Kosova

Sot nis gjykimi në mungesë për masakrën e Mejës, 53 të akuzuar për krime lufte

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës sot nis seanca fillestare në procesin gjyqësor për njërën nga masakrat më të mëdha të kryera gjatë luftës në Kosovë  atë të Mejës dhe fshatrave përreth në rajonin e Gjakovës. Gjykimi zhvillohet në mungesë të 53 të akuzuarve, të cilët nuk janë të kapshëm për autoritetet e Kosovës dhe ndodhen në Serbi, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.

Masakra e Mejës, e ndodhur në prill të vitit 1999, rezultoi me vrasjen e 370 civilëve shqiptarë të Kosovës. Trupat e tyre u zbuluan më vonë në tetë varreza masive në kompleksin e policisë në Batajnicë të Serbisë. Ndër të akuzuarit për këtë krim janë ish-zyrtarë të lartë ushtarakë dhe të shërbimeve të sigurisë së Serbisë, përfshirë Momir Stojanoviqin, Franko Simatoviqin, Sreten Çamoviqin, Verolub Zhivkoviqin, Illija Todorovin dhe Dragan Zhivanoviqin.

Prokuroria i ngarkon të pandehurit me krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasje masive, dhunë seksuale, tortura, plaçkitje dhe dëbime me bazë etnike, të kryera gjatë operacionit famëkeq “Reka”. Ky operacion ushtarak i forcave serbe synonte spastrimin etnik të shqiptarëve në rajonin e Gjakovës.

Aktakuza, e ngritur në dhjetor të vitit 2023 dhe e plotësuar në prill të vitit 2024, është vlerësuar si një nga më të rëndësishmet dhe më komplekset që ka përfshirë ndonjëherë drejtësia kosovare për krimet e luftës. Sipas raportit të EULEX-it të publikuar në nëntor 2024, rasti përfshin për herë të parë trajtimin ligjor të konceptit të shfarosjes së fshatrave të tëra dhe aplikimin e doktrinës së përgjegjësisë komanduese, transmeton albinfo.ch.

Pavarësisht rëndësisë historike dhe ligjore, gjykimi zhvillohet në mungesë të të akuzuarve. Kjo është bërë e mundur me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës në vitin 2022, me kusht që të jenë shteruar të gjitha përpjekjet për sigurimin e pranisë së të pandehurve. Megjithatë, nëse ndonjëri prej tyre arrestohet, ka të drejtë për rigjykim.

Prokurorja Drita Hajdari, e cila tashmë është në pension, ka deklaruar më herët se rasti i Mejës u trashëgua nga EULEX-i në vitin 2018, pas hapjes fillestare të hetimeve ndaj 18 personave në vitin 2013. Hetimet më pas janë zgjeruar ndaj edhe 35 personave të tjerë, duke çuar në një total prej 53 të akuzuarish.

Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasha Kandiq, e cilëson masakrën e Mejës si “krimin më të madh të luftës në Kosovë”. Sipas saj, Serbia nuk ka treguar kurrë vullnet politik për t’i ndëshkuar përgjegjësit dhe shumica e të dyshuarve mbrohen nga ndjekja penale. Kandiq thekson se gjykimet në mungesë nuk përbëjnë drejtësi të plotë dhe se mungesa e bashkëpunimit institucional mes Kosovës dhe Serbisë mbetet pengesë serioze për përballjen me të kaluarën, transmeton albinfo.ch.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë ndan qëndrimin kritik ndaj këtij formati gjykimi, duke e cilësuar si “drejtësi të rreme” që mund të krijojë iluzione tek viktimat, por që nuk sjell ndëshkim real për kryerësit e krimeve.

Deri më tani, që nga hyrja në fuqi e ligjit për gjykimet në mungesë, janë ngritur 15 aktakuza të tilla kundër 73 pjesëtarëve të forcave serbe për krime lufte në Kosovë. Rasti i Mejës, megjithatë, mbetet më i madhi dhe më i rëndësishmi në këtë drejtim.

Drejtësia e vonuar për viktimat e Mejës, sipas organizatave për të drejtat e njeriut, është ende një plagë e hapur në shoqërinë kosovare, që kërkon vëmendje ndërkombëtare dhe veprim konkret për të siguruar që krimet e luftës të mos mbeten të pandëshkuara, transmeton albinfo.ch.