Lajme

“Të gjithë bashkë kundër KEK-ut”

Policia e Kosovës, Ministria e Ekonomisë, Ombudspersoni dhe Këshilli i të Drejtave të Njeriut kanë dalë kundër KEK-ut. Të gjithë kërkojnë rishikimin e faturave të fryra


Faturat e shtrenjta të energjisë elektrike që ka lëshuar KEK-u për muajin janar, kanë nxitur reagime nga të gjitha institucionet dhe organizatat kosovare. Policia e Kosovës ka nisur tashmë hetimet për këtë, ndërsa Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka kërkuar nga KEK-u që deri më 16 shkurt të rishikojë gjithë sistemin e faturimit.

Pas ankesave të qytetarëve, në konsultim dhe bashkëpunim me Prokurorinë kompetente në Prishtinë, Policia ka iniciuar një procedurë hetimore paraprake kundër KEK-ut.

“Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit na bashkëpunim me prokurorinë kompetente kanë iniciuar një procedurë hetimore paraprake dhe varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren veprime konkrete në përputhje me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Ndërsa në një konferencë për media, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka kërkuar nga drejtuesit e KEK-ut, që deri më 16 shkurt, të bëjnë një rivlerësim të detajuar të gjendjes në KEK.

“Kërkojmë nga KEK-u që të sjellë të gjithë dokumentacionin relevant për mënyrën e faturimit, mënyrën e leximit të njehsorëve dhe efektet e ndërrimit të njehsorëve”, tha ministri Beqaj, duke i siguruar të gjithë qytetarët se të gjitha gabimet e mundshme me faturim do të përmirësohen.

Ai ka ritheksuar se Qeveria është e përkushtuar ta zbatojë Strategjinë e Energjisë e cila ka tri parime themelore: furnizim të rregullt me energji; faturim të përballueshëm për qytetarët dhe ngritje të kapaciteteve të reja gjeneruese konform standardeve mjedisore.

“Dua të bëj me dije se asnjë lëvizje në çmime të energjisë deri më tani nuk ka pasur. Vendimi për rritje ka qenë vitin e kaluar dhe faturimet kanë qenë tërë vitin sipas kësaj. Askush nuk mund të arsyetohet që ka pasur një rritje të tillë”, tha Beqaj.

Ai tha se MZHE ka kërkuar dhe ka obliguar KEK-un që për të gjitha ato ankesa që janë ngritur deri tani të shtyhet afati i pagesave deri në momentin kur ato verifikohen.

Numri një i MZHE-së ka paralajmëruar se në rast se evidentohet çfarëdo lloj shkelje në këtë proces, atëherë do të merren masat e duhura për të gjithë personat apo institucionet të cilat kanë bërë shkelje, qoftë në faturim, lexim, bazhdarim, bllok të tarifave, apo çfarëdo.

“Edhe një herë dua t’i inkurajoj të gjithë qytetarët, të gjithë ata që mendojnë se kanë çfarëdo lloj padrejtësie në çështjen e faturimeve të shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore për ta kontestuar atë dhe për të marrë hapa të nevojshëm në baza ligjore”, tha ministri Beqaj.

Në mbrojtje të konsumatorëve ka dalë edhe Këshilli Për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe Avokati i Popullit.

“Revolta e qytetarëve të Prishtinës e shprehur përmes protestave dyditore para zyrës qendrore të KEK-ut për fryrjen e faturave të muajit janar është vetëm një pikë në gotën e mbushur plotë abuzime dhe korrupsion në këtë kompani publike”, konsideron KMDLNJ.

Ndryshe, faturat e muajit janar për shpenzimet e energjisë elektrike, kanë ardhur dy fish, ose trefish me shtrenjte se sa ato të muajit dhjetor. Këto fatura kanë nxitë reagim nga qytetarët të cilët kanë protestuar dy ditë rresht para objektit të KEK-ut. Zyrtarët e kësaj të fundit janë arsyetuar se rryma është shtrenjtuar për 20 për qind, gjë që është demantuar nga MZHE.