Lajme

Simpoziumi Ndërkombëtar në Bazel: Kosova, pjesë e dialogut global për kujdesin shëndetësor të integruar

Ngjarja, e organizuar nga Instituti Zviceran për Sëmundje Tropikale dhe Shëndet Publik, mblodhi rreth 130 ekspertë nga Zvicra, Evropa dhe bota

Kosova ishte pjesë e diskutimeve ndërkombëtare mbi sfidat e sëmundjeve kronike dhe qasjet inovative për organizimin e kujdesit shëndetësor, në kuadër të Simpoziumit “Integrated People-Centred Care” (Kujdesi i Integruar me në Fokus Personin), i mbajtur më 2 shtator në Basel të Zvicrës.

Ngjarja, e organizuar nga Instituti Zviceran për Sëmundje Tropikale dhe Shëndet Publik (Swiss TPH), mblodhi rreth 130 ekspertë nga Zvicra, Evropa dhe vende të tjera të botës: studiues, profesionistë shëndetësorë, përfaqësues të administratës publike dhe sektorit privat, si dhe organizata të pacientëve. Përmes ligjëratave, sesioneve plenare dhe punëtorive interaktive, u shkëmbyen përvoja mbi modele të reja të kujdesit shëndetësor, duke vendosur pacientin në qendër të sistemit.

Sfida globale dhe qasje të reja

Sëmundjet kronike si diabeti, sëmundjet kardiovaskulare, çrregullimet mendore, sëmundjet muskulare e skeletore apo gjendjet gjenetike janë sot shkaktari kryesor i paaftësisë dhe i vdekjeve në botë. Me rritjen e jetëgjatësisë së popullatave dhe thellimin e pabarazive shëndetësore, këto sëmundje paraqesin një barrë të madhe për shoqëritë dhe ekonomitë.

“Kujdesi i integruar me në fokus personin synon të ofrojë qasje gjithëpërfshirëse, të përshtatur sipas nevojave, duke ndërtuar ura bashkëpunimi mes aktorëve të ndryshëm të sistemit. Kjo është rruga për të siguruar kujdes më të drejtë dhe më efektiv për të gjithë”, tha Jana Gerold, udhëheqëse projekti në Swiss TPH dhe anëtare e komitetit organizues.

Pjesëmarrësit ndanë përvoja nga iniciativa kantonale në Zvicër deri te projekte inovative në vende si Brazili, Kosova, Moldavia, Tanzania dhe Ukraina. “Një nga sfidat kryesore është mungesa e të dhënave për kujdesin e orientuar te personi. Megjithatë, ky parim është themelor për t’iu përgjigjur nevojave dhe vlerave reale të njerëzve, duke kontribuar në mbulimin shëndetësor universal,” theksoi João Breda nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Përfaqësimi i Kosovës

Kosova u prezantua përmes dy projekteve të zbatuara nga Swiss TPH në partneritet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe të mbështetura nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC): projekti “Shërbimet Shëndetësore të Integruara” (IHS) dhe projekti “Kujdesi i Qasshëm dhe Cilësor Shëndetësor” (AQH).

Projekti IHS prezantoi një aplikacion digjital për vetë-menaxhimin e diabetit, që u ofron pacientëve dhe familjeve mjete praktike për monitorim shëndetësor dhe komunikim më efikas me profesionistët. Linda Baleta, eksperte e lartë për avokim dhe komunikim në projektin IHS, theksoi:
“Pacienti nuk duhet të shihet vetëm si përfitues, por si bashkëkrijues i zgjidhjeve shëndetësore. Kjo qasje e fuqizon individin dhe e bën sistemin më të përgjegjshëm. Përvojat e shkëmbyera këtu do të përkthehen në hapa konkretë në Kosovë.”

Ndërkohë, projekti AQH prezantoi rezultatet e hulumtimit KOSCO (Kosovo Non Communicable Disease Cohort), i cili monitoron që nga viti 2019 ndikimin e stilit të jetesës mbi shëndetin në 12 komuna të Kosovës. Ariana Bytyqi-Katanolli, nga ekipi i projektit AQH, u shpreh:
“Ky studim afatgjatë është i pari i këtij lloji në Kosovë dhe ka rëndësi të veçantë për politikëbërjen shëndetësore. Të dhënat na ndihmojnë të kuptojmë më mirë faktorët e rrezikut dhe të zhvillojmë politika të bazuara në evidencë.”

Inovacionet digjitale dhe politika shëndetësore

Disa folës e konsideruan inovacionin digjital si një element kyç për përmirësimin e koordinimit dhe kujdesit, ndërsa të tjerë kërkuan reforma në politikat shëndetësore për të thyer izolimin institucional dhe për të vendosur udhëzime klinike më të qarta. Erika Placella, nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, theksoi:
“Në kohë me buxhete të kufizuara, duhet të riprioritetizojmë dhe të investojmë aty ku është më efektive dhe më me kosto të arsyeshme. Mbështetja e sistemeve të integruara shëndetësore dhe forcimi i kujdesit parësor është thelbësore – por duhet të adresojmë edhe determinantët më të gjerë të shëndetit, si migracioni apo ushqyerja.”

Dimensioni njerëzor dhe perspektiva e pacientëve

Në kuadër të simpoziumit u hap edhe ekspozita “Objekte të përditshmërisë: Jeta me sëmundje kronike”, ku përmes objekteve të thjeshta si stilolapsa, orë apo fotografi familjare, u sollën histori nga Kosova, Moldavia, Zvicra dhe Ukraina. Ekspozita, e kuruar nga Linda Baleta, dëshmoi dimensionin njerëzor të sfidave shëndetësore dhe ofroi një qasje artistike ndaj përvojave shpesh të padukshme.

Një nga rezultatet kryesore të simpoziumit do të jetë publikimi i një dokument udhëzues (white paper), që do të përmbledhë rekomandimet dhe përvojat e ndara. Ky dokument pritet të shërbejë si burim për politikëbërësit dhe profesionistët, duke udhëhequr zhvillimin e strategjive që vendosin pacientin në qendër të kujdesit.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë simpozium ndërkombëtar jo vetëm që forcon bashkëpunimin me Zvicrën, por gjithashtu e vendos vendin në një dialog global për ndërtimin e një sistemi shëndetësor të integruar, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.

Më shumë rreth programit të simpoziumit: swisstph.ch – IPCC Symposium 2025

Për Albinfo.ch, Luljeta Ademi