Lajme

Sot fillon numërimi i votave nga diaspora

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të fillojë numërimin e fletëvotimeve, të cilat janë dërguar nga jashtë gjatë periudhës së votimit 29 tetor – 12 nëntor, transmeton albinfo.ch.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka informuar se tashmë shërbimi votues i KQZ-së ka bërë vlerësimin e 1,571 pakove të supozuara me fletëvotime të ardhura përmes postës.

“Nga procesi i vlerësimit del se nga këto pako numri i zarfeve të individualizuara me fletëvotime është 2,658, prej të cilave janë aprovuar 2.379, ndërsa pasi nuk kanë plotësuar kriteret ligjore, janë refuzuar 279 pako. Këto fletëvotime u takojnë 19 komunave të ndryshme”, ka informuar Elezi.

Ai, tutje ka shtuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë duke u zhvilluar të gjitha procedurat e parapara që gjithashtu sa më shpejt që është e mundur të fillojmë me numërimin e votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, PDK ka fituar 9 komuna, LDK ka fituar 7 komuna, AAK ka fituar 5 komuna, VV ka fituar 4 komuna, ndërsa nga një komunë kanë siguruar: Nisma Socialdemokrate, Iniciativa Qytetare për Obiliqin (IQO) dhe KDTP. Ndërkaq Lista Serbe ka siguruar 10 komuna.