Lajme

Tariq Ramadan “ftohet” në fushatën zgjedhore në Francë

Presidenti aktual i Francës, Nicolas Sarkozy, ka deklaruar në medie se intelektuali shumë i mediatizuar mysliman nga Gjeneva, Tariq Ramadan, e mbështet kundërkandidatin e tij për zgjedhjet presidenciale të 6 maj 2012, socialistin François Hollande, njoftojnë mediet frankofone.

Tariq Ramadan i ka mohuar pohimet e Nicolas Sarkozyt, duke thënë se ai është zviceran dhe jo francez dhe se asnjëherë nuk ka bërë një apel të tillë. Mirëpo, njëkohësisht ai i ka ftuar qytetarët francezë të fesë myslimane që të votojnë me vetëdije dhe ta bëjnë bilancin e Nicolas Sarkozyt, i cili, sipas tij, është shumë i keq.

Nga ana tjetër, François Hollande ka demantuar po ashtu të ashtuquajturin “apel të 700 xhamive” të Francës për të votuar për të.

Tariq Ramadani është nipi i Hassan al Banna. Ky i fundit e pati krijuar, në vitin 1928, organizatën islamiste egjiptiane “Vëllezërit myslimanë”. Kjo organizatë promovon historikisht bashkimin e politikës me fenë.