Kosova

Sot përpjekja e 26-të për konstituimin e Kuvendit

Gati katër muaj pas zgjedhjeve, tentohet për herë të 26-të konstituimi i Kuvendit

Deputetët e betuar sot do të mblidhen për herën e 26-të për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Seanca është paraparë të mbahet nga ora 11:00.

Deri më tani, 25 herë ka dështuar të bëhet funksionalizimi i legjislaturës së nëntë të parlamentit, përcjell albinfo.ch.

Kryesuesi Avni Dehari edhe të hënën ftoi subjektet politike parlamentare të cilat nuk kanë propozuar deputetë për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë që ta bëjnë këtë, por të njëjtat nuk paraqitën propozime.

Ai hodhi në votim përbërjen e komisionit me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës. Nga 104 deputetë të pranishëm në sallë, 51 votuan për, një ishte kundër, ndërsa abstenime nuk pati.

Kështu, seanca u shtye edhe një herë për sot.

Mbetet të shihet nëse do të lëvizin nga qëndrimet e tyre subjektet që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, apo do të kemi edhe një shtyrje për 48 orë të seancës.