Lajme

Specialja debatohet në Kuvend, veteranët protesta jashtë

Opozita brenda në Kuvend dhe veteranët e UÇK-së jashtë objektit po e kundërshtojnë themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte. Në Kuvend po zhvillohet debat i ashpër

Derisa Kuvendi i Kosovës po debaton për ndryshimet kushtuese që i hapin rrugë krijimit të Gjykatës Speciale për krime të luftës, disa qindra veteranë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) po protestojnë jashtë objektit të Legjislativit, duke kërkuar votë kundër kësaj Gjykate, që do të merret ekskluzivisht me krimet eventuale të UÇK-së.

“Kosova si shtet sovranë duhet të hetojë të gjitha krimet”, ka thënë Faton Klinaku, sekretarë i Organizatës së Veteranëve të Luftës. Ai ka ftuar të gjithë qytetarët e vendit që te përcjellin mirë se cilët deputetët do ta votojnë gjykatën në mënyra që ti mbajnë mend sipas tij dhe mos ti votojnë asnjëherë.

Klniku tha se Kosova është i vetmi vend që është shtet multietnik më 95 për qind të popullsisë shqiptare.

Ish veterani i UÇK-së ka thënë se kjo gjykatë nuk duhet të votohet sepse është e njëanshme dhe nuk i heton të gjitha krimet e luftës. Klinaku ndonëse ka ftuar qytetarët që ti mbajnë mend deputetët e mos ti votojnë më, për shoqatat e luftës tha se “veteranët e dimi se çfarë do të bëjmë”.

Rreth objektit të Parlamentit ka shumë forca të njësive speciale të policisë që po merren me sigurinë e Ligjvënësit.

Në anën tjetër në Kuvend po zhvillohet një debat i ashpër ndërmjet deputetëve të koalicionit që po mbështesin dy amendamentet që i hapin rrugë dhomave të specializuara që merrte me disa ish gueril të UÇK-së dhe opozitës, që po deklarohet kundër dhe po kërkoj voton kundër,

Kryetari i Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, tha se Kosova me Gjykatën Speciale po shndërrohet në një monstrum ligjor. Ai tha se si është e mundur që pas OKB-së, UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës, që tash duhet edhe për herë të katërt të pastrohet lufta e UÇK-së.

“E vetmja Kosova po u deshka me kalu edhe të katërten herw për pastrim, a aq të flliqt jemi na sa po na u deshka edhe njëherë të pastrohemi “, tha Haradinaj, sipas të cilit, asnjëri nga institucionet e Kosovës nuk qenkan të denjë për t’iu besuar drejtësia, dhe se subjekti i tij nuk i thotë jo drejtësisë, e jo pastrimit të mjegullës, por drejtësisë selektive.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se duke i marr parasysh obligimet shtetërore dhe duke qentë të bindur në zbulimin e të vërtetës, LDK i dha mbështetje këtyre ndryshimeve. “Duke marr parasysh letërkëmbimin e presidentes Jahjaga dhe Ashtoin dhe ratifikimin e tij në Kuvend, dhe sqarimet e Qeverisë se ky propozim është në harmoni me Kushtetutën dhe nuk cenojnë lirinë e individit”, ka thënë ai.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mos votojnë themelimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe ka thënë se ai personalisht nuk do ta votonte këtë gjykatë edhe nëse ajo do të shmangte fundin e botës. Ai ka thënë se pushteti aktual e ka sjellë Kosovën në një situatë për të gjymtuar shtetin e Kosovës.

Konjufca i ka bërë thirrje të mos votohet Gjykata Speciale pasi Serbia ka qenë agresori e jo Kosovë. “Ne luftuam për liri e Serbia për pushtim. Me këtë gjykatë krijohet përshtypja se ne kemi qenë agresori. Gjykata e rrënon sistemin tonë gjyqësor”, ka thënë ai duke kujtuar se në Kosovë nga ana e Serbisë janë bërë 274 maskara dhe janë zbuluar 550 varreza masive.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci ka deklaruar se me themelimin e kësaj gjykate nuk cenohet as sovraniteti i Kosovës dhe as lufta e UÇK-së.

“Ne gjithsesi jemi të vetëdijshëm që pa dëshirën tonë dhe po ashtu edhe të miqve tanë, Kosova sot gjendet para këtij provimi të rëndësishëm. Ne e kemi parasysh se jemi para një raporti të Dick Martyt, i cili ka ngritur akuza qesharake për ne, por që ka marrë mbështetjen e Këshillit të Evropës”, tha ai.

Edhe zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Hashim Thaçi, tha para deputetëve se Kosova sot po fillon një proces jo të lehtë, që ka të bëjë me pastrimin e luftës së UÇK-së.

Sipas tij Kosova është para dy mundësive, që të themeloj vet këtë gjykatë me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të përmbyll njëherë e përgjithmonë këto pretendime për një periudhë kohore prej 5 vitesh, ose në rast të dështimit, ekziston mundësia e dytë që kjo çështje të shkoj në Këshill të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Sipas tij, BE do të shpenzoj 300 milionë euro për krimet e supozuara gjatë luftës së f undit në Kosovë dhe Kosova, sipas tij, ka nevojë që të pastrohet nga ky etiketim i panevojshëm dhe i padrejtë, ndonëse Thaçi tha se në të gjitha luftërat ka pas lëshime dhe krime.

Thaçi, sikurse dhe partneri i koalicionit, kryeministri Isa Mustafa bënë thirrje që amendamentet të kalojnë, dhe Kosova t’i hapë rrugë Gjykatës Speciale. Debati po vazhdon, ndërsa për të kaluar këtë amendamentet kushtetuese, duhet dy të tretat e 120 deputetëve sa ka Kuvendi i Kosovës.