Lajme
Situatë dramatike në Kuvendin e Kosovës
Edhe sot në seancën e rregullt plenare është hedhur gaz lotsjellës dhe për të tretën herë me radhë, opozita përdorë “armët” për të bllokuar punën
Kuvendi i Kosovës ka hyrë në një fazë kritike të mosfunksionimit, sidomos pas bllokimit të seancave nga partitë opozitare që kohën e fundit janë bashkuar në një “front anti- qeveritar”. Edhe sot në seancën e rregullt plenare është hedhur gaz lotsjellës dhe për të tretën herë me radhë, opozita përdorë “armët” për të bllokuar punën.
Situata në Kuvend u tensionua dy muaj më parë, kur kryeministri Isa Mustafa u mundua t’i arsyetojë marrëveshjet e fundit, njërën me Serbinë për Asociacionin e Komunave serbe dhe tjetrën për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Opozita po kërkon që këto dy marrëveshje të shfuqizohen, për t’u normalizuar situata.
Megjithatë dy liderët e partive të koalicionit, Isa Mustafa, kryeministri i Kosovës, dhe Hashim Thaçi zëvendëskryeministër, kanë thënë se nuk do të ketë tërheqje nga marrëveshjet. Sipas opozitës, me marrëveshje e parë, për Asociacionin e Komunave serbe, Qeveria e bosnjëzoi vendin, ndërsa me marrëveshjet e dytë, atë për përcaktimin e kufirit me Malin e Zi, Kosova, humbi 12 mijë hektarë tokë.
Por, opozita për t’i realizuar qëllimet e veta, po e përdorë edhe gazin lotsjellës si mjet për ndërprerjen e punës në Kuvend. Sot në seancën e orës 16:00 u ndezën dy bombola gazi lotsjellës, njëra para derës së kryeparlamentarit Kadri Veseli e tjera brenda sallës së seancave.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ngjarjet e fundit kanë turpëruar opozitën, por edhe Kosovën karshi ndërkombëtarëve.
“Nga këndvështrimi afatgjatë i kësaj situate besoj se në një kohë shumë të afërt disa do të jenë të turpëruar për veprimet që po ndërmerren në Kuvend. Kjo për arsye se këtu ka shumë punëtore që mund të jenë edhe shtatzëna dhe gazi është hedhur edhe në ambientet e administratës. Kjo s’ishte e nevojshme. Ata duhet të mendojnë më thellë për shkak se edhe politika ka disa kontura të sjelljes që duhet respektuar”, ka thënë Veseli.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka reaguar duke thënë se përgjegjësinë për sigurinë e shtetasve të Kosovës si dhe çdo qytetari të huaj, e kanë Qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe madje edhe KFOR-i.
Pas hedhjes së gazit në Kuvendin e Kosovës, deputetja e opozitës Donika-Kadaj-Bujupi nga AAK, tha se hedhja e gazit nuk është vepër penale. Sipas saj, vepër penale është shitja e Kosovës. Ajo thotë se vepër penale është veprimi i kryeministrit i cili përmes marrëveshjeve po e fal tokën e Kosovës.
Ndër të tjera Kadaj-Bujupi tha se mund ta arrestojnë gjithë opozitën, por nuk do ta mposhtin argumentin e tyre.
“Ne kemi forcën e argumentin ndërsa ky pushtet ka vetëm forcën. Munde të na arrestojnë edhe krejt opozitën por nuk mund ta mposhtin argumentin tonë”, ka thënë Kadaj-Bujupi, e cila sot, sikurse herën e kaluar e ndezi bombën e gazit lotsjellës në sallën Kuvendit.
Derisa Kryesia e Kuvendit dhe kryetari Kadri Veseli deklaruan se seanca do të vazhdojë sonte, njëherë thanë në ora 10:00 e tash në ora 12:00, shefi i grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka thënë se në çdo seancë do t’i përdorin të gjitha mjetet që seanca të mos mbahen.
Ai tha se “edhe pse iu kemi bërë thirrje të mos të mos mbahet seanca në këtë tension, kryeparlamentari Veseli dhe kryeministri Mustafa po kontribuojnë në përshkallëzimin e situatës”.
Në orët e vona të mbrëmjes ka pasur një reagim edhe nga zëvendëskryeministri Hashim Thaçi. Ai në një deklarim për media ka thënë se këto mesazhe që po dërgon opozita janë jo të mira, madje ai i ka quajtur neveritëse dhe irrituese.
“Këto janë reagime neveritëse të opozitës. Janë këto mesazhe shumë të këqija që po i dërgon botës. Në veçanti është e papranueshme në periudhën që është Kosova, para anëtarësimit në UNESCO, nënshkrimin e MSA-sës dhe liberalizimin e vizave”, ka deklaruar Thaçi.
Derisa koalicioni i ashtuquajtur i madh po bën përpjekje për vazhdimin e seancës, jashtë Kuvendit po protestojnë disa qindra simpatizantë të opozitës, të cilët po brohorisin “poshtë Zajednica” ndërsa herë pas here po gjuajnë edhe me disa bomba gazi me ngjyrë, në drejtim të policisë.
Kjo situatë asnjëherë nuk ka qenë më e tensionuar se sa tani. Analistët thonë se edhe mbajtja e seancës me çdo kusht nga mazhuranca, është provokim. Madje shoqëria civile ka protestuar sot me ombrella të bardha duke kërkuar nga partitë e koalicionit LDK-PDK që mos të mbajnë seancë, derisa nuk merren vesh liderët politik ndërmjet veti.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Itali
Tragjedi në Itali, fqinji rrëfen si u gjetën të pajetë katër anëtarët e familjes shqiptare Helmimi me gaz në Porcari, dëshmia e fqinjit shqiptar për momentet e para... -
Kompania shqiptare mbulon Forumin në Davos me mbi 100 vetura luksoze -
Kosovë
Veshja tradicionale e Hasit të Prizrenit synon mbrojtjen nga UNESCO -
Amerikë
Shqiptarja hyn në histori me emërimin në administratën e lartë të SHBA-së -
Amerikë/Shqipëri
Talent shqiptar nga Amerika që po sjell ventrilokizmin në skenën shqiptare
Jeta në Austri
-
Raporti i Eurostat: Çmimet e shtëpive në BE janë rritur me 53% që nga viti 2010 Botimi i Eurostat-it “Strehimi në Evropë – Botimi 2025” tregon ndryshime të mëdha në kostot e... -
Austri: Këto cigare po bëhen më të shtrenjta -
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale -
Vjena planifikon shtëpi të mbyllura në grup për shkelësit e përsëritur nën moshën 14 vjeç









