleat parazgjedhor i AAK-së, të propozohet për postin e kryeparlamentarit, Haradinaj nuk dha ndonjë qëndrim konkret.
Ndërkohë, ai nuk komentoi as ftesën e kryetarit të VV-së, Albin Kurti, drejtuar PDK-së dhe LDK-së, si dy forcat më të mëdha opozitare, për të diskutuar zgjidhjen e ngërçit parlamentar.
Përpjekja e dhjetë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit është caktuar për të shtunën, më 3 maj, në orën 10:00, transmeton albinfo.ch.