Lajme

Të gjithë në aksionin “Ta pastrojmë Kosovën”

Në aktivitetin e pastrimit të mjedisit, një nismë e filluar në mbi 100 shtete të botës është përfshirë edhe Kosova

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, dhe kreu i Prishtinës, Isa Mustafa, bashkërisht morën pjesë në fillimin e aksionit më të madh deri tash për pastrimin e Kosovës. Ata ishin në lagjen “Dardania” të kryeqytetit, afër shkollës “Xhemajl Mustafa”.

Në aktivitetin e pastrimit të mjedisit, një nismë e filluar në mbi 100 shtete të botës në të cilën është përfshirë edhe Republika e Kosovës, presidentja Jahjaga ka theksuar se ky aksion duhet të shndërrohet në punë e shprehi të përditshme të të gjithë qytetarëve.

“Kemi dalë që të përkrahim një iniciativë të këtillë, sepse Kosova është atdheu ynë dhe secili prej nesh dëshiron që ta ketë një vendbanim, një lagje dhe një qytet më të bukur, më të mirë dhe më të pastër”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, kjo është një iniciativë shumë e mirë të cilës edhe Republika e Kosovës i është bashkangjitur, iniciativë që tanimë ka filluar në mbi 100 shtete të tjera dhe që ka aspektin vullnetar të qytetarëve të ndryshëm, që është iniciativë që quhet “Let’s do it World”.

Presidentja e vendit ka thënë se kjo ka të bëjë edhe me aspektin e vetëdijesimit të njerëzve, sepse nuk është punë e një dite, por është punë e përditshme, meqë dëshirojmë të kemi një ambient më të pastër, për një jetë më të mirë dhe më të shëndetshme për të gjithë qytetarët.

 Aksionin e ka mbështetur edhe Qeveria e Kosovës. Kryeministri, Hashim Thaçi shprehu besimin e tij se aksioni do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ai ka theksuar se në aksione të tilla duhet të marrin pjesë të gjithë në mënyrë që të parandalohet ndotja e ambientit.  

“Jemi bashkuar të gjithë pa dallime partiake e politike. Jemi bashkuar edhe si gjenerata, ja ku i kemi edhe fëmijët këtu që të angazhohemi të gjithë për Kosovën e re, për Kosovën e zhvilluar për Kosovën edhe më të pastër. Patriotizmi më i madh sot është që të punojmë të gjithë që të ndërtojmë një Kosovë të re dhe të pastër, por edhe të parandalojmë që të mos ndodh ndotja natyrisht”, ka deklaruar Thaçi.

Kreu i Prishtinës, Isa Mustafa pranoi se mbrojtja e ambientit paraqet sfidë për komunën e Prishtinës. Ai kërkon nga qytetarët që pas aksionit të pastrimit të jenë edhe më të kujdesshëm.

 “Këtu në Prishtinë po ballafaqohemi me mbeturina të ngurta të cilat po hedhen vend e pa vend, sepse kemi ndërtime të mëdha dhe kemi një shpërkujdesje të lartë të njerëzve të kompanive të ndryshme. Do të bëjmë përpjekje që ato t’i pastrojmë në mënyrë që qytetarëve t’u pasqyrojmë një ambient më të pastër në mënyrë që pastaj ata të jenë më të kujdesshëm”, ka thënë ai

Aksioni, më i madhi i këtij lloji në Kosovën e pasluftës, ka për qëllim të pastrojë vendin nga mbeturinat. Në këtë aksion janë bashkuar shumë organizata joqeveritare dhe vullnetarë në gjithë Kosovën.