Lajme

Sulmi ishte i planifikuar: reagon BE e SHBA

Doganieri që u vra në veriun e Kosovës është 35-vjeçari Audrius Senavicius nga Lituania, ndërsa është plagosur një doganier tjetër nga Çekia, jeta e të cilit nuk është në rrezik

Vrasja e një doganieri litaunez dhe plagosja e një pjesëtari tjetër të EULEX-it të kombësisë çeke, ka ngjallë reagime në gjithë opinion vendorë dhe ndërkombëtarë. Lidershipi në Bruksel këtë ngjarje e ka konsideruar si akt qyqar që ka sulmuar BE-në, ndërsa në Prishtinë konsiderohet si akt për destabilizim të vendit.

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar tha se vrasja e doganierit lituanez që shërbente në EULEX-it, ishte një akt qyqar dhe i planifikuar.

“Ata që planifikuan dhe ekzekutuan një akt të tillë qyqar, duhet të jenë të brengosur, se ne jemi të përcaktuar fuqimisht që të vazhdojmë angazhimin tonë me Kosovën, në dialogun e saj me Serbinë, dhe se jemi të përkushtuar që të kthejmë jetën në normalitet për njerëzit në Kosovë”, thai Zbogar.

Këto komente përfaqësuesi i BE-së i bërë gjatë një konferencë të jashtëzakonshme për media. Zhbogar së bashkë me shefin e EULEX-it, Bernd Borchardt e dënuan sulmin ndaj kontingjentit të EULEX-it në veriun e Kosovës.

“Më lejoni të theksoj se jam i shokuar. Jam thellësisht i shokuar me natyrën qyqare të vrasjes së mëngjesit. Dënoj fuqimisht këtë akt qyqar të dhunshëm kundër personelit tonë!”, deklaroi Borchardt, raporton REL.

Ai tha se i vrari ishte punëtor i EULEX-it, oficer i Doganave me prejardhje nga Lituania, i përkushtuar për të siguruar stabilitetin në Kosovë dhe i kontribuonte normalizimit të raporteve ndërmjet të Serbisë dhe Kosovës.

“Ai ishte një burrë i ri, i cili la pas gruan dhe familjen”, tha shefi i EULEX-it, duke iu dridhur zëri gjatë fjalimit në konferencë .

Vendi i krimit vazhdon të jetë i izoluar dhe ekipet e përbashkëta të policisë së Kosovës dhe asaj të EULEX-it po vazhdojnë të mbledhin prova. Sipas Borchardt, ende nuk është e qartë nëse në këtë sulm ishin të përfshirë një apo më shumë persona, andaj edhe bëri thirrje që dëshmitarët potencialë të paraqiten dhe të ofrojnë informata.

Ndërsa i dërguari i posaçëm i BE-së, Samuel Zbogar tha se ndien neveri për këtë tragjedi, pasi gratë dhe burrat që shërbejnë në EULEX, kanë qëllim të mirë, dhe se sulmi paraqet sulm ndaj Bashkimit Evropian dhe vlerave që përfaqëson ky trup.

“Por, është e qartë, marr parasysh këtë sulm, se ka interesa që nuk e duan situatën në veri që të normalizohet. Pavarësisht kësaj proceset politike nuk do të frenohen nga dhuna. Kjo vdekje tragjike duhet të bashkojë të gjithë në Kosovë…dhe t’i përmbahen rrugëtimit që filloi me 19 prill”, tha Zbogar.

Sulmin me breshëri automatiku ndaj dy veturave të EULEX-it e ka dënuar edhe presidentja e Atifete Jahjaga si dhe përfaqësuesit tjerë të institucioneve të Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi, lideri i opozitës, Isa Mustaf, kryetari i AAK-s, Ramush Haradinaj, etj.

“Ky sulm ndaj EULEX-it është një akt plotësisht i patolerueshëm i forcave që kanë për qëllim destabilizimin e vendit tonë dhe prishjen e rendit kushtetues, në kohën kur institucionet e Kosovës po tregojnë pjekuri politike, duke u angazhuar të krijojnë një shtet gjithëpërfshirës”, deklaroi Jahjaga.

Ambasadorët evropianë dhe ajo amerikane në Kosovë, kanë dënuar aktin e sotëm, duke e cilësuar si një sulm mbi tërë bashkësinë ndërkombëtare.

Ndërsa reagime erdhën edhe nga Beogradi. Kryeministri Ivica Daçiq tha se sulmi ndaj EULEX-it në veri të Kosovës paraqet akt ekstremist, që i shkakton dëm Serbisë në përgjithësi.

“Nuk janë të shtëna në EULEX, por në të ardhmen e popullit serb në Kosovë, në të ardhmen e Serbisë dhe qytetarëve të saj. Sulm ndaj EULEX-it dhe KFOR-it? Cila është e ardhmja e popullsisë serbe në këto kushte? Ata që e kanë bërë këtë janë armiq të Serbisë”, ka thënë Daçiq.

Sipas tij, kjo “çmenduri ekstremiste” mund të kërcënojë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë. “Është dëm i madh për interesat e Serbisë, para së gjithash popullin serb në Kosovë dhe qeveria e dënon fuqishëm këtë akt”, ka thënë Daçiq, transmetojnë mediat serbe.

Po ashtu reagime përkitazi me këtë rast erdhën edhe nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson. Edheb kjo e fundit ka shprehur keqardhje për vrasjen e pjesëtarit të EULEX-it në rajonin e Zveçanit.

“Jam e tronditur me sulmin ndaj EULEX-it në veri, këtë mëngjes, dhe e trishtuar me humbjen e jetës”, ka shkruar Jacobson në Twitter.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen tha se KFOR-i do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur mandatin e tij për të kontribuar për një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe për lirinë e lëvizjes në Kosovë.

“Shpreh ngushëllimet e mia të thella për familjen dhe të dashurit e pjesëtarit të ndjerë të EULEX-it, për të gjithë anëtarët e misionit të EULEX-it, si dhe për popullin dhe Qeverinë e Lituanisë. Të plagosurve u dëshiroj shërim të shpejtë”, ka thënë Rasmussen.

Ndryshe, nga të shtënat me armë zjarri në fshatin Ballaban të Leposaviqit ka

humbur jetën doganieri 35-vjeçar Audrius Senavicius nga Lituania, ndërsa është plagosur një doganier tjetër nga Çekia, jeta e të cilit nuk është në rrezik.

Viktima, së bashku me pesë shokët e tij, ishte nisur, herët në mëngjes, për të bërë ndërrimin e rregullt në portën numër 1 në Jarinë në veriun e Kosovës. Por, ata

nuk arritën në cak, pasi që persona tashmë të panjohur për policinë kanë gjuajtur me breshëri automatiku në drejtim të tyre.

Ky është rasti i parë serioz që sulmohet EULEX-it e që përbunin me viktima. Misioni i BE-së për sundim të rendit dhe ligjit ka ardhur në Kosovës menjëherë pas shpalljes ë pavarësisë, në fundin e vitit 2008, ndërsa është parashikuar të largohen në gusht të vitit të ardhshëm.

 

19.10.2013: Vritet një pjesëtar i EULEX-it

Një pjesëtar i EULEX-it ka humbur jetën si pasojë e një sulmi me armë zjarri në rajonin e komunës së Zveçanit, kanë konfirmuar zyrtarë të EULEX-it.

Mediat në Prishtinë raportojnë se incidenti ka ndodhur në rajonin e Zveçanit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:30 derisa  dy vetura të EULEX-it që i bartnin gjashtë pjesëtarë të tij për të bërë ndërrimin e rregullt në Portën 1 janë qëlluar me armë nga persona të panjohur në afërsi të Komunës së Zveçanit.

„ Si pasojë e këtij incidenti ka vdekur një pjesëtar i EULEX-it.  Task Forca në Mitrovicë është aktivizuar menjëherë dhe hetimet për këtë vrasje janë duke vazhduar.  Zona përreth është bllokuar. Me këtë rast do të bëhet çmos për t’i sjellë kryerësit e kësaj vepre përpara drejtësisë”, kanë thënë zyrtarë të Eulexit, transmeton ReL.

EULEX-i e ka dënuar fuqishëm këtë akt të dhunës kundër pjesëtarëve të EULEX-it. Ky mision, po ashtu, i ka bërë thirrje komunitetit lokal dhe kujtdo që mund të ketë qenë dëshmitarë, apo që dinë ndonjë gjë lidhur me këtë incident, që të informojnë organet kompetente.

Edhe komandanti i Policisë në jug të Mitrovicës, Ergin Mediq, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se një automjet i EULEX-it në të cilin kanë qenë tre persona, është sulmuar me armë zjarri.

Ai ka thënë se deri më tash nuk dihet se nga ka ardhur sulmi.