Lajme
Sipas qeverisë, 2013-ta, vit i suksesit diplomatik
Kryeministri Hashim Thaçi, ka thënë se ambasadorët janë zëri i Kosovës nëpër botë, duke i falënderuar për punën e bërë deri më tani
Diplomacia kosovare ka qenë relativisht e suksesshme gjatë vitit 2013, duke shënuar rezultate konkrete në përmirësimin e imazhit të Kosovës në botë. Kështu u tha të premten në Konferencën e II-të të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës me temën “Politika e jashtme dhe multilateralizmi: Forcimi i rolit të Republikës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare”.
Në këtë konferencë ka marrë pjesë edhe presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj. Sipas liderëve kosovarë, rolin vendimtar në ndërkombëtarizimin e Kosovës e kanë pasur diplomatët kosovarë nëpër botë
Presidentja Atifete Jahjaga e ka vlerësuar të suksesshëm vitin 2013 nga aspekti diplomatik.
Jahjaga theksoi se ky takim i ambasadorëve të Kosovës, vlerëson përpjekjet e deritashme në politikën e jashtme, i identifikon mangësitë që janë hasur në pesë vitet e ekzistimit si shërbim diplomatik i organizuar dhe vendos parimet bazë mbi të cilat do të hartohet strategjia e ecjes përpara.
“Sot jemi më të përgatitur se pesë vjet më parë. Jemi të pajisur me përvojat e shteteve nikoqire, me miqësinë dhe përkujdesjen e pakursyer të aleatëve tonë dhe partnerëve tanë strategjik që suksesin tonë e konsiderojnë pjesë integrale të suksesit të tyre”, tha presidentja Jahjaga.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se ambasadorët e Kosovës, janë zëri i Kosovës nëpër botë, duke i falënderuar për punën e bërë deri më tani.
“Në këto vite, politika jonë e jashtme ka korrur shumë suksese, dhe një prej tyre është padyshim ndërtimi dhe shtrirja e gjerë e shërbimit të jashtëm dhe konsullor të Republikës së Kosovës. Në një kohë të shkurtër, së bashku ia kemi dalë të ndërtojmë nga e para një sistem diplomatik dinjitoz e profesional që sa vjen e konsolidohet dhe përsoset”, tha kryeministri Thaçi.
Duke iu referuar faktit se një pjesë e mirë e ambasadorëve janë në mandatin e dytë në shtete të tjera, kryeministri tha se kjo lë të kuptohet se po hyhet në një fazë normalizimi të sistemit diplomatik.
“Ky fakt është një dëshmi që sistemi ynë diplomatik po konsolidohet dhe stabilizohet, politizimi po minimizohet ndërsa etika profesionale po shtohet. Tanimë trupi ynë diplomatik ka fituar një përvojë shumë të vlefshme dhe kjo konferencë mund të vlejë shumë për të mësuar nga pësimet”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjithashtu tha se kjo konferencë ka për detyrë që të mundësojë koordinimin e stafit diplomatik me vizionin që ka Qeveria për politikën e jashtme, duke ritheksuar prioritetet kryesore të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës dhe parashtroi disa objektiva të reja që do të ndiqen për të promovuar më së miri interesat e shtetit në nivel ndërkombëtar.
“Pjesë e thelbësore e politikës sonë të jashtme ka qenë dhe do të mbetet kultivimi i marrëdhënieve të ngushta me aleatin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ndër të tjera, kryeministri Hashim Thaçi.
Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, në fjalën e tij para ambasadorëve i ka falënderuar për punën e madhe që kanë bërë gjatë vitit 2013 në forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, në përfaqësimin e interesit shtetëror, në përfaqësimin e interesit politik, ekonomik dhe të interesave të qytetarëve të Kosovës si dhe në fuqizimin e imazhit të shtetit të Kosovës.
Hoxhaj po ashtu tha se kjo konferencë e ambasadorëve ka tri qëllime madhore.
“Qëllimi i parë është që të reflektojmë mbi të arriturat e politikës së jashtme, qëllimi i dytë është që të shkëmbejmë mendime dhe ta kultivojmë dhe përmirësojmë cilësinë dhe strategjinë e politikës së jashtme dhe qëllimi i tretë është që të koordinojmë aktivitetet tona në vitin 2014 dhe në të njëjtën kohë të nisim një proces të ri i cili do të përcillet me hartimin për herë të parë të një platforme afatgjate të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Qëllimi madhor i kësaj konferencë është që të kemi një vizion për politikën e jashtme dhe që të kemi një planifikim strategjik për të. Unë besoj fuqishëm në shtetin e Kosovës dhe në diplomacinë tonë”, tha ministri Enver Hoxhaj.
Gjatë dy ditëve të zhvillimit të Konferencës, do të trajtohen çështjet kryesore që lidhen me punën e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës, prioritetet, objektivat, sfidat si dhe perspektiva e zhvillimit të mëtutjeshëm të shërbimit të jashtëm të Kosovës.
E-Diaspora
-
Winterthur
“Ne dhe Ata” sonte në Winterthur, komedia që prek realitetin e mërgatës Dan Morina vjen me një “Comedy Show” të radhës, ndërsa publiku në Zvicër pritet të argëtohet... -
Ramë Lahaj: Mërgata jonë është pasqyra më e mirë e identitetit tonë -
Bern: Event mbi integrimin përmes punës dhe ndërmarrësisë -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“ -
Kuzhina shqiptare në qendër të festimeve frankofone në Suedi
Jeta në Austri
-
Afër Pashkëve, 8,300 lepuj ngordhin në trafikun rrugor në Austrinë e Poshtme Rreth Pashkëve, sezoni i çiftëzimit të lepujve arrin kulmin. Në këtë fazë veçanërisht aktive, trafiku rrugor... -
Edhe Austria ndalon Rrjetet Sociale për fëmijët nën 14 vjeç -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“ -
Tragjedia e Vjenës: I lënduari është Nazmi Muharremi – flet vëllai që ia shpëtoi jetën -
Në Vjenë ndizen qirinj për viktimat e aksidentit tragjik












